Fundjava e gjeti Iranin në një nga momentet më të tensionuara të ditëve të fundit. Protestat antiqeveritare po përshkallëzohen, pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për t’i vënë ato nën kontroll përmes paralajmërimeve të forta, ndërprerjeve të internetit dhe forcës së sigurisë në rrugë.
Që nga fillimi i protestave në vend kanë humbur jetën 65 persona dhe 2311 të tjerë janë arrestuar, ndërsa forcat e sigurisë qëlluan mbi turmën.
Spitalet janë të mbingarkuara nga numri i të plagosurve, shumica të rinj që janë goditur në kokë e në fytyrë. Të shtunën mijëra njerëz dolën sërish masivisht në rrugë. Qasja ndaj internetit është ndërprerë, ndonëse shumë banorë po përdorin internetin satelitor Starlink të Elon Musk.
Ndërkohë Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka ripërsëritur deklaratat se SHBA do ju shkojë në ndihmë protestuesve në Iran, për t'i ndihmuar që ata të rifitojnë lirinë.
Si nisën protestat dhe pse po përshkallëzohen?
Protestat shpërthyen në fund të dhjetorit 2025 si revoltë kundër krizës ekonomike dhe zhvlerësimit të fortë të monedhës vendase. Por me kalimin e ditëve, ato u përhapën në 100 qytete e 31 provinca duke u shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër regjimit të Ali Khamenei.
Ekonomia e vendit ka qenë nën një presion të fortë prej vitesh, kryesisht si rezultat i sanksioneve amerikane dhe evropiane të vendosura për të mbajtur nën fre ambiciet bërthamore të Iranit. Në qershor të 2025-ës, një luftë 12-ditore me Izraelin i shteroi më tej burimet financiare të Iranit.
Ndërsa monedha vendase po zhvlerësohet shumë ndaj dollarit, inflacioni u rrit më tej në 40% duke përbërë shkëndijen e protestave ku u bashkuan për herë të parë tregtarë dhe studentë. Këto protesta konsiderohen si më të mëdhatë që nga viti 2022.
Si po reagojnë autoritetet iraniane?
Në fillimet e protestave, qeveria u tregua vullnetmirë për t'i dëgjuar protestuesit dhe kërkesat e tyre. Madje, autoritetet planifikuan që të paguanin qytetarët me 7 dollarë në muaj si ndihmë financiare. Presidenti Masoud Pezeshkian i ka njohur shqetësimet e popullatës si legjitime por ka apeluar kundër dhunës. Për të zbutur turmat, presidenti emëroi edhe një governator të ri të Bankës Qendrore.
Por duket se këto masa nuk kanë pasur efekt, duke i detyruar autoritetet të marrin hapa më të ashpra për të nënshtruar protestuesit.
Forcat e armatosura iraniane kanë paralajmëruar se do të mbrojnë “pronën publike dhe infrastrukturën strategjike të vendit”, duke sinjalizuar një prani të shtuar të sigurisë për fundjavën.
Udhëheqësi suprem, Ali Khamenei, u shfaq sfidues në një fjalim televiziv të premten në mbrëmje, duke deklaruar se qeveria “nuk do të tërhiqet”. Ai i quajti protestuesit “vandalë që duan t’i bëjnë qejfin Donald Trumpit”.
"Republika Islamike erdhi në pushtet përmes gjakut të qindra mijëra njerëzve të nderuar dhe nuk do të zbrapset nga ata që e mohojnë këtë," deklaroi ai.
Po SHBA-të, çfarë qëndrimi mbajnë?
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA mund të ndërhyjë nëse qeveria iraniane përdor forcë ndaj protestuesve, edhe pse mbetet e paqartë se sa dhe si do t'i përmbahet paralajmërive. Sidoqoftë, Shtëpia e Bardhë e di që nuk mundet të pushtojë Iranin
Pas eksperiencës me Irakun dhe Afganistanin, Amerika nuk dëshiron më humbje jetësh amerikane jashtë vendit. Edhe ideja e një lufte 'proxy' ose thënë ndryshe, luftë e nisur nga dikush tjetër, ka dështuar 10 vjet më parë pas konfliktit mes Irakut dhe Iranit.
