E vërteta "lakuriq" e GFI-së

E vërteta
*(Vijon nga dje)
Edhe në këtë analizë (do të vijojë një tjetër më pas për markimin e naftës bruto), unë nuk e justifikoj/gjej dot deklarimin e kompanisë koncesionare, sipas së cilës “përmes punës së GFI Albania, buxheti i shtetit, gjatë vitit të fundit, i ka rritur të ardhurat me 60 milionë USD shtesë. Është e qartë se këto para janë zhvendosur nga xhepat e abuzuesve drejt buxhetit të shtetit” (!?) - thotë GFI.
 
Ku? Si? Kur?
Ka edhe një shifër “shpartalluese”, që vjen nga Departamenti i Akcizës i Doganave, kur sapo kishte filluar operacioni i anti-informalitetit. Ja si shkruan departamenti në fjalë: “Në markimin e importeve ka pasur një rezultat, i cili, sipas matjeve të DPD (Dep.akcizës), karburanti i gjetur i pamarkuar në pikat e pakicës është rreth 3.700 ton (?!)”.
Fakti: Në 2015 janë importuar 467 mijë ton karburante! 3.700 ton përbëjnë vetëm … 0.79% të sasisë totale! GFI mund të ketë shifra të tjera, le t’i tregojë!
 
“Kërcënimi” i GFI
Në 15 dhjetor 2015, GFI lëshon këtë deklaratë: “Dëshirojmë t’i bëjmë me dije opinionit publik se GFI Albania, një shoqëri e specializuar në markimin dhe monitorimin e hidrokarbureve, ndërpreu punën në Shqipëri më 10 dhjetor 2015 si pasojë e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore nga ana e Autoritetit Kontraktues (Ministria e Financave). Kushtet e marrëveshjes koncesionare të GFI Albania me Autoritetin Kontraktues parashikonin markimin dhe monitorimin e karburanteve, si dhe të naftës bruto, por Autoriteti nuk respektoi detyrimin ligjor dhe kontraktor të markimit të naftës bruto. Për rrjedhojë, GFI Albania ka punuar që nga viti 2013 vetëm me 30% të kapacitetit të planifikuar. Megjithë humbjet financiare të akumuluara gjatë këtyre dy viteve, ne jemi krenarë për kontributin tonë në luftën kundër evazionit fiskal:  • Sepse, përmes punës së GFI Albania, buxheti i shtetit gjatë vitit të fundit i ka rritur të ardhurat me 60 milionë USD shtesë, në një kohë që shumë tregues të tjerë fiskalë kanë pësuar rënie;
• Sepse kemi zbuluar dhe i kemi raportuar me prova Autoritetit Kontraktues që disa qindra pika karburanti në vend furnizonin qytetarët me karburante kontrabandë apo të përziera, duke shkaktuar kështu, jo vetëm humbje fiskale, por edhe dëme për ambientin, mjetet motorike dhe shëndetin publik;
• Sepse i kemi vënë në duar Autoritetit Kontraktues një instrument të teknologjisë së lartë, që duhet të përdoret për të luftuar evazionin fiskal edhe në sektorin e naftës bruto, që vlerësohet të jetë në nivelin e 70 milionë dollarëve në vit!
Sqarojmë gjithashtu opinionin publik se, përkundër aludimeve të shprehura në media gjatë këtyre ditëve, ndërprerja e shërbimeve nuk ishte aspak e beftë”! - sqaronte kompania GFI.
Konflikti u zgjidh shpejt, por ai tregoi se si një kontratë e dyshimtë arrin të cenojë interesat kombëtare të një vendi.
Unë përsëri nuk them dot “fali Zot se nuk dinë çfarë thonë!” Vazhdojmë!
 
