Nëpërmjet Shtëpisë Botuese “Toena”, Odise Kote solli romanin “Amerikani”, një vepër që të trondit si asnjë tjetër, për nga përmbajtja, aq sa edhe të mahnit për artin, me të cilin është shkruar. Është një roman tepër i veçantë, që vjen për herë të parë në letërsinë shqipe, me një subjekt të si një dhimbje shpirt, shkruar me një stil poetik me “ngjyrë gri”, në të cilën pikëlon si shi, e zeza e vuajtjes, si vesë e bardha e shpresës dhe dhe si një tis mjegulle, roza e zemrës. Me këtë roman, Odise Kote, dëshmoi pjekurinë e tij si një shkrimtar dinjitoz, i letërsisë shqipe bashkëkohore.
Vijon nga numri i kaluar
Për të përballuar presionin psikologjik, Nelson Andrea, “arratiset” nëpër kujtimet e tij të jetës dhe dashurisë amerikane, aty ku rijeton lumturinë e “braktisur” prej tij, për të mbajtur një premtim apo amanet të babait. Këto kujtime, i japin “ajër” frymëmarrjes së tij, por ja që: “nuk jetohet vetëm duke marrë frymë, duhet ndjerë aroma e jetës në çdo moment”, (Samuel Lion). Këto kujtime, i japin forcë për të rezistuar dhe i ushqejnë shpresën se një ditë, “do ikte nga ky ferr”. Këto kujtime, ku “rritej” shpresa, ishin si ca “ishuj” të largët në mes të oqeanit të “frikës”.
Aty zbriste Nelson Andrea dhe jetonte jetën e tij. Ai bënte aty, krahasimet mes dy jetëve dhe përpiqej që të gjejë dhe në Shqipëri, një copë jete amerikane, kryesisht me shokët e tij të punës: Oto, Neri dhe Sadiku dhe më pas Lola e Margarita, por mëson se, dhe atje ishte i suverjuar, madje tmerrohet kur i kërkojnë të denoncojë shokët e tij. Në këto kushte, i rënë në “kurth”, ai pranon në heshtje “urdhrat” e Rako Siranit, për një sërë vendimesh mbi jetën e personalitetin e tij. Pranon të “vetëquhet”, nipi i tij, të ndryshojë emrin, në Nelo Andrea, nga Nelson Andrea, pranon të martohet me një vajzë shurdh-memece, viktimë e pafajshme e fatit dhe shtetit, pranon të heqë dorë nga profesioni i tij dhe të punësohet në skuadrën e fidanishteve dhe pas burgimit të dytë, në atë të varrezave, pranon dhe hesht për çdo gjë që i thotë Rako Sirani. Ai, në dukje shndërrohet në një mekanizëm, që lëviz e jeton vetëm nën kurdisjen e Rako Siranit. Veçse kjo “jetë e kurdisur”, ishte për sytë e Rako Siranit dhe atyre që e shihnin si “imperialist”, ndërsa për veten e tij, Pandorën dhe fëmijët, mbrëmjeve ai mbyllej në kube dhe zbriste “parajsën muzikore në tokë”, me violinën Stradivari, atë violinë që e mbrojti nga shteti, si flamurin që mbron në luftë ushtari besnik.
V – Duhet të pranojmë se, Odise Kote, në rrëfimin dhe ballafaqimin e dukurive, mendimeve dhe kujtimeve, dëshmon një mjeshtëri të lartë krijimi, për mënyrën e pasqyrimit dhe kundërvënies së tyre, aq të gjalla. Kjo sepse, ai e sheh dhe e shkruan letërsinë, si pjesë vazhduese të shpirtit njerëzor dhe jo si një produkt i mendjes. Ca më tepër, në rrugëtimin e subjektit të librit, ai shënon datat e ngjarjeve, si piketa kohore, si një kronikë që saktëson ngjarjet:
“Ditë e paharruar, 23 maj 1967. Avioni i linjës Vjenë – Tiranë ulet në pistën e, rreth orës 23 e 18 minuta”, “Në nëntor, gjashtë muaj pas arrestimit.., e zunë ethet e forta me temperaturë të lartë”, “Kur u mbushën pesëmbëdhjetë muaj nga burgosja, …Ishte korrik. 9 korrik 1968”, “Ora 2.30 minuta. Natë e ftohtë, me shi dhe erë”, “Ishte shkurt, 14 shkurti, Shën Valentini”, “Ora 19.45 koha kur Nelo Andrea, hyri në kube”, “Në pranverë, në 27 maj 1980, në mesnatë…Nelo Andrean e arrestuan”, ”Ora ishte e njëjtë, si e herës së parë, 3.40 minuta. Ndjesë, 10 minuta më vonë se hera e parë”, etj., duke i dhënë edhe në formë librit, një saktësi strukturore dhe korrektësi kohore.
