Kinë - Një stjuardesë 23-vjeçare e një linje ajrore kineze ka vdekur pasi e ka zënë korrenti kur po fliste me iPhone-in e saj ndërkohë që celulari ishte duke u karikuar. Një mjek i linjës së fluturimit “China Southern Airlines”, Ma Ailun shpjegon se 23-vjeçarja pësoi një goditje masive elektrike.
 
Këtë gjë e pohojnë edhe familjarët e  stjuardesës. Ndërkohë që të telefoni iPhone 5 dhe të gjitha aksesorët e 23-vjeçares u dorëzuan në polici. Stjuardesa e kishte blerë iPhone-in në një dyqan Apple.
 
Kur ndodhi incidenti, ajo ishte duke e karikuar telefonin me karikuesin origjinal të Iphone 5. Kurse nga ana e kompanisë prestigjioze amerikane, ata thanë se “janë të pikëlluar rreth këtij incidenti dhe do të hetojnë e bashkëpunojnë me autoritet përkatëse”.
 
Johnny Sin Kin-on, profesor në Universitetin e Shkencës dhe Pajisjeve elektronike në Hong Kong tha se është e rrezikshme të përdorësh pajisje elektrike që kanë bateri, ndërkohë që ato janë duke u karikuar. Motra e stjuardesë që humbi jetën, paralajmëron të gjithë që të mos përdorin telefonin e tyre kur ai është duke u karikuar. Iphone 5 doli në shitje në 5 shtator të vitit 2012. 

(v.gj/shqiptarja.com)