GJIROKASTËR- Pas vizitës së djeshme, eurodeputetja greke Eleni Theocharous ka vizituar sërish ditën e sotme banesën e ekstremistrit grek të vrarë në Bularat të Gjirokastrës pasi qëlloi mbi forcat RENEA, Konstandinos Kaçifas.

Ndryshe nga dje, eurodeputetja ishte veshur me të zeza dhe me një tufë lule në dorë ka zhvilluar një bisedë më të ëmën e Kaçifas, Vasilinë.

Gjatë bisedës, videoja e të cilës është publikuar në mediat greke, nëna i ka thënë eurodeputetes:

Dua të më kthejnë djalin. Të ma sjellin sa më shpejt. Pse e mbajnë atje? E justifikoj tim bir. E justifikoj tim bir. Çfarë bëri ai? Vendosi 5 flamuj grekë në fshat. E donte vendin e tij, fshatin e tij. Të jetojmë me frikë për jetën tani?

Vasilia Kaçifa, e ëma e ekstremistri grek 

Eurodeputetja i është përgjigjur se as ajo nuk e dinte se çfarë po kërkonin autoritetet shqiptare.

Unë nuk e di se çfarë po kërkojnë. Ta varrosin në burg? Regjimi i terrorit dhe kërcënimit, apo edhe mohimi i dinjitetit nuk na lejon që ne të qëndrojmë të heshtur për këtë ngjarje.

Eleni Theocharous, eurodeputete

Konstandin Kacifas u vra nga RENEA ditën e diel pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, pasi nuk pranoi që të dorëzohej. Ai fillimisht hapi zjarr ndaj policisë lokale në Gjirokastër më pas u arratis në malin e Bularatit ku u vra.

Ngjarja ka shkaktuar tension mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërsa trupi i ekstremistit ndodhet në morgun e QSUT në Tiranë për ekspertizë të detajuar. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:55
'Nuk ua pranon njeri këtë sjellje'/ Eurodeputetja greke: Vrasja e Kaçifas do t'ju hapë probleme me anëtarsimin në BE

Eurodeputetja Eleni Theocharous në një deklaratë për mediat shqiptare ka dënuar edhe njëherë vrasjen e ekstremistrit grek, Konstandinos Kaçifas duke kërcënuar autoritetet shqiptare.

Sipas saj, të gjithë në Parlamentin Europian e kanë marrë vesh ngjarjen dhe e kanë dënuar dhe se kjo kjo vrasje do t'i hapë probleme Shqipërisë në rrugën e anëtarsimit të saj në Bashkimin Europian.

Po luftoj që të ndihmoj Shqipërinë që të anëtarësohet në BE. Por kjo gjë nuk bëhet me derdhje gjaku. Në vend që ta vrisnin le ta arrestonin. Kjo situatë do të shkaktojë jo pak probleme me procesin e tyre të anëtarsimit. Askush nuk do ta pranojë mënyrën tuaj të të sjellurit. T'ja çojnë trupin familjes për varrim. Dijeni që kjo ngjarje do të influencojë tek të gjithë pjesëtarët e BE-së.

Eleni Theocharous, eurodeputete 

Fjala e plotë e Eleni Theocharous: 

E quaj veten një aktiviste të të drejtave të njeriut pasi kam kaluar gjithë jetën duke punuar me persona në nevojë nga e gjithë bota.

Kjo është arsyeja që jam këtu sepse janë dhunuar të drejtat e minoritetit grek. Pas ngjarjes së tmerrshme të vrasjes së Kaçifas, unë besoj se ne kemi të drejtë të investigojmë të gjitha provat.

E dënoj mënyrën se si media shqiptare më ka portretizuar. Unë nuk jam ekstremiste. S’jam as fashiste. Jam aktiviste e të drejtave njerëzore. Në Parlamentin Europian të gjithë e dinë. Po luftoj që të ndihmoj Shqipërinë që të anëtarësohet në BE. Por mesazhi im për shqiptarët është që me derdhje gjaku nuk e arrini dot këtë. Ata kanë të drejtë për një gjyq të drejtë.

Në vend që ta vrisnin le ta arrestonin. Kjo situatë do të shkaktojë jo pak probleme me procesin e tyre të anëtarsimit. Askush nuk do ta pranojë mënyrën tuaj të të sjellurit. T'ja çojnë trupin familjes për varrim. Kjo sjellje do të influencojë të gjithë pjesëtarët e BE. Po të isha si ata do të thoja pse po e mbajnë akoma trupin në morg. Por s’kanë asnjë arsye.