Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë në seancë plenare ankimimin e Partisë Demokratike për Diellën.
Më 23 shtator, sikurse kishin paralajmëruar, demokratët depozituan padinë në Gjykatën Kushtetuese duke kundërshtuar dekretin e Bajram Begajt që në nenin 2 të tij autorizonte Kryeministrin Edi Rama për funksionimin e ministrisë virtuale.
Çështja për dekretin e Presidentit Bajram Begaj i ka rënë gjyqtares Marjana Semini.
Cilat janë pikat që PD i argumenton si antikushtetuese në dekretin e Presidentit për ministren virtuale ‘Diella’?
Përveç se Presidenti ka vepruar në tejkalim të kompetencave të tij, ai ka vepruar në kundërshtim me dispozitat kushtetuese që rregullojnë cilësitë që duhet të ketë personi që emërohet ministër.
Presidenti ka krijuar praktikisht një strukturë të re ministrore (ministri virtuale), si dhe ka ngarkuar Kryeministrin me një përgjegjësinë të re për ngritjen dhe funksionimin e ministres virtuale "Diella".
Në asnjë prej dispozitave që rregullojnë përgjegjësitë dhe kompetencat e Presidentit të Republikës nuk gjejmë një kompetencë të tillë në mënyrë direkte apo të nënkuptuar.
krijimi i një “ministri" virtual apo real nga Presidenti i Republikës është në tejkalim të kompetencave të Presidentit të Republikës, cënon kompetencat e Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, duke shkelur kështu parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të sanksionuar nga neni 7 i Kushtetutës së Shqipërisë.
Caktimi i përgjegjësive të reja nga Presidenti për Kryeministrin vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, si dhe cënon edhe pushtetin legjislativ (Kuvendin), duke qenë ky i fundit i vetmi organ që ka të drejtën të miratojë ndryshime kushtetuese apo ligjore, të cilat shtojnë, pakësojnë, ndryshojnë përgjegjësitë dhe kompetencat e Kryeministrit.
koncepti "Ministri Virtual i Inteligjencës Artificiale "Diella", vjen në kundërshtim me Kushtetutën, qoftë në drejtim të cilësive të kërkuara të të qenurit ministër, procedurës së emërimit të tij, betimit para Presidentit të Republikës, si dhe ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive.
Komente












