Tritoli prej vërteti është bërë si buka e përditshme për shqiptarët në këto gati 25 vjet demokraci. Si kur Sali Berisha është në pozitë, ashtu edhe kur ai është në opozitë, vazhdimisht luhet vallja tragjike e tritolit. Askush si dhe sa Sali Berisha nuk e meriton më shumë emrin “Sali Tritoli”. A nuk e dëshmoi qartë e me fakte të shumta këtë dukuri tragjike ish-truproja e tij në një intervistë? 

Tritolin prej vërteti, të njohur si TNT, e bën edhe më të zhurmshëm dhe më të rrezikshëm tritoli verbal i regjisorit dhe urdhëruesit të tij Sali Berisha. Çështja arriti deri aty, sa të sulmohej edhe babai i ministrit të Brendshëm, më aktivi dhe më i suksesshmi i qeverisë ‘Rama’, Saimir Tahiri. Mesazhi, jo vetëm politik, por edhe fizik, merr përmasa shumë më të rënda e tragjike për popullin e thjeshtë. Pasiguri… Panik… Ankth….

Lemeri!
Pa u shuar jehona e tij, Berisha dhe banda e tij mafioze përdori e shpërtheu edhe tritolin verbal nëpërmjet një tellalli të tij me emrin Tom Doshi. Pasi dështoi shantazhi i tij i mirëfilltë politik, Tom Doshi, me porosi dhe, pse jo, me urdhër të Berishës, akuzon Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë se kishte porositur dhe paguar për vrasjen e tij, pa dhënë asnjë provë ose dëshmi për motivin e tij. 

Jo vetëm kaq! Të gjitha dëshmitë e Tom Doshit u hodhën poshtë, jo vetëm nga kolegët e tij, por edhe nga dëshmitari i tij “vrasës me pagesë”. “Asgjë nga ato që thotë Tom Doshi nuk është e vërtetë… Ai më ka paguar dhe më ka vënë revolverin mbi kokë për të bërë deklarata të tilla”, pohon dëshmitari dhe asi nën mëngën e Doshit.

Në vend që të heshtë dhe të tërhiqet me bisht në shalë për dështimin e turpshëm të komplotit të tij dhe të Mafias, jo vetëm shqiptare, por edhe serbe, greke… Sali Tritoli dhe banda e tij e gangsterëve, siç e kanë cilësuar qysh në pranverën e vitit 1997 gazetat më në zë të Londrës, mësyjne dhe pushtojnë foltoren e altarit të demokracise. Kërkojnë dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta. 

Synimi i vërtetë dhe kryesor, si i përrallave me mbret të Tom Doshit, edhe i hyxhymit të Berishës dhe i Mafias, jo vetëm shqiptare, është ndalimi i reformave jetike për vendosjen e shtetit ligjor dhe shtetbërjen jetike për të sotmen e të ardhme n e Shqipërisë me hir a me pahir, sa i lemerisi dhe largoi nga salla ambasadorët e BE-së. Tamam një gjuhë tritoli, që askush nuk e zotëron më barbarisht se Sali Berisha.

I lemerisi me tërbimin e tij jo për Tom Doshin, që ishte deputet i tij fillimisht... Sali Berishës as që i ha palla, jo për Tom Doshin, por as për Shkëlzenin kur është puna për karrike e miliona. Pse? Sali Berisha është tërbuar keqazi nga prangat e shtetit ligjor, që po duken e trokasin gjithnjë e më qartë në horizontin e drejtësisë. Ajo vonon, por nuk harron. E lemeris reforma e saj që po vjen.

Sali Berishën dhe "Mafian e tij, që ka dalë krejt jashtë kontrollit", siç e ka cilësuar gazeta më e madhe në botë "The New York Times", po i tërbojnë reformat dhe përpjekjet e qeverisë së një milion votave = një milion zemrave të shqiptarëve për të bërë shtet, për shtetformim mbi rrënojat dhe minat me sahat të Berishës në çdo fushë jetike të Shqipërisë, që e la si mos më keq. 