Odise Kote, është një penë e bukur letërsie, që jeton me letërsinë dhe për letërsinë. Kjo ndjehet së pari, te dashuria me të cilën shkruan, dashuri me të cilën, i tregon ato që shkruan si përjetime ëndrrash. Kjo duket te bukuria artistike e ndërtimit të fjalisë, që të ngjason me një ylber të shtrirë dhe ai nervi, oh, ai nervi që i përshkon tej e tej fjalët e ligjëratave, të bën të dridhesh, si para dashurisë së parë. Lexojeni romanin dhe përjetojeni dhe ju këtë ndjenjë.
Odise Kote në fakt, e dashuron letërsinë dhe kjo është e dukshme te ëmbëlsia dhe shpirtërimi i ligjëratave, gati si të folura me pëshpërimë, thua se, i dridhet zëri e zemra nga emocioni si para vajzës, për të cilën ëndërron, kur flet si “autor”, pa tonalitet. Kjo sepse ai realisht, ka paraqitur botën e tij shpirtërore, shpirtin e tij në momente shpërthimi të “llavës së frymëzimit”, që vjen nga shpërthimi i “vullkanit të heshtur”. Thua se ai, vrapon e kërcen pas kësaj llave, rrëshqitjes të së cilës, ja di drejtimin: domosdo nëpër sokakët e Gjirokastrës.
Unë ju them se, si stilist, Odise Kote është i veçantë në letërsinë shqipe, madje jo vetëm kaq, ai e pasuron së tepërmi fjalorin letrar me fjalë dhe fraza, të cilat, ndonëse kanë ngjyrën e “hirtë”, si gurët e kështjellave të hirtësuar nga vjetërsia e kohës, çuditërisht në ligjëratat e vargjet e tij, ato “çelin” petale plot ngjyra, duke pranveruar ambientin e hirtë dhe kuptimshmërinë e frazës.
Shprehjet dhe fjalët: “Cërga të mëdha drite”, “krusmë mërzie”, “një teh kryeneç drite”, “tejanë”. “Hollak”, “kishte mbirë nga hija”, “Ta dërgoj shpirtin në ferr dhe zemrën ta pjek atje në heshtje të harresës”, “Fol me të vdekurit, që të kuptosh të gjallët”, “Heshtja fryhej e veshtullohej”, “egërshane”, ”tejçim pëshpërime”, “Njeriu nuk ia mbath dot, fatit të tij”, “Lotët janë gjuha e heshtur e dhimbjes”, “Jazëk”, “qielli përvëlak”,” sokakët shtrembaluqë”, “Rrokopuja dhe rrëmeti”, “popëla”,” të vjen anicirë”, etj.,… të cituara sa për ilustrim, flasin për një njohuri dhe dashuri të autorit për fjalorin dhe shprehjet komunitare të qytetit të tij, dhe lartësinë e tij artistike në përdorimin e suksesshëm të tyre, në një roman bashkëkohor.
