Sot është e Mërkura e Përhirtë e cila shënon ditën e parë të Kreshmës katolike, një periudhë 40-ditore lutjeje, agjërimi dhe solidariteti, e cila përfundon në perëndim të diellit të së Enjtes së Madhe.
Është një kohë përgatitjeje për të kremtuar ringjalljen e Krishtit gjatë Pashkës.
Gjatë Kreshmës, besimtarët e krishterë lexojnë vazhdimisht lutje, ndihmojnë të varfërit dhe ushtrojnë vetëpërmbajtje gjatë agjërimit duke hequr dorë nga lukset e jetës së përditshme për t’u lidhur më fort me besimin.
Në mesazhin e tij për nisjen e Kreshmës, Papa Leone XIV tha:
“Pikërisht sepse përfshin trupin, agjërimi e bën më të lehtë të kuptojmë për çfarë ‘kemi uri’ dhe çfarë e konsiderojmë të domosdoshme për jetesën tonë,” tha ai. “Për më tepër, ai na ndihmon të dallojmë dhe të rregullojmë ‘oreksin’ tonë, duke e mbajtur gjallë urinë dhe etjen për drejtësi.” Agjërimi, shtoi ai, na mëson të kontrollojmë dëshirat tona duke i pastruar, çliruar dhe zgjeruar ato.
Një nga rregullat e Kreshmës është që nuk lejohen përdorimi i mishit dhe i produkteve të tij, i peshkut, bulmetit, vezës, por hahen perimet, zarzavatet, frutat, frutat e detit, gatime e produkte brumërash, vera dhe vaji (përdorimi apo privimi i vajit e verës varet nga udhëzimet e atit shpirtëror).
Gjatë gjithë Kreshmës, kisha rekomandon pakësimin e sasisë së ushqimit që konsumoni çdo vakt dhe të mos hahet ndërmjet vakteve.
Nuk duhen ngrënë disa ushqime dhe pije si për shembull ëmbëlsirat, alkooli apo të ushtrohen zakone e varësi si duhani, televizori, rrjetet sociale.
Gjatë periudhës së Kreshmës duhet hequr dorë nga diçka e veçantë dhe në përgjithësi nga e keqja.
Duhet praktikuar falja, vetëkontrolli, mos të grindesh, debatosh apo fyesh të tjerët pasi në të kundërt, Kreshma nuk ka dobi.
Kjo theksohej edhe në mesazhin e Papës: “Le të fillojmë duke çarmatosur gjuhën tonë, duke shmangur fjalët e ashpra dhe gjykimet e nxituara, duke u përmbajtur nga shpifja dhe nga të folurit keq për ata që nuk janë të pranishëm dhe nuk mund të mbrohen,” tha ai. “Në vend të kësaj, le të përpiqemi të masim fjalët tona dhe të kultivojmë mirësinë dhe respektin në familjet tona, mes miqve, në punë, në rrjetet sociale, në debatet politike, në media dhe në bashkësitë e krishtera”, tha Papa Leone XIV.
Papa Leone XIV e përmbylli mesazhin e Kreshmës me një thirrje që bashkësitë e krishtera të kthehen në vende ku ata që vuajnë gjejnë mikpritje.
“Të kërkojmë forcën që vjen nga ai lloj agjërimi që shtrihet edhe në përdorimin e gjuhës sonë,” tha ai, “në mënyrë që fjalët e dhimbshme të pakësohen dhe t’i lënë vend më të madh zërit të të tjerëve”, përfundonte mesazhi i Papës.
Komente











