Presidenti amerikan Donald Trump ka tallur sërish homologun francez Emmanuel Macron dhe gruan e tij, teksa tensionet mes dy liderëve janë rritur ndjeshëm pas nisjes së luftës në Iran.
"Gruaja po e trajton Macron tmerrësisht keq, ai ende po shërohet nga një grusht në fytyrë", ishte deklarata tallëse e Trump për Presidentin francez. Videoja u publikua në kanalin YouTube të Shtëpisë së Bardhë dhe më pas u hoq.
Nga ana tjetër, Presidenti francez iu përgjigj deklaratës së Trump, teksa ishte në një vizitë në Korenë e Jugut.
"Fjalët që dëgjova nuk ishin as të bukura dhe as të përshtatshme, dhe nuk meritojnë një përgjigje. Ka shumë fjalë dhe në të gjitha drejtimet. Ne të gjithë kemi nevojë për stabilitet, qetësi, një kthim në paqe; kjo nuk është një shfaqje", shtoi Macron, duke vënë në dukje se situata është e rëndë, me një luftë në zhvillim e sipër dhe "ushtarë dhe civilë që humbasin jetën".
Trump me deklaratat e tij tallëse po i referohej një episodi që daton që nga maji i vitit 2025, kur, menjëherë pas zbarkimit në Vietnam, kamerat filmuan Brigitte Macron duke goditur me duar burrin e saj ("si shaka", tha presidenti Macron asokohe).
Presidenti amerikan tha gjithashtu se i kishte kërkuar kreut të shtetit francez mbështetje ushtarake në Gjirin Persik: "Unë thashë, 'Emmanuel, na duhet ndihmë në Gjirin Persik, edhe pse po thyejmë të gjitha rekordet në aspektin e eliminimit të të këqijve dhe shkatërrimit të raketave balistike'".
Pastaj, Trump duke imituar Macron me një theks francez tha: "'Jo, jo, jo... nuk mund ta bëjmë këtë, Donald. Mund ta bëjmë pasi të fitohet lufta'".
Duke shmangur sulmin personal të Trump, Macron vazhdoi të vinte në pikëpyetje meritat e politikës amerikane, dhe në veçanti kërcënimet e përsëritura të Trump për t'u larguar nga NATO.
"Nëse e vë në dyshim angazhimin tënd ndaj Aleancës Atlantike çdo ditë, e ‘zbraz’ atë nga kuptimi i saj", shtoi Macron në përgjigjen e tij.
Kujtojmë se gjatë muajit janar të këtij viti, Trump u tall me Emmanuel Macron-in, gjatë një fjalimi të tij në Davos.
“Nuk do ta besoni, por më pëlqen Emmanuel-i”, tha më tej në janar Trump në fjalimin e tij në Forumin e Davosit.
“Bëri të fortin me ato syze të bukura dielli”, tha asokohe Trump për Macron. Presidenti francez u justifikua atëherë se syzet i mbante për shkak të një problemi me sytë.
Komente