Madje mbi bazën e kësaj përvoje, Odise Kote krijon fraza që kanë formën dhe forcën e shprehjeve të urta, rrahur në kudhrën e kohërave e, që zbresin në tekst si rrufe në të kthjellët dhe të befasojnë, me dritën dhe shkreptimën e tyre, si: “Zogjtë nuk e ndërtojnë folenë në kafaz, që të vegjlit e tyre të mos trashëgojnë robëri”, “Turpi nuk të shëron. As të ndihmon të lash mëkatet”, “Rojtari heshti, u dogj përbrenda si një perëndim”, “tradhti që mbahej mbërthyer, me njëmijë gozhdë, për të mos u shqepur”, ”Qetësia që vinte nga pranimi. Nga dimensioni i pranimit të gjithçkaje që sillte tjetri me vete, i kulturës së tjetrit”, “Errësira, nuk mund ta dëbojë errësirën, vetëm drita mund ta bëjë diçka të tillë. As urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen, vetëm e vërteta dhe dashuria e kryejnë këtë mision”, ”Të fajësosh një gjarpër, se ka dhëmbë helmues, nuk është mençuri”, etj.
Thuhet se, për të vlerësuar një autor, duhet të shihet fraza e nisjes së romanit, ngjyra dhe tingulli i fjalëve. Në këtë aspekt, nisja e romanit të Odise Kotes, i ka ngjyrën gri dhe tingullin e rëndë, me disa sekuenca lirike, kryesisht nëpër kujtimet e tij: “Nuk kishte si ta kuptonte prej nga i vinte ajo krusmë mërzie. Gojën e kishte te mbushur me shije hidhërimi. Në kokë i kumbonin fort tingujt e kohës së dytë të koncertit për violin, të Bethovenit”. Kjo gri e stilit të tij, ndërsa është ngjyra dominuese e romanit, kalon si një re e fundit e dimrit që ikën, në qiellin pranveror që po hapet pikërisht në pasazhin e fundit të romanit: “Pandorka e bukur, gruaja që i kishte dhënë gjithçka Nelo Andreas shqiptar, çdo grimcë e thërrmijë nga trupi dhe jeta e saj, ishte larguar përfundimisht. Ndoshta e kishte kuptuar që në kohën e re, Nelsonit amerikan, nuk mund t’i jepte dot asgjë. Mbase për këtë shkak dhe ishte larguar, ashtu siç dinte ajo: qetësisht, thjesht, pa ndërlikime, pa lamtumirë”, duke i lënë vendin një stine të re, në jetën e personazhit.
A ju kam thënë që Odise Kote është gjirokastrit, që e do Gjirokastrën dhe ka marrë prej saj, madje duke lexuar krijimet e tij, të krijohet bindja se ai ai është krijuar nga era e Malit të Gjerë dhe aroma e manxuranës e vasilikoit, nga gurgullima e Drinos dhe e qeshura e vashave nëpër sokakë, nga mërmërima e plakave nëpër dasma dhe vaji i tyre nëpër ksodhe, trokëllima e hapave djaloshare në Qafën e Pazarit dhe hieja e kështjellës si feste mbi krye, që i bën vend dritës së diellit, në sytë e tyre. Më duket mua apo, Odise Kote është i dyzuar, qytetar dhe intelektual, që mban strukur në një xhep të zemrës dhe kujtesës jetën, etimologjinë dhe psikologjinë e djeshme të qytetit. Duket sikur është arshivë, por në fakt ai, është gjirokastrit i ditur dhe i talentuar.
Shumë herë, mjafton një fjalë e tij për të dhënë një portret njeriu apo të një kohe. Fjala turke “sakën”, të cilën autori e “shpjegon” artistikisht si: “fjalë turke me mister dhe fuqi të çuditshme. Ngrin, stepesh sa e dëgjon… përdoret gjerësisht. Fjalë – kod, kyç. Ngjan me një prizëm ku bien gjithë lutjet, kërkesat, dëshirat, trillet, veset, mëshira dhe të gjitha thyejnë kokën në brinjët e mprehta, të thepisura, tehe që s’falin”, dhe për të cilën unë do shtoja: “fjalë që tregon një urdhër për stopimin në vend të dëshirave, nismave, ëndrrave dhe çdo mendimi të ri”, por që dëshmon faktin se, shoqëria shqiptare, ishte ndalur në “mesjetën turke” dhe psikologjia e shtetit, ishte një psikologji mesjetare. Kjo fjalë tipizon edhe vetë personazhin, që e përdor aq dendur, Rako Siranin, sa që atë normalisht, mund ta quash thjesht: “Shoku sakën” dhe me këtë fjalë, e ke dhënë me ngjyrat e duhura portretin e tij. Një fjalë është, por gjeografia e kuptimshmërisë së saj, kërkon një fjalor të tërë, për t’u treguar.
