Mijëra refugjatë ndjekin "itinerarin ballkanik" për një jetë pa luftë apo varfëri. Dhe ata do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet e mundshme për të arritur qëllimin e tyre.

Gardhi 175 km i gjatë me tel me gjemba në kufirin hungarezo-serbe është gati dy ditë para datës së planifikuar. Qeveria në Budapest është krenare - dhe dy të tretat e hungarezëve janë dakord me këtë masë. Por refugjatëve vazhdon të mos u bëjë përshtypje kjo pengesë dhe gjejnë pika e shtigje kalimi. Deri në fund të tetorit pritet të ngrihet një gardh i dytë, katër metra i lartë, për të mbrojtur vendin dhe Bashkimin Evropian prej refugjatëve. Shtetet në rajon po i ndjekin këto zhvillime me shumë vëmendje. Ato kanë frikë se tani mijëra refugjatë janë në kërkim të rrugëve të reja dhe kështu problemi në dukje i pazgjidhshëm mund të depërtojë në vendin e tyre.

Vitin e kaluar ishte Bullgaria që ndërtoi në kufirin e saj juglindore me Turqinë një gardh 30 km të gjatë për të ndaluar refugjatët e luftës civile siriane. Tani ky gardh do të zgjerohet në një gjatësi prej 160 km. Edhe në kufirin jugperëndimor me Maqedonibë Bullgaria po shton praninë ushtarake dhe për shkak të krizës së refugjatëve ka dërguar në zonën kufitare trupa dhe automjete të blinduara. Qeveria bullgare flet për një "masë parandaluese". Dhe edhe pse nuk ka ndonjë dyndje refugjatësh, shumë bullgarë janë të inatosur. Kryeministri Bojko Borisov tha lidhur me dërgimin e trupave në kufirin me Maqedoninë: "Ushtarët janë atje për të përhapur respekt dhe për të kontribuar për sigurinë e popullsisë lokale".

Në të gjitha këto vende diskutohet shumë për këtë temë. Një pakicë aktualisht ende e vogël po ushqen frikën nga një "import terroristësh bashkë me refugjatët" dhe një islamizim të shoqërisë. Politikanë nacionalistë dhe ekstremistë i nxisin këto diskutime. Ende pjesa më e madhe e popullsisë në këto vende është e gatshme të ofrojë ndihmë humanitare. Por kur diskutohet për shpërndarjen e refugjatëve në të gjitha vendet e BE-së, shumë njerëz në Evropën Juglindore janë skeptikë. "Ne jemi shumë më keq se sa evropiano-perëndimorët", thonë ata, duke shtuar: " refugjatët e shkretë nuk do të kenë jetë më të mirë këtu." Këtë e dinë edhe njerëzit nga Afrika dhe Lindja e Mesme të cilët dëshirojnë të shpëtojnë prej varfërisë në vendet e tyre. Prandaj ata do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet e mundshme për të arritur qëllimin e tyre. Dhe për shumë syresh synimi është Gjermania. Muret dhe gardhet nuk mund t'i ndalin ata. Këtë na e mëson historia.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)