E vërteta e madhe e Shqipërisë dhe 15 dollarë e 54 cent në ditën e fundit të Faik Konicës!

E vërteta e madhe e Shqipërisë dhe 15 dollarë e 54 cent në ditën e fundit të Faik Konicës!

Lumi i Vjoses, tashme Park Kombetar

Sekretarja besnike e Faik Konicës, Charlotte Graham, pas vdekjes së shpejtë dhe të papritur të shqiptarit të mirënjohur, në mëngjesin e ftohtë të 15 dhjetorit 1942, në apartamentin e vogël ku Faik Konica jetonte me qira në Uashington, do t’i thonte kështu doktor Robert Odenit, kur ai e pyeti nëse Konica kishte familjarë dhe të ardhura si garanci për funeralin e tij: “Faiku kishte 15 dollarë dhe 54 cent në apartamentin e tij...”

Nëse lexojmë për Faik Konicën, si në librin e çmuar të Ilir Ikonomit, si dhe në të tjera biografi apo dëshmi të shkruara për shqiptarin më të famshëm të kohëve në SHBA, do të lexojmë një jetë plot kontradikta dhe konflikte publike, personale, si me Fan Nolin, sidomos me Kostë Çekrezin, aludime dhe flirtime me fashistët e Musolinit, marrëdhënie kontradiktore me Ahmet Zogun, letra anonime sulmuese mes bashkëatdhetarësh që bëjnë zhurmë në krahasim me thelbin: Një jetë në shërbim të çështjes shqiptare, të rimëkëmbjes së Shqipërisë.

Në bërthamën e të vërtetës së madhe, Konica ishte shqiptari i mrekullueshëm, i ditur, elegant, ndërtues i Shqipërisë së re, pronar i 3000 librave (sot të zhdukur), dhe 15 dollarë e 54 centëve. Kjo është e vërteta e madhe e tij.

E vërteta e tij përkon pikë për pikë me atë të Shqipërisë, e cila sot, po shpalos para vetë shqiptarëve, por edhe të huajve, bukuritë më të thella të saj: ujët e kulluar që nxjerr nga thellësia, malet si kurorë mbretërore, detet e një freskie e pastërtie transparente, lumenj e liqene të një thellësie dhe ngjyrash marramendëse. Kjo është e vërteta thelbësore e Shqipërisë, e cila bëhet gjithnjë e më e dukshme, sa herë që bijtë e saj e ulin polemikën, sherrin, goditjet e padrejta reciproke, që do t’i marrë era. E gjitha sa mbetet dhe do të mbetet kur flasim për Shqipërinë, është dhe do të jetë bukuria prekëse dhe mikpritja e shqiptarëve të thjeshtë, një tjetër bukuri kjo e rrallë, e ngrohtë, e vërtetë.

Të shkosh në thelbin e të vërtetës së njerëzve, por edhe të vendeve, nuk është përherë e lehtë. Zakonisht e tashmja i vesh të gjithë me tymnaja të panevojshme, me cmira e vogëlsira të tjera të veseve njerëzore. Eshtë e vërtetë që disa elita të plastifikuara, pasurigrumbulluese e zhurmëbërëse bëhen me zor protagonistë të së tashmes. E megjithatë, ka momente, si në këto vite në Shqipëri, kur qielli qartësohet dhe kush dëshiron, kush ka vullnet,  mund të shohë qartë dhe mirë të vërtetën e madhe: Shqipëria dhe shqiptarët janë përmirësuar!

Nuk duhet pritur si me të madhin Konica, pasvdekjen e tij, që të mësojmë se shumë njerëz përreth, vetë vendi ynë, është i një bukurie të rrallë, i një korrektësie mbresëlënëse, i një ringjalljeje epokale. Pyetja është e thjeshtë: Kush nga ne dëshiron të jetë dëshmitar i kësaj të vërtete të madhe?

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Besa: 06/08/2023 13:12

    Ashtu eshte. Kushdo qe ka vullnet, sic e kemi ne, e sheh kete te verteten e madhe te mbretit me rroba te arta....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë