FIER-Dy ditë pas ngjarjes në lagjen ‘8 Shkurti’ ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të lokalit të Agim Boriçit dhe u larguan me shpejtësi duke djegur makinën në lagjen "15 Tetori" ka folur për Report Tv pronari i lokalit. Ai ka deklaruar për Report Tv se nuk ka konflikte, bën një jetë të qetë, ndërsa nuk ka lidhje me fisin Boriçi në Lushnje, pas lajmeve në disa media që e lidhën me bandën e Lushnjes. E ndërsa nuk pranon të flasë para kamerave, ai tregon momentin kur qëlluan me armë në drejtim të lokalit, që ndodhet pranë një shkolle dhe fatmirësisht në ato momente nuk kishte nxënës apo mësues të pranishëm.

Nuk ruhem nga askush. Mendoj se ajo çka ndodhur nuk ka të bëjë me personin tim dhe familjen time. Ne jemi Boriçtë e Fierit dhe nuk kemi të bëjmë me Boriçtë e Lushnjës, që e kanë lidhur edhe me bandën e Lushnjës. Nuk jam person në kërkim dhe nuk kam probleme me drejtësinë. Jam babai i tre fëmijëve dhe bëj një jetë normale. Dua që drejtësia të nxjerrë në dritë të vërtetën. Kemi bashkëpunuar me policinë në cdo hap. Isha në lokal në momentin e ngjarjes dhe fatmirësisht nuk ka pasur nxënës e mësues. Nuk ka pasur shkëmbim zjarri, vetëm të shtëna nga jashtë. Jemi habitur çfarë kemi dëgjuar. Është abuzuar me ngjarjen dhe të përgënjeshtrohet pjesa e pavërtetë e historisë.

Agim Boriçi

Brenda  makinës së shkrumbuar të autorëve është gjetur edhe arma tip kallashnikov me silenciator me të cilën është shtënë në drejtim të lokalit të Agim Boricit. Makina është me targa greke YNK 1329, ende nuk ka të dhëna se kujt i përket ky automjet, ndërsa grupi hetimor po bën verifikimet për të zbuluar shkakun se për çfarë është qëlluar drejt këtij lokali.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:08
Shenjat e plumbave në Fier, fqinjët: Nëse do kishte fëmijë do ishte tragjedi, autorët janë ngatërruar

Report Tv sjell pamjet nga brenda lokalit në Fier ku duken shenjat e plumbave që terrorizuan pronarin dhe klientët që ndodheshin në atë moment, kur hapën zjarr para dy ditësh persona të armatosur dhe që më pas dogjën makinën për të humbur gjurmët.

E ndërsa pronari Agim Boriçi nuk pranon që të flasë para kamerave, fqinjët dhe të afërmit e tij shprehen se ai nuk ka probleme me asnjë person, ndërsa fatmirësisht në atë moment nuk kishte nxënës dhe mësues, pasi lokali ndodhet pranë një shkolle.

Ata kërkojnë që autorët të vendosen sa më parë para drejtësisë, ndërsa mohojnë lajmet në disa media se Agim Boriçi ka lidhje me bandën e Lushnjes.

Dëgjuam që qëlluan disa persona me automatik me 100 fishekë, këtu rrinë mësues dhe nxënës cdo mëngjes, fëmijët hanë byrekë, mund të kishte ndodhur katastrofë. Dëgjuam se ka lidhje me bandat, por mesa e njoh unë Agimin, ai është familjar i rregullt, shikon punën e tij, nuk ka probleme me asnjeri, se po të kishte nuk rrinte në verantë të pinte kafe me tuta sporti. Këta kanë mbiemër të njëjtë me ata Boriçët e Lushnjes, por nuk ka lidhje fare.  Nuk ka asnjë lidhje fare, ta jap me garanci të plotë. Ne cdo ditë rrimë këtu dhe pimë kafe. Unë kam frikë se janë ngatërruar.

Fqinji i Agim Boriçit

Agimi është njeri i thjeshtë që shikon punën e tij, nuk ka lidhje me atë që shkruhet se ka lidhje me bandat. Ai shikon punën e tij, këtu vijnë mësues dhe nxënës. Ata të Lushnjes janë Boriçë të tjerë, nuk ka lidhje me ata. Po të ishte i rrezikuar nuk do të ekspozohej kaq shumë.

Fqinji i Agim Boriçit

Agimi dhe ne nuk kemi lidhje me bandën e Lushnjes, kjo është një iluzion një gjë pa lidhje. Shteti duhet të marrë masa se ka goditur, në shkollë, shtëpi dhe lokal, se kishte nxënës dhe mësues. Ata kriminelë ata pisa goditën. Shteti duhet të marrë masa, Agimi ka ndihmuar të gjithë fukarenjtë. Po të kishte bërë dicka ai nuk do të dilte nga shtëpia, për mua është shumë i pastër, jo se është kushëriri im. Kryeministri të mendojë se këtu kishte mësues dhe nxënës brenda dhe të veprojë dhe ti gjejnë, se mund të ishin vrarë, fëmijë, mësues dhe të tjerë.

Kushëriri i Agim Boriçit



Prononcimi i fqinjëve dhe shenjat e plumbave në lokal