Ashtu siç e ka paralajmëruar, kryeministri Edi Rama pritet që të nisë së shpejti podcastin e tij. ‘Flasim’ do të quhet podcasti, ndërsa kreu i qeverisë ka dhënë disa detaje, duke bërë me dije se në këtë podcast do të ketë të ftuar politikanë, por edhe njerëz nga sfera të ndryshme, si arti, media apo kultura, madje as kundërshtarë të vetë Ramës.

Ky njoftim i Ramës e ka vënë në lëvizje ish-Kryeministrin Berisha por edhe ‘ekipin e tij dixhital’. Berisha ka shkundur ‘pluhurat’ e sirtarëve të tij dhe nga dhjetori ka nxjerrë një video të regjistruar, një monolog, me syze të errëta për të mbuluar grushtin që mori më 6 dhjetor nga një i sëmurë në protestën e tij kundër samitit të BE-së.  

Ndër të tjera Berisha sigurisht ngatërron edhe termin ‘podcast’ që është një bashkëbisedim me të ftuar, për një temë të caktuar, ndërkohë që Sali Berisha na shfaqet me një monolog, teksa na rrëfen fëmijërinë e tij në Tropojë.

“Të dashur miq të komunitetit të madh të rrjeteve sociale Facebook, Instagram dhe Tik Tok. Që prej dhjetorit, kam në ‘sirtarin’ tim dixhital të komunikimit me ju, edhe podcast-in tim të përjavshëm. Ngjarjet e kanë shtyrë këtë takim të ri me ju në një format tjetër, por duke filluar nga sot do të shihemi edhe në këtë dritare të re. Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podcast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj”, shkruan Berisha në facebook teksa publikun edhe linkun e videos në kanalin e tij në Youtubë.

Videoja e publikuar sot, duket si një provë e dështuar, e braktisur nga vetë ish-Kryeministri për t’iu rikthyer tani pikërisht teksa pritet që rivali i tij të nisë një risi në politikën shqiptare, Podcast-in e tij.  Duke pasur parasysh që videon e parë në ‘podcast-in' e tij e nxori plot 4 muaj nga regjistrimi pritet që ‘puntata e dytë’ monolog e Berishës të shfaqet pas zgjedhjeve, mbase në plazh duke marrë rreze dielli, dhe duke komentuar rezultatet e 14 Majit.