'Eden Game'/ Albana Shoshi, rikthim në 'parajsën e humbur'! Ekspozita e piktores si rrëfim realist mbi fenomenet sociale

Gjithçka nisi në një festë të zakonshme 8 marsi. Me pak parapërgatitje, prenotimin e lokalit, porosia për menunë, pak dekor, muzika, hapësira e përhershme për kërcimin, a të tjerë aksesorë.  Sendërtuar në gjysmën tjetër të shoqërisë, në atë ditë dedikuar pikërisht atyre, skena shpaloset aty mes tavolinave me pjata të stërmbushura, ku shpërthyes do të çlirohet çdo instinkt i ndrydhur gjatë gjithë vitit.

Cikli më i fundit i piktores Albana Shoshi, i realizuar në këto katër vitet e fundit ka në fokus 8 marsin. Çdo detaj festimesh, i ka grupuar nën emërtimin “Eden Game” dhe i shfaq në një ekspozitë në galerinë FAB të Universitetit të Arteve.

“Festa e 8 marsit ka qenë gjithmonë një ngjarje që mua më ka shqetësuar, në kuptimin që më ka ngacmuar përherë për fenomenet që kishte, për shkak se te ne shndërrohej në një festë gati groteske me mënyrën e sjelljes, veshjen, ambientin që krijohet në atë festë. Ajo është një ditë për të protestuar për të drejtat e grave, por te ne transformohet në një formë krejt tjetër.”, - shprehet Shoshi.

Pjesa e dytë e ciklit plotësohet nga seria e ditëve të pushimeve. Sërish në “festë“, personazhet projektohen në gjirin e natyrës, por me të njëjtin entuziazëm ngjitës. Janë aty teksa pushojnë, në rërë, nën hijen e pemëve, poshtë një ujëvarë, apo në sheshpushimin e një restoranti. Aty, drita e magjishme e natyrës, portretet e çliruara dhe entuziazmi, kthehen në klishetë më topitëse. 

Tjetër element që artisten e ka ngacmuar në këto cikle është edhe gjethnaja, që evokon edhe Edenin e humbur, kur njeriu gjente paqen në gjirin e natyrës.

“Natyra njerëzore në fakt tani është e kërcënuar dhe po bjerret nga kjo mënyrë pak e egër kapitaliste e jetës.”, - vijon artistja.

Ato janë një ditë tjetër feste. Për t’u kujtuar, ashtu si fotot 'selfie', vaniteti momental i moshës, nevoja për t’u arratisur, qoftë edhe për pak, nga stresi e përgjegjësitë e së përditshmes. Të gjitha përbëjnë Edenin tjetër, përkufizuar thjesht në nevojën për të rigjetur të zakonshmen në ato pak momente mitike.

Trashëgimtare e një emri të rëndësishëm në historinë e artit vendas, e bija e piktorit Zef Shoshi, Albana Shoshi ripropozon formatin realist si rrëfyese e kohës dhe shoqërisë, duke na ftuar në një dialog mbi ato fenomene shoqërore që zhvillohen rreth nesh.

Ekspozita do të qëndrojë e çelur deri më 14 dhjetor dhe vjen e kuruar nga Ermir Hoxha.

 

B.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kulluri ironizon Korreshin: Që të bëhet deputet, duhet të bëjë vertikalen poshtë ballkonit të Berishës

Kulluri ironizon Korreshin: Që të bëhet deputet, duhet të bëjë vertikalen poshtë ballkonit të Berishës