DURRES - Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në qytetin e Durrësit. Një 17-vjeçar i identifikuar si A.P., ka qëlluar me pistoletë në drejtim të S.K, 18-vjeç duke e lënë të plagosur. Ai ka marrë një plumb në këmbë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Durrësit.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është vënë kërkim të autorit i cili është larguar me shpejtësi duke humbur gjurmët. I riu është identifikuar nga policia, ndërsa familjarët i kanë bërë thirrje të dorëzohet. Shkak për ngjarjen dyshohet të ketë qenë një sherr mes katër të rinjve i nisur në rrjetet sociale, në "Instagram", ku nuk kanë kursyer as sharjet dhe fyerjet ndaj njëri-tjetrit.

Ata ishin takuar për të zgjidhur mosmarrëveshjet, por situata ka degraduar dhe njëri prej tyre ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar me një plumb në këmbë 16-vjeçarin.  

Njoftimi i Policisë:

Durrës.

Informacion paraprak.

Më datë 04.04.2018, rreth orës 17:30, në lagjen Nr.6, Durrës është plagosur me armë në këmbë shtetasi S.K. 18 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën.

Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivët e Policisë, të cilët kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasin A.P. 17 vjeç, banues në Durrës. Po punohet për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.