Pse humbet koncesionari?
Përgjigjet e sakta i gjen në një takim të zhvilluar (me porosi të KM) në datën 21 korrik 2015 në ambientet e ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, ku u zhvillua takimi i tretë me operatorët e prodhimit të naftës (në këtë takim merrnin pjesë edhe ministria e Financave dhe koncesionari i markimit të naftës “Global Fluids International Albania” (GFI). Sipas burimeve zyrtare, në qendër të takimit ishte mundësimi i bashkëbisedimit të gjithë palëve, që e kanë fushë mbulimi sektorin hidrokarbur dhe në qartësim të praktikës zbatuese të procesit të markimit të naftës bruto.

Këtu duhet një retrospektivë. Dhe kjo ka të bëjë me markimin e naftës bruto, për të cilin kompania koncesionare thotë se “Autoriteti Kontraktor (Ministria e Financave) nuk respektoi detyrimin ligjor dhe kontraktual të markimit të naftës bruto”. Pse ka ndodhur kjo dhe a ka “dorë” në këtë bllokim ministria e Financave?
Në Vendimin nr. 498, datë 30.05.2013 (vini re sa afër është kjo datë me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare!) “Për caktimin e procedurave të shënjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës”, në nenin 5.4, thuhet tekstualisht: “… Specifikisht, shërbimi i shenjimit të naftës bruto mund të realizohet vetëm kur nafta bruto është në gjendje të lëngshme. … Për këtë arsye, subjektet e detyruara, që disponojnë naftën bruto, kanë detyrimin të përgatisin naftën bruto për shërbimin e shenjimit, duke e kthyer atë në gjendje të lëngshme me anë të praktikave të njohura, të zbatueshme në industrinë e naftës. Mospërmbushja nga subjektet e detyruara të kërkesave teknike, që bëjnë të mundur realizimin e shërbimit të shenjimit dhe, veçanërisht, refuzimi për të mbajtur naftën bruto në formë të lëngshme për kryerjen e shërbimit të shënjimit, do të konsiderohen pengesë e qëllimshme e realizimit të shërbimit të shënjimit nga ana e subjekteve të detyruara” - thotë qeveria.
 
Po subjektet çfarë thonë?
Shoqëritë e kërkim - prodhimit kanë shprehur shqetësimet e tyre, nisur edhe nga komunikimi me koncesionarin e markimit, për: 
(a) dhënien e përgjigjeve dhe qartësimin e gjithë pyetjeve që kanë kërkuar në lidhje me procese teknike dhe procedura veprimi. (Përfaqësuesit e koncesionarit GFI u shprehën se këtë ekskluzivitet e kanë vetëm ekspertët e huaj, që kërkojnë të paktën një javë kohë për të dhënë përgjigjet për pyetjet e bëra).
(b) mosdhënie të garancive për produktin e saj të markimit. Shoqëritë e bazojnë qëndrimin e tyre te argumenti se substanca markuese nuk ruan vetitë e saj fiziko-kimike, pasi nafta bruto shqiptare qarkullon në temperatura deri në 80 gradë, ndërsa, sipas kompanive të kërkim-prodhimit, shenjuesi i GFI përdoret në 40-60 gradë. Në vijim të testimit të shënjuesit, pretendohet se është e pamundur të realizohet procesi i markimit në depozitat e naftës bruto me një kapacitet që varion nga 1.500 m3 – 3.000 m3, duke marrë parasysh vetitë fiziko-kimike të naftës bruto, që përmbajnë shtresat e vendburimeve të Shqipërisë, të cilat karakterizohen si nafta me viskozitet të lartë.
(c) mungesë komunikimi (referuar korrespondencës me kompanitë, sepse, sipas “Bankers Petroleum”, nuk ka marrë asnjëherë përgjigje të kërkesave) dhe mangësi etike në komunikimin verbal, duke e vendosur veten në raport me shoqëritë e prodhim-kërkimit në pozitën e kontrolluesit të produkteve të tyre.
(d) mungesë transparence dhe konflikt interesi të koncesionarit në raport me shërbimet që kërkon të kryejë, ku, nga njera anë do të bëjë markimin e naftës bruto dhe në hapin tjetër pasues do të bëjë kontrollin e këtij markimi. Në kushtet kur shoqëritë prodhuese nuk kanë asnjë informacion në lidhje me përmbajtjen fiziko-kimike të shënjuesit ndihen të ekspozuara nga integriteti i GFI gjatë kryerjes së shërbimit.

(e) shoqëritë e prodhimit konfirmojnë se procedurat e markimit (zgjatje në kohë nga procedura), në rastin më të mirë të zbatimit të tyre, do të pengojnë procesin e shitjes, i cili është shumë operativ, në përshtatje me kërkesat e tregut të eksportit dhe përshtatje me kapacitetet transportuese detare.
(f) shoqëritë e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve (Bankers Petroleum; Transatlantic; Transoil; Phoenix; Sherwood; Shell-Petromanas)  pranuan që GFI të testojë markimin e naftës bruto në vendburimet e tyre, propozim, të cilin GFI pranoi që ta vlerësojë dhe të kthejë një përgjigje.
Por GFI nuk mundi të kishte një përgjigje. Kompania ka dorëzuar në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris dosjen e përgatitur kundër qeverisë shqiptare, ku kërkon një dëmshpërblim prej disa qindra milionë eurosh. Dhe nuk ndalon këtu, por, në zbatim të klauzolës së stabilitetit në kontratat me shoqëritë e kërkim - prodhimit, këto të fundit do të kërkojnë që të gjithë kostot e markimit të zbriten nga detyrimet, që duhet të llogaritin dhe paguajnë për buxhetin e shtetit.
Ky fakt përbën një kosto në buxhet në raport me përfitimet nga markimi i naftës bruto.
 
Humbjet i paguan edhe konsumatori
Kontrata koncesionare e markimit të karburanteve ka qënë “e kopsitur” në mënyrë të tillë, që të mos kishte mundësi të cekej askund. Vendimi i qeverisë e forconte këtë kontratë, sepse, nëpërmjet aneksit të tij, i krijonte mundësi koncesionarit të markonte manualisht. Nga 11 terminale, ku do të kryhej markimi, vetëm në njërin prej tyre (terminali i ngarkimit i “Bankers Petroleum” në Fier) bëhej markimi automatik. Te të gjithë të tjerët, markimi ishte manual dhe tërësisht abuziv. Kjo, sepse, gjatë procesit të markimit të naftave të bardha, markimi manual sjell probleme, që lidhen me me ekzistencën e gabimit njerëzor.
Ndërkohë, është i pamundur testimi i markimit dhe çertifikimi i tij menjëherë, pasi përzjerja bëhet gjatë lëvizjes së mjetit (shumë kompani janë në gjykatë me Doganat për këtë çështje). Po ashtu, markohen vetëm me një shenjues të gjitha produktet e naftës, pavarësisht çmimit apo përdorimit. Kompania koncesionare indirekt ka zvogëluar luftën kundër evazionit, pasi mund të përzihen produkte me çmime të ndryshme, si solar me naftë, apo holluesi D2 me naftë D1, duke shmangur një pjesë të taksave, si dhe duke ndikuar tek cilësia. Monitorimi nuk jep asnjë rezultat për të tilla përzjerje!

Bëhet aq banale kjo kontratë dhe vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave, pasi aktualisht ka një kundërshtim midis ligjit të akzicës, i cili lejon vetëm markimin e karburanteve të përjashtuara nga taksat dhe VKM-së së markimit, e cila kërkon markimin e karburanteve që nuk janë të përjashtuara (?!?!).
Pas gjithë këtyre, duhet pyetur: A ka potencial markimi dhe monitorimi edhe i naftës bruto për të gjeneruar të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit?
 
Disa konkluzione përpara Arbitrazhit
Shikohet që përfitimet për vitin e parë mund të jenë midis 26.9 milionë dollarë, deri në 42 milionë dollarë. Ndërkohë që kostot e markimit janë 7.2 milionë, deri në 9 milionë USD në vit. Përfitimet marxhinale (rritja nga viti në vit) do të ulen edhe tek markimi i naftës bruto me ritme të shpejta. Pra, do të kemi të njëjtën sjellje si tek karburantet. Për naftën dhe nënproduket e saj që prodhohen dhe shiten në vend, markimi i naftës bruto, si lëndë e pare, 6 USD/ton dhe markimi i produktit të gatshëm me 6 USD/ton e çon barrën për ton në 12 dollarë.

Markimi i naftës bruto e bën fizibël kontratën për koncesionarin, pasi, vetëm nga markimi i naftës bruto, merr tri herë më shumë se sa nga markimi i karburanteve. Por GFI duhet të përdorë dy markues për naftën bruto: një për naftën që eksportohet dhe një për naftën që përpunohet në vend. Pasi, edhe çfarë paguhet në buxhetin e shtetit ndryshon për naftën bruto dhe eksportin. Që do të thotë se, për të gjitha llojet e markimit, duhet të përdoret injektim automatik, jo manual; duhet të përdoren disa lloj shenjuesish për produkte dhe nënprodukte të ndryshme, në mënyrë që të rriten efektet e markimit. Kjo do të thotë, gjithashtu, rinegociim i kontratës, apo humbje në Gjykatën e Arbitrazhit të Parisit në vlerën mbi 250 milionë euro!

Në këto kushte, duke njohur këto vështirësi, GFI “rebelohet”, siç ndodhi më 10 dhjetor 2015, kur bllokoi lëvizjen e mjeteve dhe furnizimin ditor të pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve (ligjvënësi ia jep këtë mundësi ligjore sipas nenit 4.1, pika a) të VKM së sipërcituar, ku thuhet se “asnjë nga produktet e shënjimit nuk do të tregtohet në tregun e Republikës së Shqipërisë apo eksportohet jashtë tij, nëse nuk i është nënshtruar më parë shërbimit të shënjimit të ofruar nga koncesionari”) ?!. Apo edhe sepse, sipas të njëjtës VKM, “Autoritetet doganore apo tatimore, sipas rastit, nuk do të pranojnë shlyerjen e detyrimeve fiskale nga subjektet e detyruara sipas këtij vendimi, përpara se këta të fundit të kenë kryer shërbimin e shenjimit mbi produktet e tyre” (!)
Koncesionari GFI e di se norma marxhinale e përfitimeve në buxhet do të pësojë ulje drastike, ndërkohë që kostot që përballon publiku dhe buxheti do të jenë me ngritje, sikundër GFI këmbëngul, që vetëm markimi i naftës bruto e bën fizibël kontratën, pasi zë 60-70% të të ardhurave të kontratës.
 
Heshtja e zgjatur e autoriteteve
Marrja me koncesion e një shërbimi të tillë, tarifat e vendosura në mënyrë abuzive dhe, sidomos, madhësia e tregut prej rreth 2.3 milionë tonësh product, nuk mund të mos sillnin reagimin e importuesve. Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, një asociacion që grupon kompanitë më elitare të importimit dhe tregtimit të hidrokarbureve, reagoi, duke kërkuar shpjegime për këtë koncesion, për të cilin as që ishte pyetur. Bëhej fjalë për një treg, që siguronte një fitim jo më të vogël se 15 milionë euro, kur kostot ishin qindra herë më të ulta.  

Argumentat ishin në tavolinë:
a) Në qoftë se tarifa për shërbimin e kësaj kompanie do të paguhet nga kompanitë importuese, gjykojmë se duhet një konsultë ekspertësh për të vendosur këtë tarifa. Si bëhet kjo sot në vendet e BE-së?
i) Nafta dhe benzina, që është për tregun e automjeteve, në mënyrë kategorike nuk ngjyroset më, pasi në treg, (sipas standardeve të BE-së, të cilat i kemi përshtatur plotësisht edhe ne), ka vetëm një markë nafte që është gazoil 10 ppm (ose sipas standardit europian ULSD 10 ppm) dhe një lloj benzine (ose në gjuhën ndërkombëtare ANLD 10 ppm), minimum 95 ron. 
ii) Nga tregu i automjeteve janë hequr gjithë artikujt e tjerë dhe është lënë që ky karburant, për këtë destinacion, do të jetë pa ngjyrë. Dhe kjo për dy arsye: 1) çdo lëndë tjetër e huaj, që mund t’i shtohet karburanteve në tregun e shitjes me pakicë, dallohet lehtësisht nga autoritetet e kontrollit të cilësisë, pasi ky karburant merr një lloj nuance tjetër, të ndryshëm nga ajo standarde dhe 2) pigmenti që përdoret për ngjyrim është kimikat, që ka rezultuar i dëmshëm në procesin e djegies.
iii) Karburantet që përdoren me destinacion, si bujqësia, peshkimi, ngrohja, përpunimi industrial etj, janë karburante me cilësi tjetër nga ajo e automjeteve, vartësisht nga politikat e qeverisë, mund të trajtohen me/pa akcizë për secilin destinacion; përcaktohet një ngjyrë e veçantë për t’u dalluar nga organet e kontrollit në treg, nëse ndërron destinacioni. Në këtë rast, në të gjitha vendet e BE-së nuk përdoret një kompani e veçantë për të bërë markimin, ngjyrosjen, nuk detyrohen operatorët që t’ia blejnë këtë shërbim, por kompania që do të tregtojë këtë lloj produkti ka për detyrë ta sjellë në ngjyrën e përcaktuar me ligj. Përndryshe, nuk mund të hyjë në treg. Në këto raste, kompania, që do të sjellë - supozojmë - naftë për industrinë, është e detyruar, sipas ligjit, të porosisë në rafinerinë ku bën ngarkesën, nëse për këtë artikull duhet të jetë ngjyra e kuqe, bile përcaktohet me numra (e kuqe 1, 2, 3, 5), e porosit vetë në rafineri dhe rafineria për këtë shërbim nuk kërkon një kosto më të lartë se 0.1 USD/ton.
 
Pretendimi i importuesve
Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure (SHSHH) nuk e fitoi dot gjyqin kundër GFI në Kushtetuese. Kjo është një histori më vete dhe unë nuk do të shkruaj tani për të. Por, po shtoj se, sipas kësaj Shoqate, “ky koncesion paraqet në vazhdimësi pengesa në ushtrimin e aktivitetit në këto drejtime: Markimi i produkteve që shkon në eksport krijon problem tek vendet pritëse, pasi nuk e njohin si element; Në rastet kur një subjekt nuk është dakort me rezultatin e monitorimit, nuk ka të drejtë dhe as mundësi verifikimi; Produkti që ky koncesionar përdor si markues nuk e di askush se çfarë përmbajtje ka, nëse paraqet rrezik për njerëzit dhe automjetet (ky është i vetmi produkt që importohet pa u analizuar apo çertifikuar në vend); Nga verifikimi në vend rezulton që, me mënyrën që ky koncesionar kryen injektimin, nuk arrin që markuesi të shpërndahet në mënyrë uniforme. Pra, nuk e realizon dot procesin e markimit dhe, për pasojë, në çdo rast ka dështuar me monitorimin (ka gati një vit që nuk kryen monitorim, por vetëm merr tarifën përmes dhunës që i garantojne dy VKM-të e qeverisë).

Sipas SHSHH, rezulton se roli i këtij koncesionari në rregullimin sadopak të tregut është zero. Ngritja e tarifave mbi karburantet nga viti 2013 deri sot dhe rritja e konsumit çdo vit simbas rritjes ekonomike, nuk mund t’i njihet si meritë këtij koncesioni, siç kërkon vetë ai t’ja shesë publikut, sëbashku me shumë të tjerë përfitues të pamerituar koncesionesh - deklaron Shoqata e mësipërme.
 