Sali Tritoli iku nga Kryeministria, por pasi la prapa minat e tij me sahat në Presidencë, në Prokurorinë e Përgjithshme, në Gjykatën e Lartë, ne KLD, në Financat e boshatisura, në Arsimin e rrënuar, në Shëndetësinë e shkatërruar, në Ekonominë e sakatuar, në borxhet deri në grykë … në këmbët, në stomakun dhe shpinën e çdo shqiptari.  

Me kusarinë dhe vrastarinë e tij, askush më shumë se Sali Berisha nuk është më i denjë për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, njësoj si miku, bosi dhe urdhëruesi i tij, njësoj si armiku më i madh i shqiptarëve dhe kombit të tyre, Sllobodan Millosheviç. 

Prandaj Sali Berisha dhe banda e tij po hedhin kushtrimin e çmendur që të ngrihen shqiptarët, jo për të mbrojtur demokracinë, siç thote Sali Tritoli, por për të rivendosur Salikracinë, që e rrënoi e përgjaku plot katër herë Shqipërinë, që e la “rrasë në Diell", siç themi ne nga Malësia e Gjakovës, edhe më keq se ish- diktatura komuniste e babait të tij shpirtëror e ideologjik, Enver... Alisë.

Për karrike e pushtet, për plaçkitje e impunitet Sali Berisha është gati t'ia verë flakën përsëri e përsëri e peësëri … e njëmijë herë përsëri … jo vetëm Shqipërisë, por edhe krejt Evropës dhe Botës.

Tërbimi dhe çakërdisja totale e Sali Tritolit dhe Mafias së tij janë një kujtesë e fortë dhe kushtrim për Edi Ramën, Ilir Metën, mazhorancen dhe vetë deputetët e ndershëm e atdhetarë të PD-së e forcave të tjera politike, për mbarë shqiptarët demokratë e atdhetarë, që të mos stepen e frikësohen, por të vazhdojnë e përshpejtojnë reformat e nisura. 

Reforma në drejtësinë e stërkorruptuar dhe të kapur keq nga Sali Berisha e gangsterët e tij është nëna e të gjitha reformave, siç e ritheksuan edhe mesazhet e fundit të Uashingtonit dhe të Brukselit. Pa vendosjen e shtetit ligjor dhe drejtësisë, Shqipëria nuk ka të ardhme, nuk mund të bëhet shtet ligjor.   

Drejtësia vonon, por nuk harron. Nuk ka më asnjë minutë kohë për të humbur. Krejt e kundërta. Është koha që ta fitojmë kohën e stërhumbur për të dekriminalizuar, jo vetëm Kuvendin e qeverinë, por mbarë Shqipërinë. 

E nuk mund të ketë dekriminalizim dhe drejtësi, as në Kuvend e në asnjë hallkë të jetës politike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore në Shqipëri, pa u vënë përballë forcës së shtetit ligjor pikësëpari Sali Berisha për 2 prillin 1991, për shkeljen e ligjeve kombëtare e ndërkombëtare mbi embargon e naftës dhe armëve ndaj Millosheviçit, për mbytjen në tortura të Remzi Hoxhës, për 3.000 të vrare e mbi 10.000 të plagosur në katrahurën e 1997-ës, për grusht shtetin e 14 shtatorit 1998, për masakrën korruptive të Gërdecit me mbi 26 viktima e qindra të plagosur, për ekzekutimin public, pa gjyq publik, të katër protestuesve paqësore më 21 janar 2011 e plagosjen, torturimin dhe prangosjen e dhjetëra e qindra të tjerëve … për korrupsionin masiv, plaçkitjen dhe rrënimin e gjithanshëm të Shqipërisë.

Si tritoli prej vërteti, edhe tritoli verbal i Sali Berishës janë një thirrje për veprim e jo për stepje për çdo qeveritar e deputet, për çdo atdhetar e qytetar shqiptar, është një kushtrim për mbarë kombin tonë për liri e demokraci, për shtet ligjor e drejtësi ndaj cilitdo, që i ka shkelur e shkallmuar ato, duke i zëvendësuar me impunitetin dhe antishtetin. 

I pari në listën e të kerkuarve, “wanted”, është Sali Berisha e me radhë, sipas peshës së krimit. Para Ligjit në Toke dhe Zotit në Qiell jemi të gjithë të barabartë!
Ligji dhe vetëm fuqia e ligjit janë e vetmja gjuhë, që kupton Sali Tritoli!


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)