Gjuha e të folurit komunitar, sa ka bukurinë, filozofinë dhe tingëllimën e fjalëve tipike, aq ka edhe rrezikun e një fjalori uniform, që përdoret nga një libër te tjetri, nga proza në poezi. Mjeshtëria e autorit, është pikërisht mënjanimi i krijimit të një të shprehuri uniform, në gjithë krijimtarinë e tij. Të kuptojmë se: lulet që çelin në një lëndinë, janë të gjitha lule tipike lëndinash, por ato, nuk janë lule njëngjyrëshe dhe as të parcelizuara, sipas ngjyrave. Aq më pak, janë të njëjtat në të gjitha lëndinat. Ashtu si çupkat, zgjedhin lulet që i lidhin kurorë, për t’i mbajtur në kokë në lodrat e tyre, nëpër këto lëndina, apo lulet që i mbledhin në tufa dore dhe i marrin me vete në shtëpi, ashtu dhe autori përzgjedh fjalët dhe frazat tipike komunitare, për ligjëratat dhe vargjet e tij, duke u shfaqur gjithnjë sa origjinal, aq dhe i “shumëngjyrshëm”.
VI – Me një dendësi bërthame ku struket jeta e një peme të ardhshme, Odise Kote, përshkruan ngjarjet e jetës së qytetit të gurtë, duke ravijëzuar doket, zakonet dhe kulturën, humorin dhe humanizmin e banorëve të thjeshtë: “Mbledhje tek brigadier Bariu:
– Shokë … nuk jemi vetëm. Kemi në krah Republikën Popullore të Kinës. Kina është me ne. – E ç’na ka Kina ne? – s’u përmbajt Dikja – aq grurë sa hanë minjtë në hambar të një anije, aq grurë do Shqipëria. Shpëtuam! Veç atyre që tha brigadier Bariu, kam dëgjuar se, Kina do të na sjellë edhe copa doku, dok more dok, dok. Dok për pantallona. E dini ju sa e madhe është Kina? -“Domethënë – e prishi dedikatën e tij Oto – tani kemi aleatë edhe Valarenë dhe Kinën”…E pra, të barazosh si “aleatë” të Shqipërisë, Valarenë, një fshat i vogël në Gjirokastër, me Kinën, vetëm shurdhi nuk e dëgjon ironinë.
“Prishja (e kishave), paraprihej nga tubimet e zgjeruara të grave e vajzave. Ato diskutonin me zjarr ligësinë e zakoneve prapanike dhe helmin reaksionar të besimeve fetare. Rrokopuja dhe rrëmeti nuk ndalej. Si të mos mjaftonte ky rrëzim, disa kisha mesjetare, u shndërruan menjëherë në Vatra Kulture. Kërcim dhe hare. Disa të tjera, u bënë hambarë të misrit dhe fasuleve”, pasqyrohej “nisma e rinisë”, për prishjen e kishave dhe xhamive.
Me një muzikë: “…prej tingujve të çakorduar, atyre tingujve që binin si me dhunë në veshët e njeriut nga fillimi deri në fund, pa asnjë ndryshim, pa asnjë ndalesë. Ishte e panatyrshme mënyra se si luanin. Ngjante se ishin nën një nxitje e shfryrje shtazarake, të çuditshme, të panatyrshme, për ta dërguar zhurmën e tyre (për muzikë as që bëhej fjalë), nga kreu në fund, edhe pse ishte dukshëm blasfemi, në timpanët e qytetarëve mjeranë”, shoqërohej dita festive e votimit.
