TIRANE - Për herë të parë një gjykatë shqiptare merr vendim kundër nxitjes së urrejtjes dhe dhunës e fyerjeve të simboleve kombëtare. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta mëson ekskluzivisht, se Gjykata e Gjirokastrës ka dënuar me 8 vjet e 6 muaj burg Mondi Kolillën, kryetar i Lëvizjes për Ringjalljen e Vorio Epirit.

Gjithçka lidhet më një aktivitet të 12 majit 2018 në fshatin Bularat të Bashkisë Dropull, në rrethin e Gjirokastrës. Nën organizimin e Kolilës, është mbajtur në afërsi të shkollës së mesme të fshatit një tubim, pa lejen e autoriteteve, për përvjetorin e Protokollit të Korfuzit dhe autonominë e Epirit të Veriut, për luftetarët e rënë në vitin 1914.

Në këtë tubim kanë qënë të pranishëm rreth 30 persona ku shumica prej tyre kanë ardhur nga Greqia si dhe pjestar të komunitetit të fshatrave të Bashkisë Dropull kryesisht të fshatit Bularat.

Organizatori këtij tubimi Mondi Kolila ka mbajtur fjalime në lidhje me të ashtëquajturën çeshtje të Vorio Epirit ku janë shpërndare, libra në gjuhën greke që paraqesin rrethana e fakte historike disinformuese në lidhje me këtë çështje që nxisin urrejtje ose grindje midis kombësive racave dhe fesë. Gjithashtu gjatë tubimit janë shpalosur dy flamuj grek me mbishkrimin 1914 (flamuj të Vorio Epirit), të cilët janë hequr mbas mbarimit të këtij aktiviteti, i cili ka zgjatur rreth 45 minuta.

Në vitin 2018 Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur hetim pas materialeve referuese nga Drejtoria e Antiterrorit. Vendimi i dënimit të tij me 8 vjet e 6 muaj është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër më 11 shkurt të 2021-shit. Vendimi nuk është i formës së prerë ndërsa avokatët e tij do e apelojnë këtë vendim. Aktualisht nuk ka asnjë masë sigurie ndaj Mondi Kolilës.

58-vjeçari Mondi Kolila, lindur e banues në Himare me shtetësi shqiptare e kombësi greke është dënuar për veprat penale “Nxitje e urrejtjes ose  grindjeve”, “Shpërndarje e shkrimeve antikushtetuese” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestimeve të paligjshme”.  Megjithatë, ai nuk është vënë në pranga, pasi pas protestës është larguar në greqi dhe nga ajo ditë nuk ka ardhur më në territorin shqiptar.

1613649407_16136473143234913516105291623972172943084467947831296o1024x768.jpg

Mondi Kolilla, kryetar i Lëvizjes për Ringjalljen e Vorio Epirit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:50
Dënimi i kryetarit të Lëvizjes për Ringjalljen e Vorio Epirit/ Ky është aktiviteti ku u fyen simbolet e Shqipërisë, videoja u filmua nga Kostandin Kacifas

Mondi Kolila, kryetar i Lëvizjes për Ringjalljen e Vorio Epirit është i dënuari i parë në Shqipëri për fyerjen e vendit dhe simboleve kombëtare. Bëhet fjalë për një aktivitet të zhvilluar në 15 maj të 2018. Report Tv ka raportuar më herët se me flamuj dhe simbole të vorio-epirit, grupi i udhëhequr nga Mondi Kolila festoi në tokën shqiptare pushtimin e jugut organizuar nga aktivistë grekë të "Lëvizja për Ringjalljen e Vorio-Epirit", të lidhur me nazistët e "Agimit të Artë".

Në tubim kishte edhe shtetas grekë të ardhur nga Athina, Selaniku, Janina dhe Igumenica. Organizimi u bë në bashkëpunim me Bashkinë Dropull, ku të pranishëm ishin kryetari i bashkisë, Arqile Deçka, nënkryetari dhe përgjegjësi i kulturës.

Simbolet verio-epirote u vendosën në muret e ndërtesës së Qendrës Kulturore të Dropullit, por nuk qëndruan  aty më shumë se disa orë pas aktivitetit festiv të ekstremistëve grekë. Kjo pasi rreth orëve të para të mëngjesit të 16 majit 2018, aktivistë dhe veprimtarë të Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar (LSHB) me në krye kreun e grupit, Kastriot Berisha (Tahir Veliu), hoqën simbolet greke duke i zëvendësuar ato me simbolet shqiptare. Videoja e këtij aktiviteti u publikua në rrjete sociale nga Konstantinos Kacifa, ushtari ekstremist grek që u vra në Bularat në 28 tetor 2018.