Kodi Zgjedhor e ka të përcaktuar qartë në nenin 18 të tij që një anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të drejtën për të munguar e ka të limituar deri në 5 mbledhje. Nuk dihet ende se sa do të mungojë Jani në mbledhjet e ardhshme, pasi pritet që në këtë komision do të merren edhe vendime që duan 5 vota për tu miratuar.
Këtu mbetet pikërisht dhe ngërrci që mund të fillojë në këtë institucion. “Ndërprerja para kohe e mandatit të anëtarit të KQZ-së nëse mungon, pa shkaqe të arsyeshme, në dy mbledhje radhazi të KQZ-së, ose në periudhë zgjedhore për më shumë se 5 ditë”, thuhet në Kodin Zgjedhor.
Ndërkohë që gjithë ngërçi në këtë institucion lindi pikërisht pas kërkesës së mazhorancës për shkarkimin e Ilirjan Muhos dhe zvendësimit të tij me një anëtar të propozuar nga Partia Republikane. Këto lëvizje në KQZ ishin reflektuar edhe në raportin e fundit të DASH, ku sipas së cilit KQZ konsiderohet një institucion partiak.
“Institucione shtetërore thellësisht partiake, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, minuan të drejtat e qytetarëve për të sfiduar drejtpërdrejt ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverisjen e tyre. Konsolidimi i vazhdueshem i pushtetit në duart e partisë në pushtet gërryejti më tej besimin publik në pavarësinë e institucioneve të vendit”, thuhet në raportin e DASH.
Ndërkohë që Partia Socialiste ende nuk ka dhënë konsenusin e saj për të bërë dy propozimet që i takojnë për të zgjedhur 2 anëtarë të tjerë të këtij komisioni. Ndonëse kreu i grupit parlamentar socialist në seancën e fundit plenare ofroi konsensus për mazhorancën në 8 çështje ku e djathta kishte dështuar, deri më tani nuk ka asnjë shenjë bashkëpunimi mes dy forcave më të mëdha në politikën shqiptare.
BERISHA
Të njëpasnjëshme kanë qenë reagimet e kreut të mazhorancës Sali Berishës për institucionin e administrimit të zgjedhjeve. Gjatë mbledhjes së djeshme të Kryesisë së PD, kreu i mazhorancës lëshoi edhe një herë akuza mbi kreun e opozitës. Për kryeministrin Berisha reagimet e ashpra të opozitës, pas votimit në Kuvend për zëvendësimin e Muhos, ishin qesharake.
Ndërsa theksoi se nuk ka asnjë mundësi që zgjedhjet e qershorit të shtyhen, kryeministri nënvizoi vendosmërinë e qeverisë së tij për të garantuar zgjedhje të lira, në përputhje me standardet ndërkombëtare. “A kishte gjë më qesharake të dalësh jashtë kontrollit se po të marrin anëtarin e KQZ-së.
Ajo që patë në parlament, ajo që patë rreth shtëpisë së Islamit është antikultura e liderit të opozitës. Vazhdojmë me kërkesën të shtyhen zgjedhjet, asnjë dite të vetme, mori përgjigjen përfundimtare. Çfarë tha dje, nëse humbas zgjedhjet nuk do njoh rezultatin se nuk kam mandatin e komisionit aty.
Ky prap po kërkon skuzën që zgjedhjet i fitova por mi vodhën. Ky njeri vuan nga sindromi obsesiv i kleptomanisë. Ky çdo gjë i duket vjedhje, s’është faji im, është problemi i tij. Është i nervozuar shumë, por ato janë punë të tij. Ne garantojmë zgjedhje të lira e të ndershme” u shpreh Berisha.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)