Me një dendësi kuptimore fjalësh, për situatën e ankthshme: “I ngjante se kudo e vështronin tinës, sikur i kërkonin llogari: Akoma jashtë je ti? Miqtë e tu u arrestuan. Po ti të paskan harruar apo…”?! “Moj, mos e kanë lënë gjë për pranverë? Ku harrojnë këta”! autori jep atmosferën qytetëse në periudhën e luftës kundër liberalizmit dhe ndikimeve të huaja, duke arritur majat më të larta të ironisë popullore, te zbulimi i grupit armiqësor në ushtri: “Në qytet kishin nisur arrestimet… arrestimet e asaj vjeshte….! Po arrestoheshin ushtarakë të Divizionit “Labëria”…! Midis të arrestuarve, thuhej se ai që qenkish “koka” e grupit armiqësor, ishte dhe një ushtarak veterineri…!
Ai rriste dhe stërviste kuaj parade. Kuajt, u tha në akt-akuzën publike, nuk stërviteshin sipas platformës kineze, siç dhe ishte urdhri, por vazhdonin me metodikën e vjetër sovjetike. Nga ky moskuptim i qëllimshëm i direktivës, kuajt e paradës, ishin nervozë dhe nuk para mbanin vithe. Ato rrezikonin ti hidhnin hopa – me bythë përpjetë, gjeneralët e kolonelët e ushtrisë”, por menjëherë pas këtij humori të zi, vjen si një ulërimë paragrafi tjetër: “Ndaj familjes së tij, u veprua menjëherë, egërsisht. E ‘zhdukën’ nga faqja e dheut”.
VI- Ka një personazh romani i Odise Kotes, që mund ta cilësojmë pa frikë, si një ndër personazhet më të realizuar në letërsinë shqipe bashkëkohore, ka një Rako Sirani që, nuk e ka asnjë krijim letrar. Një njeri i rëndomtë, ish-punonjës i Seksionit të Sekuestrimeve të Floririt të tregtarëve, të periudhës së Luftës, punonjës arshive në Komitetin Ekzekutiv, pra ky Rako Sirani, ju paraqit Nelson Andrean, te porta dalëse e burgut, si një: “Engjëlli që e priti përjashtë”, duke e sqaruar se, ishin “kushërinj të largët, nga ana e nënës”.
“Unë e di ç’hoqa të rregulloja lirimin me kusht”, i thotë Nelsonit, si argument përfundimtar bindës, sikur t’i thoshte që; “jetën ma ke borxh mua” dhe vijoi: “Ta thashë që në fillim, të kam nipçe! I njëjti gjak më solli këtu”! Për të njohur nivelin kulturor, mjafton të tregojmë se, kur Nelsoni e pyeti çdo me thënë, lirim me kusht, pa të drejtë ushtrim profesioni, ai ju përgjigj: “Kusht i vetëm i lirimit, është se nuk do t’i biesh më qemanes, ja kësaj – dhe nxori… nga thesi i plaçkave, violinën ‘Stradivar’. Të ndalohet dhe pikë. Punë e madhe! Hahahaha” dhe kjo e qeshur, tingëllon si një e qeshur triumfi edhe ndaj shtetit. Rako Sirani, ja hedh edhe shtetit të tij, kur ja do interesi.
Misterin e ndihmës, që Rako Sirani i afron Nelson Andreas, sqarohet pa dashje nga vetë Rakua, kur i thotë: “Unë do të ndihmoj, jo vetëm se të kam timin, por e kam dhe detyrë shteti”. Ne që e kuptojmë se çfarë e si qenë këto detyra shteti, na mbushet trupi me mornica. “Do shikoj mos të nxjerr dhe një pasaportë të re shqiptare. Mbase të ndërroj dhe emrin, se ky që ke,… bie erë amerikanizëm. Do na hapësh punë. Mbiemrin mbaje siç e ke”, vijon Rako Sirani, të paraqesë platformën e tij ndaj “nipçes”, duke treguar dhe rrugën e “zbatimit”: “Mos e vrit mendjen. Ç’i qi t’ëmën! Shko vish teshat e reja që të kam blerë, se do të dalim në qytet. Dhe sakën, sakën: Gojën me kyç”!
