Rastet janë tepër të ngjashme. Megjithatë, kanë edhe dallimet e tyre. Vendi, koha dhe përfundimi i bëjnë të ndryshme. Fjala është për dy raste të vjedhjes së drogës në stacionet policore. Madje, në ato qendrore.

Më i freskëti është ai që ka ndodhur në Paris, para pak ditësh. Hiç më pak se 52,6 kilogramë kokainë janë vjedhur në selinë e Policisë Gjyqësore parisiene.
Skandali ka tronditur jo pak opinionin francez. Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare i ka përvjelë mëngët.

Nuk po lë gurë pa lëvizur. Deri më tani është ngritur aktakuzë ndaj një polici të luftës kundër drogës.
Ai është dërguar prapa grilave. Po ashtu, në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar edhe disa pjesëtarë të forcave të rendit.

Hetimet në kërkim të drogës, vlera e tregut e të cilës llogaritet 3,5 milionë euro, nuk janë ndalur. Pothuaj secila ditë po sjell gjëra të reja.
Ky rast nuk ka se si të mos na e kujtojë atë që ka ndodhur në Prishtinë, në Dhomën e Dëshmive, që gjendet në ndërtesën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Në objektin, që vlerësohet të jetë më i sigurti në vend, më 2009 qenë vjedhur nja 50 kilogramë heroinë, dëshmi të ndryshme dhe nja 3 milionë euro në monedha të vendeve të ndryshme.
Krejt çka kanë bërë autoritetet kosovare ka qenë suspendimi për disa javë i oficerëve të Policisë, nën përgjegjësinë e të cilëve ishte objekti dhe siguria e tij.

Ata janë kthyer në pozitat, që kishin dhe (në mos qofshin graduar me kalimin e kohës!) vazhdojnë punën sikur të mos kishte ndodhur gjë, sikur krimi i paprecedent që u ndodhi në oborrin e përgjegjësisë të kishte qenë vrasje e ndonjë aso mize tullusume që ta prishë ndejën.

Ndonjë dorëheqje apo shkarkim të këtyre zyrtarëve përgjegjës ose shefave të tyre politikë?
Mos e bëj Zot! Ata s’e bëjnë kurrë një gjë të tillë. Me arsyetimin: “Ende s’kanë përfunduar hetimet”.

E, hetimet, e dimë të gjithë, kanë një përfundim: ato vazhdojnë! E s’mbarojnë kurrë.
E tash, kjo vjedhja në fund të korrikut në Policinë parisiene nuk do të kalojë pa u shfrytëzuar nga zyrtarët e Policisë kosovare si “provë” për mbrojtje.

Tani e tutje, sa herë që dikush do t’ua përmend vjedhjen që ka ndodhur në prill 2009, në objektin më të sigurt në Prishtinë e në krejt Kosovën, ata do të na bezdisin me deklarata të tipit “epo, këso rastesh ndodhin gjithkund, madje edhe në vende që kanë traditë në organizimin e forcave të sigurisë, sikur Franca”.

Edhe do të kenë të drejtë. Veçse, për dallim nga këta tanët, që me mosangazhim serioz lejuan që rastin dhe gjurmët e krimit t’i zhdukë koha, në Paris intensiteti i hetimeve është i njëjtë, si në ditën e parë.

Këto ditë, gjatë operacionit në kërkim të kokainës së zhdukur, hetuesit kanë gjetur rreth një tonelatë kanabis, e cila nuk ka lidhje me atë që ata kërkonin.
Kjo është veç një dëshmi se me çfarë serioziteti i janë qasur rastit.

Ndërsa, për fajtorët, autoritetet franceze kanë premtuar sanksionet më të ashpra.
A do t’i vuajë ato vetëm polici i dyshuar dhe i arrestuar, të cilit në çantën e shpinës i janë gjetur 20.000 euro të thata dhe për të cilin u kuptua se është (bërë) pronar i shtatë apartamenteve, apo do të ketë edhe të tjerë, do të kuptohet në ditët e ardhshme.

Por, në asnjë rrethanë nuk do të ndodhë që për këtë krim tronditës të mos ndëshkohet askush, sikur në rastin e Policisë tonë. Sepse, Parisi nuk është Prishtinë.