E shtuna do të jetë dita e finaleve të madha, pasi do të luhen tri të tilla në Spanjë, Angli dhe në Gjermani. Kryesoja do të zhvillohet në Spanjë, pasi do të përcaktojë fituesin e kampionatit për këtë edicion mes Barcelonës dhe Atletikos së Madridit. Aktualisht, Barcelona është tre pikë para, por në rast fitoreje do të fitonte titullin edhe pse me pikë të barabarta, pasi favorizohet nga ndeshja direkte, teksa ndeshja e parë përfundoi pa gola. Super sfida mes dy ekipeve do të zhvillohet sot në orën 18:00 në ‘Camp Nou’. Në prag të ndeshjes dy kampet janë të motivuar maksimalisht për trofeun e parë të edicionit, pasi asnjë nga dy ekipet nuk e ka bërë sefte.

“Është një mundësi unike ta luajmë sfidën që do të vendosë titullin përpara publikut tonë. Është e vërtetë që ne nuk e kemi mundur asnjëherë Atletikon në 5 ndeshje të fundit por përpara një sfide të tillë këto fakte nuk duhen marrë shumë parasysh pasi kjo përballje ka një kontekst tjetër. Në takimet e kaluara ndaj tyre jemi munduar të ndryshojmë disa herë stilin tonë të lojës, por në asnjë rast nuk kemi shkuar më shumë se barazimi. Megjithatë në këto ndeshje nuk duhet të shohim vetëm atë që kemi bërë ne por edhe çfarë ka bërë Atletiko” deklaroi ai. Ndërsa Simeone theksoi se “Jemi të qetë, pasi kemi zhvilluar një super edicion. Me Barcelonën jemi ndeshur disa herë dhe dimë si ta mundim. Shpresoj që në fund fati të na buzëqeshë neve, pasi na duhet vetëm një barazim për të ngritur trofeun”.

Ndërkohë që Reali do të zbresë në fushë vetëm për të fituar Ronaldo ‘Këpucën e Artë’ pasi i duhet një gol për të kaluar Suarez me 31 realizime. Finalja tjetër do të zhvillohet në Gjermani, e vlefshme për kupën mes Bajernit të Mynihut dhe Dortmundit. E ndërsa Bajerni fitoi kampionatin, Dortmundi ende nuk ka fituar asgjë, prandaj do të jetë akoma më i motivuar për të arritur suksesin. Bajerni është me mungesa në finalen e Berlinit, pasi Shvainshtager dhe Alcantra janë të dëmtuar, ndërsa Manzukic nuk është grumbulluar. Pep Guadiola sqaron gjendjen e ekipit dhe ambiciet për finalen e Berlinit.

“Tre futbollistë nuk do të jenë në gjendje që të zbresin në fushë për këtë finale për shkak dëmtimesh. Megjithatë pjesa tjetër e grupit është në gjendje të mirë dhe gati për të dhënë maksimumin në fushë. Sfida është e vështirë, por kam besim se do të sigurojmë edhe trofeun e dytë të edicionit”. Një tjetër finale do të zhvillohet këtë herë në Angli, e vlefshme për FACup mes Arsenalit dhe Hull City-it. Arsenali ka shansin e fundit për të mbyllur edicionin me një trofe pas dështimeve të njëpasnjëshme nga njëri vit në tjetrin në kampionat dhe në Champions League. Ndeshja finale do të zhvillohet në orën 18:00 mes Arsenalit dhe Hull City-t.