Rako Sirani, përfaqëson ata nëpunësit e vegjël të shtetit, që pa arsim e kulturë, por me një shkathtësi veprimi që “nxjerr dhjamë nga pleshti”, ju ngjitën pushtetit, siç u ngjiten disa miza afrikane gjedhëve. Këto miza, thithin gjakun e gjedhëve për të jetuar, por në rast rreziku, ato largohen me shpejtësi prej tyre dhe zhurmojnë rreth sulmuesit, duke i paralajmëruar në këtë mënyrë “ushqyesit”, për afrimin e “armikut”. Kjo formë bashkëjetese, quhet “simbiozë”. Shteti mbante në simbiozë njerëz -“miza”, të tilla që i thithnin “rrogën”, për t’u ushqyer dhe si shpërblim, këto “miza”, zhurmonin rreth njerëzve që, nuk e donin shtetin. “Jam arkivist në Komitetin Ekzekutiv të qytetit, por punoj dhe atje – dhe uli tonin kapardisës të zërit – punoj dhe në Degën e Brendshme, si shifrant. Më thërrasin herë pas here”, i pohon Rako Sirani, Nelson Andreas, kinse me sinqeritet, por në fakt me përllogaritje gjer në imtësi, për ta frikësuar, që të mos revoltohet ndaj tij.
Për nga niveli i inteligjencës që kishte, Rako Sirani, kryente veprime të vogla, por duke i bërë publikisht, ky publicitet u jepte dimensione të “mëdha” dhe e paraqiste autorin, si një nismëtar kurajoz dhe besnik i partisë:..“Si përherë në ballë, shoku Rako! -Vota jonë plumb për armikun. Të rrojë Partia. Të rrojë pushteti i popullit! – pas kësaj ngrohtësie shtirakelëngëre, që të sillte të vjellën në grykë, një tjetër anëtar i komisionit, u ngrit dhe i afroi një fletore – listë, me emra”.
– “…në skenë u ngjit Anusheja, marrukja rome me dekolte ekstravagante e sisët plot…! Në të vërtetë, ishte çasti kur në dokumentar, udhëheqësi, nga tribuna e fitoreve, hidhte lule mbi popullin dhe marrukja Anushe, tërhoqi mikrofonin e ia nisi avazit: Këndo o bilbil, këndo / topemadhi i nënës – o …! Por atë çast, ai (Rako Sirani) u lëshua si zhgabonja … duke ia rrëmbyer mikrofonin nga dora. Pastaj e përmblodhi hopa dhe e zbriti pa një pa dy përposh shkallëve”.
Janë këto veprime publike, që ja “rritin”, vlerën Rako Siranit, në sytë e atyre “atje lart” dhe i japin guxim dhe shtysë për tu ngjitur “më lart”. Emërohet sekretar i Komitetit të Partisë për Artet, Kulturën e Propagandën, me detyrë që e kupton si: “Jam për të mos lejuar, pinjollët e borgjezëve e pasanikëve, që të hyjnë në art”, dhe më pas emërohet në ministri. Në qoftë se mendohet se qëllimi i Rako Siranit në jetë, është bindja politike, karriera partiake apo administrative, ky mendim buron nga veprimet e dukshme të tij, ndërkohë që ai si objektiv, ka…”floririn”. Duke punuar në Seksionin e Sekuestrimeve të Floririt, tregtarëve të pasur, në vitet e para të pas Luftës, ai njohu pasurinë, forcën e pasurisë dhe synoi në jetë pikërisht këtë pasurim.
Gjatë sekuestrimit, te familja e Kristaq Bukëvallës, tenton të krijojë lidhje dashurore me të shoqen e tij, për të arritur më pas te floriri i fshehur. Këtë qëllim ka edhe organizimi prej tij, i martesës së Nelo Andrea, me Pandorën, vajzën shurdh-memece të Bukëvallëve, e cila do trashëgonte pasurinë e tyre. E papritur dhe dështim për Rako Siranin, në këtë plan, ishte dashuria që lindi natyrshëm, mes Nelo Andreas dhe Pandorës, para së cilës u ndje i pafuqishëm. Vajtja në Ministri i dha mundësinë që të njihte situatat politike rajonale dhe botërore, ku e kuptoi se erdhi koha, që ta braktiste “kalin” e mëparshëm. Kjo është arsyeja, që u ndodh në pritjen në ambasadën amerikane, përballë me Nelson Andrean, duke na dëshmuar një nga arsyet e shumta, pse shumë ish-funksionarë e punonjës dikasteresh të kohës së monizmit, u pozicionuan djathtas në politikë, duke i shkaktuar vendit, një tranzicion të stërzgjatur.
Rako Sirani, është personazhi më i realizuar, por duhet të pranojmë se, personazhi më shpirtëror, është Pandora shurdh-memece, që dashuroi Nelson Andrean dhe luftoi të mbrojë dashurinë e saj. “Dashuri mes dy njerëzve, nuk matet nga numri i fjalëve që ata shkëmbejnë mes tyre” – thotë diku Milan Kundera. Në këtë kontekst, unë do kërkoja mirëkuptimin tuaj, që të shënoja pranë thënies së tij, se: Dashuri nuk matet as nga numri i puthjeve që shkëmbejnë partnerët. Dashuria matet nga vlaga e zjarrit, që ndezin në shpirtin e njeri tjetrit, nga besimi që mbjellin e rritin në zemrën e njeri tjetrit. Dashuria matet me ballë tërmeti, që shkakton në shpirtin e secilit, afrimi i rrezikuar, te njeri prej tyre.
Dashuria është ëndërr, është ëndërr, është e vetmja ëndërr që të vjen dy herë në jetë. Dashuria është dhimbje, është dhimbje që të godet rrëshqitazi në brinjë, e të meh frymën, të mbledh stomakun sa një grusht, të arratis gjumin nga sytë e ta vonon agimin e ditës së re. Dashuria është vetëflijim, që si një çafkë ngrihet lart, lart, klith si në një lamtumirë e zhytet thellë në det. Nuk del mbi valë përsëri, ndoshta është shndërruar në një peshk, sepse s’duhet të humbasë, s’duhet të vdesë kurrsesi. Nga mënyra se si e përshkruan Odise Kote, dashurinë e Pandorës dhe të Nelsonit, ndjejmë dhe kuptojmë se është një dashuri e përfshirë në një roman dhe jo një roman që ka të shkruar një histori dashurie.
Në kohën që Rako Sirani, gruan e tij e quan dhe e trajton si një “shkurre”, Nelson Andrea, gruan e tij shurdh-memece, nisi ta njohë e ta dojë “si gruan e tij”, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, pasi ishin të dy nën një rrezik dhe në kushte minimale jetese. “Do puthemi me buzët që kemi”, thotë një shprehje niviciote, me një kuptim shumë më tej, se puthja e mirëfilltë e dy njerëzve.
Njerëzit e vuajtur që i bashkon fati, e njohin njeri tjetrin, kur shohin se ata (njerëzit që dashurojnë), ecin në jetë dhe prania e tyre, për arsye objektive, bëhet pengesë për një ecje të mëtejshme, ata vetëflijohen dhe largohen nga jeta e njeriut që duan, duke e lënë të lirë në ngjitjen e tij: “..ajo… Iku ndoshta në vijën e saj të yllësisë. Pandorka e bukur, gruaja që i kishte dhënë gjithçka Nelo Andreas shqiptar. Ndoshta e kishte kuptuar që në kohën e re, Nelsonit amerikan, nuk mund t’i jepte dot asgjë. Mbase për këtë shkak dhe ishte larguar, ashtu siç dinte ajo: qetësisht, thjesht, pa ndërlikime, pa lamtumirë”.
Ky vetëflijim, nuk është në legjenda, këtë vetëflijim e bëjnë vetëm ato gra që përjetojnë dhimbjen dhe dashurinë e vërtetë, si e urta Pandorë.
VII- Romani “Amerikani” i Odise Kotes është nga ata libra që sado të shkruash dhe të flasësh për ‘ta, ke gjithmonë diçka të re për të thënë. Memorie.al
Futja kot,ne vitin 1967 nuk ka pasur fluturim Viene-Tirane,t'ja fuste me ndonje linje qe ekzistonte te pakten.Megjithate lejohet,liber,fiction etj.
Përgjigju