Vijon nga faqja 1...Kur ka ngelur vetëm një vit nga përfundimi i ‘‘Dekadës së Romëve 2005 -2015’’, periudhë gjatë së cilës Shqipëria do duhej të kish bërë hapa konkretë në sistemimin dhe integrimin e komunitetit Rom, kjo çështje mbetet ende një objektiv i parealizuar në disa drejtime që mbart jetesa e këtij komuniteti.

Komuniteti Rom në mbarë botën është një grup njerëzish të organizuar në mënyrën e tyre të jetesës, ata janë udhëzues të mirë të një kulture ndryshe nga pjesa tjetër e shoqërisë, dhe dinë ta mbrojnë rigorozisht profesionin e tyre, kryesisht artixhanë të përpunimit të produkteve kashtore, muzikant, por edhe më gjërë. 

Ashtu, siç dihet, Romët kanë qenë subjekt diskriminimi shekuj me radhë. Ata edhe sot ballafaqohen me diskriminim dhe paragjykime racore dhe gjenden në rrethin e ngushtë të diskriminimit, varfërisë dhe përjashtimit duke ngelur ndër komunitetet më të nëpërkëmbura në Evropë. Të gjithë treguesit socialë dhe ekonomikë dëshmojnë qartë për këtë fakt të mjerueshëm dhe nxjerrin në pah vështirësitë e kushteteve jetësore të komuniteteve më të varfra të pazhvilluara.

Ndërsa popullsia rome në pjesë të ndryshme të Shqipërisë njihet gjerësisht si mospërfituese e asistencës sociale. Ata janë gjithashtu po aq shumë të destinuar të përjetojnë aspektet më ndëshkuese të sistemit të strehimit. Deprivimet e shumëllojshme dhe diskriminimi tentojnë të përforcojnë njëra tjetrën nga pikëpamja e aksesit në qytetari, arsim, punësim, shëndetësi me rezultate negative për sa i përket varfërisë dhe përjashtimit social. Për më tepër, edhe pse ky 10 vjeçar që po lëmë pas është konsideruar si 10 vjeçari i komunitetit rom në mbarë Globin, Romët e Shqipërisë vazhdojnë të përballen me vështirësi serioze sociale dhe ekonomike.

Romët në mbarë Shqipërinë kanë vuajtur për një kohë të gjatë braktisje të madhe e në veçanti në fushën e politikave të strehimit. Realiteti na tregon se ka një raport të lartë mosbarazie ndërmjet këtij komunitetit dhe pjesës tjetër të shoqërisë në Shqipri, fenomen i cili duhet ta kishte rrit ndieshëm iniciativën e gjithkujt për ta ulur këtë trend gjithmonë e në rritje, por përkundrazi rëndomtë është raportuar për degradime të vëndbanimeve të tyre. 

Diskriminimi, mungesa e të ardhurave të rregullta dhe e punësimit, kombinuar me familje me shumë anëtarë ka sjell shëndet jo të mirë dhe shtëpi të varfëra ose mungesë totale shtëpish.
Përkeqësimi i kushteve të jetesës nëpër vëndbanime të komunitetit Rom, pamundësia e këtij komunitetit për të përfituar nga skemat e asistencave ekonomiko - sociale, kanë gjeneruar një situatë e cila jo vetëm që praktikisht vazhdon të përbëjë një problem serioz për jetën aktuale të mjerueshme të komunitetit Rom, por për më tepër e ka ulur ndieshëm shpresën e këtij komuniteti se ndokush do ketë ndonjëherë vullnetin të krijojë  mundësi që edhe ata të integrohen plotësisht e  të ndihen të barabartë me pjesën tjetër të shoqërisë në këtë qytet.

