SPANJE -  Virusi “Ebola” ka shkaktuar viktimën e parë në Europë, dhe konkretisht në Spanjë ka gjetur vdekjen një prift i infektuar me virusin në Liberi.

75-vjeçari Miguel Pajares humbi jetën në një spital të Madridit, ndërsa ishte kthyer nga Liberia më 7 Gusht, pas konstatimit se ishte prekur nga virusi vdekjeprurës.

Prifti spanjoll ndodhej në Liberi së bashku me një infermiere po ashtu me shtetësi spanjole, që i ishin bashkuar një grupi katolik humanitar, por infermierja nuk është infektuar nga virusi Ebola.

Virusi vdekjeprurës Ebola ka marrë jetën e më shumë se 1.000 personave në Guinea, Liberi, Sierra Leone dhe Nigeri. Ai shkakton temperaturë të lartë, të vjella dhe gjakderdhje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ka regjistruar 1,848 persona të  dyshuar se mund të jenë prekur, ose raste të konfirmuara me virusin Ebola. .

OBSH-ja e ka quajtur virusin Ebola një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)