Mesazhe për shpresë, përgjegjësi dhe angazhim për vendin. Në vigjilje të Pashkës Katolike, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, u bëri thirrje besimtarëve të mos dorëzohen përballë vështirësive dhe të besojnë se ndryshimi nis nga secili individ.

“Vdekja nuk e ka më fjalën e fundit… ndryshimi është i mundur dhe fillon nga zemra e njeriut”, tha Dodaj.

Në fjalën e tij, Dodaj ndaloi edhe tek fenomenet që prekin shoqërinë shqiptare, si emigracioni dhe indiferenca, duke theksuar se e ardhmja nuk duhet pritur nga jashtë.

“Vendi ynë nuk duhet të presë që e drejta apo e ardhmja do të na vijë nga jashtë. Thua vallë se të huajt e kanë për detyrë ta duan më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët se vetë shqiptarët Shqipërinë dhe njëri-tjetrin. Jo, kjo para së gjithash është një përgjegjësi e secilit prej nesh. Të qenit shqiptar nuk është çështje slogani apo propagande, por trashëgimia që na shpërcjell ndër shekuj dhe borxhi që u detyrohemi bijëve tanë, brezave të rinj”, tha Dodaj.

Apeli i tij shkoi edhe për politikën dhe institucionet, për më shumë ndershmëri dhe përgjegjësi në drejtimin e vendit.

“Shqipëria ka nevojë për burra dhe gra të ndershëm që e duan këtë tokë dhe popullin e saj jo me fjalë, por me jetë të jetuara këtu, ka nevojë për ndërgjegje reaguese që nuk pranojnë korrupsionin, padrejtësinë dhe menjanimin si diçka normale. Është ky një urim për të gjithë dhe akoma më shumë është për ata që mbajnë përgjegjësi politike, ekonomike dhe shoqërore që të shohin me largpamësi dhe përgjegjësi të ardhmen e vendit”, theksoi ai.

Të shumtë ishin besimtarët katolikë, që i janë drejtuar kishave për një nga ritualet më domethënëse të kësaj feste: bekimin e ushqimeve, një traditë që simbolizon bekimin e familjes përmes tryezës.

“Ju uroj gëzuar të gjithë popullit shqiptar… kjo është një festë harmonie fetare… këtu nuk ka dallime… bëhen bekimet e bukës, djathit, hudhrave… dhe pastaj vazhdohet me drekën familjare.”

“Sipas këtij tradite shumë vjeçare ne bekojmë bukën. Ju uroj gjithë besimtarëve të krishterë gëzuar pashkët, sa më shumë mbarësi në familje dhe plot bekim!”, thonë besimtarët. 

Pashkët kremtojnë ringjalljen e Krishtit dhe përmbyllin periudhën 7-javore të Kreshmëve, një kohë reflektimi dhe sakrifice për besimtarët e krishterë.

“Kam përgatitur një gatim tradicional nga Shkodra, përpeshk… tani bëjmë bekimin dhe më pas festojmë me familjen… nesër vazhdon festa", thotë një besimtare. 

Për shumë qytetarë, kjo festë mbart edhe kujtime nga periudha para viteve ’90, kur besimi praktikohej në heshtje.

“Në Shkodër festohej fshehur… edhe lëvozhgat e vezëve nuk i hidhnim jashtë, që të mos na shikonin…”, thotë një besimtare. 

Sot, në një realitet ndryshe, besimtarët e kremtojnë hapur këtë festë, duke përcjellë mesazhe shprese, paqeje dhe bashkimi.

Në kryeqytet, besimtarët mblidhen këtë mbrëmje në Katedralja e Shën Palit, ku mesha e vigjiljes nis në orën 21:45 dhe zgjat deri në orët e para të mëngjesit, duke kulmuar me shpalljen e lajmit për ngjalljen e Krishtit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:55
E shtuna e Madhe e Pashkës, besimtarët katolikë në kishën e Lezhës për bekimin e ushqimeve

Besimtarët katolikë në Lezhë janë mbledhur këtë të shtunë në Katedralen “Shën Nikolli” për të kryer një nga traditat më të dashura dhe më të rrënjosura të Pashkës, bekimin e ushqimeve. Në një atmosferë të ngrohtë shpirtërore dhe përgatitjesh festive, qindra familje kanë sjellë në kishë shportat me ushqimet simbolike, që do të konsumohen të dielën e Pashkës.

Besimtarët shprehen se kanë sjellë për të bekuar “të mirat që Zoti ua ka dhënë”, si një mënyrë falënderimi dhe mirënjohjeje, duke shtuar se lutjet dhe urimet e kësaj dite janë për të gjithë, për paqen, shëndetin dhe shpresën në çdo familje.

E shtuna para Pashkës përfaqëson përgatitjen e zemrës për festën e shenjtë, forcimin e besimit dhe ndarjen e të mirave me të tjerët. Ajo është një ditë e heshtur reflektimi, që i paraprin mëngjesit të shpresës dhe jetës së re – të dielës së Ringjalljes.