Ndaj dhe iniciativat vepruese që kanë filluar të ndihen së fundmi për këtë cështje, duhet të kontribuojnë në vazhdimësinë e frymës pozitive për plan-veprime gjithëpërfshirëse të komunitetit Rom në këtë dekadë. Perpjekjet e kujt do që mund të kontribojë në një plan veprimi afatgjatë duhet të mos mungojnë dhe të mos vonojnë në mënyrë që cdo gjë e premtuar verbalisht apo e shkruajtur në letër të shndërohet në një  zbatim konkret dhe ta pasurojë dekadën e Romëve me sa më shumë zhvillime për ti siguruar këtij komuniteti shëbërbime sa më të mira në fushën sociale, edukative, shëndetësore, dhe kulturore.

Mundësimi i strehimit dhe përmirësimi i shërbimeve, për komunitetin Rom janë të një rëndësie shumë të madhe në luftën kundër përjashtimit social. Për më tepër, gjetja e mënyrave për të implementuar rekomandimet e ndërkombëtarëve është një nga sfidat kryesore që Shqipria të tregojë vullnetin e saj të përfshirjes së komunitetit Rom në të gjitha veprimataritë ekonomike, sociale, kuturore, dhe politike para përfundimit të “Dekadës së Romëve 2005 – 2015”.

Shërbimet sociale të kësaj natyre, sic ashtë ai i akomodimit me banesa të përshtatshme, do ishte një koordinim i mirë i kësaj sfide, ku për fëmjët dhe familjet e këtij komuniteti do të mund të bëhej një ndryshim i ndjeshëm në jetën e tyre aktuale, me më tepër theks mbi shërbimet sociale së bashku me më shumë shërbime të bazuara në përfitimet e komunitetit, si edhe me lidhje më të qarta me shërbimet e punësimit. Këto iniciativa të përbëra nga skemat e ndihmës sociale do të përmirësonin ndieshëm mënyrën e jetesës dhe do krijonin shkallë më të lartë të ndikimit drejt zbutjes së varfërisë, gjë e cila do jepte kontributin e saj për të zbehur nivelin e ulët ekonomik dhe financiare mbi grupet më të cënueshme.

 Ekziston një domosdoshmëri për përgjigje të menjëhershme politikash specifike ndaj cënueshmërive të komunitetit Rom në Shqipëri. Sigurisht, këto përgjigje do të duhet të jenë të ndryhme nga qyteti në qytet në kontekstin e situatës aktuale të Romve në secilën zonë. Këto cështje të ndërthurura duhet të shërbejnë si një shtysë e madhe për tu angazhuar në projekte dhe planveprime të cilat ndër të tjera përfshijnë: nevojën për të implementuar strategjitë që ulin nivelin e varfërisë dhe përjashtimin social, duke përfshirë të gjitha nën-strategjitë përkatëse dhe të gjithë grupet e interesit.

Për më tepër, eksplorimi i mundësive për të hartuar plan veprime të qarta e të integruara në nivel qëndror e vendor (zonat e veprimit të përfshirjes) mund të jenë një hap i madh përpara së bashku me prioritizimin e legjislacionit dhe praktikës anti diskriminuese në aspekte kyçe të politikave sociale dhe ekonomike. Një qasje e tillë në nivel lokal, pa dyshim, që do mund të kontribojë si një nismë me synim për tu shtrirë në një hapsirë mbarëkombëtatre nëpërmjet ndarjes së eksperiencave më pozitive në proçeset gjithëpërfshirëse të këtij komuniteti.

 Si në shumë vënde të botës, strehimi i komuniteteteve në nevojë edhe në Shqipëri është i rëndësishëm për zhvillimin socio-ekonomik të tyre, që mbi të gjitha përcakton cilëcinë e jetës të kujdo duke siguruar strehim, rigjenerim, dhe punësim.  Kuadri i inicativës së konkretizimit të planveprimeve, për sa i përket objektivave mbi përfshirjen sociale të komunitetit Rom, specifikisht atë të krijimit të mundësive për strehim, mund të jetë një pikë rreth së cilës realizohet në praktikë koherenca e nismave të ndryshme për të përmbushur kërkesat e BE-së për tu antarësuar në këtë bashkësi, ndërkohë që vetë  komuniteti Rom do mund  të plotësojë një nga nevojat e tyre kryesore, do të risin standardin e jetës së tyre.

Shkrimi u publikua sot (9.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)