Ca llogaritje për të parë ku… vidhet!
Nëse në Shqipëri regjistrohen 2.3 milionë ton karburantesh për automjete, traktorë, trena etj, por edhe për pëpunim dhe kosto e markimit-ngjyrosjes është 0.1 USD/ton, atëherë përse duhet që shqiptarët (por edhe bizneset) të paguajnë 15 milionë euro për GFI-në? Kompania ka planifikuar të investojë gjithsej për 10 vjet të kontratës koncesionare, vetëm 4 milionë euro?! Shtoj se kompania “Global Fluids International” përfitoi nga qeveria, në gusht të vitit 2011, bonusin 6 për qind, për shkak të paraqitjes së pakërkuar të ofertës! Kompania ka vendosur një ofertë prej 614 lekë/1.000 litra karburant. A ka një tarifë të tillë ndokund? Dhe nuk është se atë do ta paguajnë në fund të ditës kompanitë hidrokarbure. Kjo transferohet e plotë në çmimin e produktit, sikundër ndodhi me taksën e qarkullimit të mjeteve, me taksën e karbonit, etj etj. Kjo është logjika normale! Askush nuk hyn në treg për të humbur. Në rastin tonë, doemos ka një humbës dhe ky është konsumatori shqiptar. Kjo ishte një gjë jonormale, pasi, duke u nisur nga pasqyrat e bilanceve të kompanive importuese, në shitjet me shumicë, në asnjë rast ato nuk arrijnë të garantojnë një fitim prej 5 euro/ton, megjithë investimet që kanë bërë për këtë sektor.

Zgjidhjet janë mbi tavolinë dhe, në dijeninë time, ekspertët po ofrojnë disa zgjidhje. Ajo që duhet bërë është prishja përfundimtare e kontratës me GFI-në. Penaliteti që do të vijë nga Gjykata e Arbitrazhit në Paris, (duke e paragjykuar se vendimi do të jetë në disfavor të qeverisë shqiptare) mund të paguhet me përgjysmimin e tarifës së sotme prej 614 lekë/1.000 litra, në më pak se 10 vjet, sa është koncesioni i GFI. Do të shpëtojmë nga prepotenca e një kompanie që vjen nga hiçi, do të mundësojmë që mafiozë të parajsave fiskale të mos i marrin këto të ardhura, do të sigurojmë një performancë më të mirë për IQTI, (që Berisha nuk arriti dot ta jepte me koncesion, sipas deklarimit të bërë prej tij), por do të relaksojmë biznesin importues dhe atë të prodhim-kërkimit, që paguante dhe paguan ende për një shërbim që, ose nuk e merr, ose e merr në mënyrë abuzive. Dhe këtu kam një pyetje: Ka ndonjë shqiptar që beson e pranon se, mbas vitit 2013 (kur u “shfaq” GFI) cilësia e karburanteve në Shqipëri është përmirësuar? Ka ndonjë shqiptar tjetër që të mund të tregojë se si një koncesionar, i krijuar si bashkim i përkohshëm kompanish, të tjetërsojë aksionet dhe të rrisë kapitalet (me një kontratë si bashkim i përkohshëm kompanish)? Të rrisë vlerën e aksioneve, ndjeshëm, pas fitimit të kontratës me qeverinë shqiptare, fillimisht nga 3 cent, në 5 cent dhe, më pas, në 16 cent në mes të vitit 2015?

Të zvogëlojë humbjet për shkak të kontratës së nënshkruar me shtetin shqiptar, nga 1 milion dollarë humbje në vitin 2012, në 0.2 milion dollarë në fund të vitit 2013? Të rrisë të ardhurat nga 3.8 milionë dollarë në 2012, në 4.9 milionë dollarë në vitin 2013. Të transferojë pothuajse të gjitha kuotat që kishte te aksioneri i dytë “Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP)”, i cili kishte fillimisht 25% të kuotave dhe u bë me “99.93”, duke qënë ofertë e pakërkuar?
Dhe, në fund fare, të kërkojë miliona euro në Gjykatën e Parisit?!
Ka një logjikë. Çfardo kosto të ketë gjykimi, kontrata duhet mbyllur njëherë e mire, për të mos bërë gabime si ato me koncesionarët e skanimit, të pullave fiskale apo të pasaportave biometrike.

Të paktën njëherë duhet t’i biem drejt e drejt!
 
*) Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë
 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë