Kuqezinjtë zbresin sot në mbrëmje në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmund me ëndërrën për të bërë histori në Euro 2024, në ndeshjen e parë kundër Italisë fqinje.

Rreth 50 mijë shqiptarë mendohet se do të mbështesin Shqipërinë në stadium dhe mijëra të tjerëve të shpërndarë nëpër rrugët “fan zone” të Dortmund, të cilët pritet të elekstrizojnë qytetin me festën dhe mbështetjen për kombëtaren tonë. Festa ka nisur tashmë dhe rrugët e Gjermanisë ngjajnë si Shqipëri. Vala e tifozëve kuqezi ka “pushtuar” Dortmund.

Nuk mund të mungojnë veshjet tona tradicionale kuqezi, qeleshja e bardhë dhe flamuri, simbole që shoqërohen me muzikën dhe vallen tonë.

Por jo vetëm Dortmund, tupanat dhe qeleshet e shqiptarëve kanë pushtuar edhe Këlnin dhe festa e atmosfera kuqezi në Gjermani ndihet kudo.

Kombëtarja shqiptare shkon për herë të dytë në një kampionat europian, ndërsa goglat rezervuan për të një grup ferri, kundër Italisë, Spanjës dhe Kroacisë. Kuqezinjtë, trajneri Sylvinjo dhe e gjithë skuadra janë optimist për të dhënë më të mirën në fushë.

Emrat më të mirë të kombëtares janë në super formë dhe pritet të shkëlqejnë në ndeshjen që do të nis në orën 21:00 të mbrëmjes. Miliona shqiptarë nga e gjithë botës sot mbajnë frymën deri në sekondën e fundit të ndeshjes, me shpresën e një fitoreje që do të ishte historike.