TIRANË - Dinamo ka marrë tri pikët e para në fazën “Final 4” të Superligës, pasi mposhti Vllazninë me rezultatin 0-2 në stadiumin “Air Albania”.

Sfida nisi me ritëm të lartë dhe me Vllazninë më kërkuese në minutat e para, ku Mala dhe Balaj provuan të rrezikonin portën e Kirit, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës. Edhe Dinamo reagoi me Qardakun dhe Vilën, ndërsa pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.

Në fraksionin e dytë loja fitoi më shumë intensitet, me të dyja skuadrat që krijuan raste të mira shënimi. Moment kyç i ndeshjes ishte minuta e 69-të, kur Bajrami u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë Vllazninë me 10 lojtarë.

Dinamo përfitoi nga epërsia numerike dhe kaloi në avantazh në minutën e 77-të me Malomon, që finalizoi një aksion të rrjedhshëm të bluve. Në minutat shtesë, teksa Vllaznia ishte hedhur e gjitha në sulm, James vulosi suksesin e Dinamos me golin e dytë në një kundërsulm të shpejtë.

Me këtë fitore, Dinamo e nis në mënyrën më të mirë fazën finale të kampionatit duke shkuar në kuotën e 27 pikëve, ndërsa Vllaznia mbetet me 31 pikë pas ndeshjes së parë në “Final 4”. Trajneri Ilir Daja nuk ishte në stol për Dinamon, kjo pasi është pezulluar me katër ndeshje nga Disiplina për shkak të kartonit të kuq të marrë në finalen e Kupës të fituar 3-2 kundër Egnatias.

Ajo që u vu re ishte numri i ulët i tifozëve për një ndeshje të tillë të vlefshme për fazën finale të sezonit.

Superliga, kalendari i fazës 'Final 4':

Java 1

Vllaznia 0-2 Dinamo, 16.05.2026 19:00

AF Elbasani vs Egnatia, 17.05.2026 19:00

Java 2

Vllaznia vs Egnatia, 23.05.2026 19:00

AF Elbasani vs Dinamo, 24.05.2026 19:00

Java 3

Egnatia vs Dinamo, 29.05.2026 19:00

Vllaznia vs AF Elbasani, 31.05.2026 19:00

*Të gjitha ndeshjet e 'Final 4' do të luhen në stadiumin 'Air Albania' në Tiranë.

Renditja e 'Final 4':