Megjithatë, Trump e ka një vijë të kuqe: Nëse kundërpërgjigja e regjimit ndaj protestuesve do të jetë e përgjakshme, 'armët e mrekullueshme amerikane' do t'i mbrojnë ata.
Nga ana tjetër, Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit, i ka cilësuar protestat “madhështore” dhe ka bërë thirrje për protesta të tjera të synuara, duke deklaruar se po përgatitet të kthehet në vend.
Që nga viti 1979, Republika Islamike e Iranit i ka shpallur SHBA-të dhe Izraelin si armiq të saj. Projekti iranian për eksportimin e Islamit, konsiderohet nga Tel Avivi dhe Ëashingtoni si një rrezik ekzistencial për sigurinë e tyre.
Ajatollahët nga ana tjetër po përpiqen të zgjerojnë ndikimin e tyre edhe te sunitët, një terren ku Shtetet e Bashkuara preferojnë përçarjen dhe jo bashkimin. Këtë Irani e bën duke u pozicionuar si mbrojtës të kauzës palestineze, një temë që për Izraelin konsiderohet një makth strategjik.
Për regjimin e ajatollahëve, protestat e bëjnë situatën edhe më të rrezikshme, sepse këto lëkundje të brendshme vijnë në një kohë kur përplasja me Perëndimin, tensionet me Izraelin dhe instrumentalizimi i çështjes palestineze janë pjesë e një lojë më të madhe pushteti.

Ditën e sotme, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përsëriti mbështetjen e SHBA-së për protestat në Iran.
Sipas mediave të huaja, tani senatorët amerikanë duket se po e mbështesin përfshirjen e SHBA-së në vend.
"POPULLI IRANIAN: makthi juaj i gjatë po mbaron së shpejti", shkroi republikani Lindsey Graham në mediat sociale.
"Trimëria dhe vendosmëria juaj për t'i dhënë fund shtypjes është vënë re nga Trump dhe të gjithë ata që e duan lirinë”, vijoi ai më tej.
"Kur Presidenti Trump thotë ‘Bëjeni Iranin përsëri të madh’, kjo do të thotë që protestuesit në Iran duhet të fitojnë mbi Ajatollahun", shtoi Graham.
Graham tha se Trump "e kupton" se Irani nuk do të jetë kurrë i shkëlqyer me Ajatollahun dhe ndihmësit e tij në krye.
Ai e mbylli postimin teksa shroi "Ndihma është duke ardhur".
Kujtojmë se Irani është i ‘mbërthyer’ nga protestat masive, ku mijëra njerëz kanë mbushur sheshet kryesore të qyteteve dhe kërkojnë rrëzimin e regjimit.
Presidenti Donald Trump ka thënë përsëri se vendi i tij do të ishte i gatshëm të ofronte mbështetje për ata që demonstrojnë në Iran.
Sipas mediave të huaja, në një postim të shkurtër në platformën e tij Truth Social, Trump tha: “Irani po e sheh LIRINË, ndoshta si kurrë më parë.
"SHBA-të janë të gatshme të ndihmojnë!!!", vijoi ai më tej.
Është ende e paqartë se për çfarë lloj mbështetjeje po flet Trump, pra nëse do të ketë ndërhyrje ushtarake apo jo.
Por ky është një ndryshim në retorikë nga komentet e mëparshme publike të Trumpit mbi Iranin, ku ai duket se sugjeron që SHBA-të mund të ndërmarrin veprime ushtarake.
Duke folur dje në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se do ta godiste Teheranin "shumë fort" nëse qeveria "fillon të vrasë njerëz".

Bashkimi Europian ka shprehur mbështetje të hapur për protestuesit në Iran, duke u rreshtuar në krah të atyre që “po kërkojnë liri”.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi të shtunën se “rrugët e Teheranit, ashtu si edhe qytetet në mbarë botën, po jehojnë nga hapat e grave dhe burrave iranianë që kërkojnë liri – lirinë për të folur, për t’u mbledhur, për të udhëtuar dhe mbi të gjitha për të jetuar të lirë”.
Von der Leyen dënoi ashpër shtypjen e dhunshme të protestave, duke theksuar se ata që po dhunojnë protestuesit “do të kujtohen në anën e gabuar të historisë”.
Von der Leyen bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesve të arrestuar, rikthimin e plotë të aksesit në internet dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut, duke nënvizuar se Bashkimi Europian qëndron “plotësisht” në krah të popullit iranian.

Deklarata vjen ndërsa gjatë ditës dhjetra protestues u mblodhën para ambasadës së Iranit në Bruksel

Pamje nga protesta para ambasadës së Iranit në Londër
Revolucionet rrallëherë bien në sy që në momentin kur nisin. Shpesh, pushteti vazhdon rutinën sikur asgjë nuk po ndodh. Edhe tani, Ali Khamenei shfaqet si zakonisht para mbështetësve të tij, ndërsa në rrugë pritet interneti , protestuesit qëllohen dhe arrestohen. Ai i quan “vandalë që duan t’i bëjnë qejfin Trumpit”. Ndoshta një ditë historia do ta quajë këtë verbëri. Ose arrogancë.
Irani, në fakt, ka vite që lëkunded Që nga viti 2009, kur miliona njerëz dolën në rrugë kundër manipulimit të zgjedhjeve, regjimi kishte një shans të reformohej. Zgjodhi shtypjen. Sot është edhe më i dobët: i goditur nga dekada sanksionesh, i izoluar dhe i ekspozuar pas goditjeve që Izraeli i ka dhënë boshtit iranian në rajon.
Ku ndryshon kjo revoltë nga të tjerat?
Këtë herë po ndodh diçka që më parë ndodhte rrallë: pakënaqësia politike dhe ajo ekonomike janë bashkuar.
Në rrugë po dalin bashkë të varfërit, studentët dhe tregtarët, të cilët tradicionalisht kanë qenë pranë regjimit.
Dhe mbi të gjitha, është shfaqur një faktor i tretë vendimtar: pakicat etnike. Protestat më të përgjakshme kanë ndodhur në zonat kurde, azere dhe arabe. Nuk është rastësi që Mahsa Amini, simboli i revoltës “Grua, Jetë, Liri”, ishte kurde.
Kur të papunët, klasa e mesme dhe pakicat lëvizin së bashku, regjimi e ka shumë më të vështirë të mbijetojë.
Por pushteti ende nuk ka rënë
Regjimi iranian mbetet i fortë. Ka aparate represive besnike dhe mban një kontroll ekonomik mbi familjet: “mbaje djalin në shtëpi ose humb punën”. Frika ende funksionon.
Por ka edhe një dimension tjetër, më të madh se vetë Irani.
Që nga viti 1979, Republika Islamike është armike e Shtetet e Bashkuara dhe Izraelit. Armiqësi e ndërsjellë. Projekti iranian për të eksportuar islamin shiit shihet si kërcënim ekzistencial nga Izraeli dhe strategjik nga Uashingtoni. Ajatollahët kërkojnë ndikim edhe mes sunitëve – pikërisht ajo që SHBA-të nuk e duan: unitetin e botës islame.
Kjo revoltë nuk ndodh në vakum. Ndodh në mes të një lufte të ftohtë rajonale. Dhe kjo e bën më të rrezikshme për regjimin.
Çfarë po bën Amerika?
Uashingtoni e di se nuk mund ta pushtojë Iranin. Iraku dhe Afganistani janë ende plagë të hapura. Megjithatë, Donald Trump ka vendosur një vijë të kuqe: nëse represioni kthehet në masakër, SHBA-të do të ndërhyjnë ushtarakisht, me bomba dhe jo me trupa në terren.
Dikur, opozita iraniane e refuzonte hapur ndërhyrjen e huaj. Sot, kjo tabu po lëkundet.
Roli i Pahlavit dhe nostalgjia për monarkinë
Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit, është vënë në lëvizje. Nga mërgimi, mes Los Angelesit dhe Parisit, ai u bën thirrje iranianëve për revolucion. Pahlavi ka mbështetje të dukshme në diasporë. Madje edhe në rrugë dëgjohen thirrje për kthimin e tij.
Më 13 janar Pahlavi pritet të jetë në rezidencën e Trump në Mar-a-Lago, duke u ofruar si figurë tranzicioni. Nostalgjia për monarkinë po shtohet mbi zhgënjimin ekonomik dhe politik.
Por a mjafton kjo për ta rrëzuar regjimin? Jo.
Dy skenarë të errët
Sipas analizës së Corriere della Seras, ka dy rrugë të mundshme:
Skenari “libanez–venezuelian”
Goditje kirurgjikale ndaj udhëheqjes: inteligjencë, avionë luftarakë, eliminim i “kokës së gjarprit”. Senatorë amerikanë flasin hapur për eliminimin e Khameneit ndërsa Trump nuk njihet për skrupuj ligjorë.
Skenari sirian
Armatosje dhe financim i çdo grupi kundër regjimit. Një luftë e gjatë, shkatërruese. Në Siri mori 650 mijë jetë njerëzish. Regjimi ra, por vendi u shkatërrua.
Vetë Irani shpreson të mos përfundojë kështu.
Por historia rrallë sillet sipas shpresës. /CorrieredellaSera

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka akuzuar shërbimin sekret izraelit, Mossad, se po shfrytëzon protestat në Iran për të destabilizuar Republikën Islamike dhe për të nxitur një konflikt më të gjerë në rajon.
Në një intervistë televizive, Fidan u shpreh se Izraeli po vepron hapur, duke përdorur pakënaqësitë e brendshme ekonomike në Iran, për të dobësuar regjimin e Ajatollahwve në Teheran.
“S’ka asgjë të fshehtë këtu. Mossadi nuk po e fsheh fare,” deklaroi Fidan. “Ata po u bëjnë thirrje iranianëve të ngrihen kundër regjimit përmes internetit dhe llogarive të tyre në Twitter.”
Sipas tij, këto veprime janë pjesë e një strategjie më të gjerë të qeverisë izraelite për të përshkallëzuar tensionet në Lindjen e Mesme. Fidan akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se po kërkon me çdo kusht një konflikt rajonal, duke përdorur krizën në Iran si mjet presioni.
Agjencia amerikane e lajmeve Human Rights Activists News Agency (HRANA) raporton se numri i viktimave nga protestat në Iran ka arritur në 65 të vrarë, por sipas tyre kjo shifër konsiderohet e ulët sepse përfshin vetëm viktimat e identifikuara.
Mësohet se shumica e të vrarëve janë regjistruar jashtë Teheranit, në provincat Chaharmahal e Bakhtiari, Ilam, Kermanshah dhe Fars. Sipas HRANA-s, 2.311 persona janë arrestuar.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta britanike The Telegraph, niveli i alarmit i vendosur nga Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei është më i lartë edhe se gjatë luftës së qershorit me Izraelin. Prokurori i Përgjithshëm iranian ka njoftuar se protestuesit do të akuzohen si “armiq të Zotit” (mohareb), një krim që dënohet me dënim me vdekje.
Megjithatë, disa raportime janë edhe më alarmante: një mjek i ka thënë revistës Time se 217 protestues janë vrarë vetëm në Teheran, bazuar në të dhënat e gjashtë spitaleve të kryeqytetit, pas hapjes së zjarrit ndaj demonstruesve nga autoritetet iraniane.
Mjeku që foli për 217 viktima tha se autoritetet iraniane i kanë larguar trupat e pajetë nga spitali të premten. Sipas tij, shumica e viktimave ishin të rinj, përfshirë disa që u vranë pranë një stacioni policie në veri të Teheranit, ku forcat e sigurisë qëlluan me mitralozë ndaj protestuesve, të cilët vdiqën në vend. Aktivistët raportojnë se të paktën 30 persona janë qëlluar në atë zonë.
Protestat, të cilat shpërthyen më 28 dhjetor për shkak të krizës ekonomike dhe kundër regjimit të Republikës Islamike, kanë vazhduar edhe pse autoritetet kanë vendosur një bllokim të internetit. Sipas organizatës Netblocks, që monitoron rrjetin global digjital, ndërprerja e lidhjes ka zgjatur më shumë se 36 orë, duke kufizuar përhapjen e lajmeve dhe komunikimin.
Në disa qytete të Iranit, sipas pamjeve video që nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, janë djegur automjete të forcave të sigurisë, ndërsa autoritetet kanë hapur zjarr ndaj protestuesve për të shtypur demonstratat.
Pavarësisht bllokimit të internetit, media ndërkombëtare kanë arritur të lidhen me disa spitale në Iran përmes lidhjes satelitore Starlink. Për BBC-në, një mjek dhe një punonjës social kanë folur për spitale që janë të mbingarkuara nga numri i të plagosurve.
Një mjek ka deklaruar se një spital okulistik në Teheran ka kaluar në gjendje emergjence, ndërsa BBC ka marrë edhe një mesazh nga një mjek tjetër që thoshte se nuk kishte mjaft kirurgë për të përballuar fluksin e pacientëve. Një mjek iranian, i cili kontaktoi BBC-në mbrëmjen e djeshme përmes Starlink, tha se spitali Farabi, qendra kryesore okulistike e Teheranit, ka hyrë në modalitet krize dhe se shërbimet emergjente janë të tejmbushura. Sipas tij, janë pezulluar shtrimet dhe ndërhyrjet kirurgjikale jo urgjente, ndërsa i gjithë stafi është angazhuar për rastet emergjente.
Të enjten, BBC kishte marrë gjithashtu mesazhe video dhe audio nga një mjek në një spital në qytetin jugperëndimor të Shirazit. Mjeku raportoi se një numër shumë i madh të plagosurish ishte sjellë në spital dhe se mungesa e kirurgëve e kishte bërë situatën edhe më të vështirë. Ai shtoi se shumë prej të plagosurve kishin plagë nga armë zjarri në kokë dhe sy, një shenjë tipike e shtypjes së dhunshme të protestave.

Pamje nga protestat në Teheran
Protestat kundër regjimit në Iran kanë hyrë në një “nivel të ri” dhe mund të jenë gjithnjë e më të vështira për t’u shtypur nga autoritetet.
Ky është paralajmërimi i Ali Fathollah-Nejad, drejtor i Qendrës për Lindjen e Mesme dhe Rendin Global. Gjatë një interviste për CNN, ai tha se nëse protestat arrijnë të ruajnë vrullin e tyre, represioni shtetëror nuk do të jetë i mjaftueshëm për t’i ndalur.
“Nëse momentumi i këtyre protestave vazhdon, shtypja do të bëhet shumë më e vështirë, në mos e pamjaftueshme,” tha ai për CNN.
Sipas Fathollah-Nejad, një situatë e tillë mund të çojë edhe në çarje brenda elitës së pushtetit dhe aparatit represiv, teksa strukturat e regjimit kuptojnë se nuk mund ta kthejnë më rrjedhën e ngjarjeve.
Edhe nëse protestat shtypen përkohësisht, kjo nuk do të përbënte një fitore afatgjatë për regjimin.
“Pakënaqësitë janë shumë të thella, reformat strukturore mungojnë dhe hendeku mes shtetit dhe shoqërisë është bërë i pakthyeshëm,” vlerëson ai.
Ndryshe nga herët e tjera, protestat e fundit nisën në pazaret e kryeqytetit pikërisht nga tregtarët të cilët tradicionalisht kanë qenë mbështetës të Republikës Islamike.
“Është ironia e fatit që grupi që ndihmoi në lindjen e Revolucionit Islamik të vitit 1979, sot mund të shndërrohet në varrmihësin e tij", thotë Fathollah-Nejad.
Dy regjisorë të shquar iranianë, Jafar Panahi dhe Monhammad Rasoulof, kanë lëshuar sot një deklaratë të përbashkët në mediat sociale, duke dënuar dhunën e autoriteteve kundër protestuesve.
"Pas pranisë së miliona iranianëve në rrugë duke protestuar kundër Republikës Islamike, qeveria është drejtuar përsëri ndaj mjeteve të saj të represionit", shkruan regjisorët e filmit, raportojnë mediat e huaja.
Ata shtuan se ishin "thellësisht të shqetësuar" për jetën e iranianëve dhe i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të lehtësojë aksesin në informacione jetësore.
“Historia dëshmon se heshtja e sotme do të ketë pasoja të trishtueshme në të ardhmen”, shkruan ata.
Panahi është një nga vetëm katër regjisorët që kanë fituar çmimet kryesore të tre festivaleve kryesore të filmit në Evropë, duke përfshirë Kanën, Venecian dhe Berlinin. Filmi i Rasoulof, “Fara e Fikut të Shenjtë”, u nominua për çmimin Oscar vitin e kaluar.
Panahi ka vuajtur më parë dënime me burg në Iran. Rasoulof iku nga Irani në Gjermani në vitin 2024.
Agjencia e lajmeve Tasnim në Iran njoftoi se të hënën në Teheran do të mbahen kundërprotesta ndaj demonstratave anti-qeveritare.
Sipas Agjencisë së Lajmeve Tasnim, e cila është i lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit, që i përgjigjet udhëheqësit suprem, mesazhi i këtyre kundër-protestave do të ishte “të dënoheshin veprimet e protestuesve dhe terroristëve të armatosur”.
Kundër-protesta e pare do të zhvillohet nga ora 14:00, sipas kohës lokale, në sheshin Enqelab në qendër të Teheranit.
Nga raportet paraprake, nuk ishte ende e qartë se kush qëndronte pas protestave, por mediat e huaja besojnë gjerësisht se pas tyre qëndron lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei.
Këto kundër-protesta rrezikojnë ta fusin vendin në një përplasje civile të armatosur.
Kujtojmë se protesta masive kanë shpërthyer në Iran prej ditësh. Gjatë këtyre protestave ka pasur viktima dhe shumë të plagosur.
Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohammad Movahedi Azad, tha në një deklaratë se të gjithë protestuesit do të akuzohen si ‘armiq të Zotit’ ose ‘mohareb’.
Sipas mediave të huaja, komentet Azad i bëri përmes një deklarate, e cila u raportua nga mediat shtetërore iraniane.
Vepra penale të cilën përmendi Prokurori i Përgjithshëm për protestuesit, në Iran dënohet me dënim me vdekje.
“Kjo do të vlente për rebelët dhe terroristët që dëmtuan pronën dhe minuan sigurinë, si dhe për ata që i ndihmuan”, tha mes të tjerash Movahedi Azad.
“Prokurorët duhet të përgatisin shpejt gjyqet dhe të mos tregojnë asnjë butësi, dhembshuri apo tolerancë”, shtoi ai.
Prokurori i Teheranit, Ali Salehi, tha gjithashtu dje se protestuesit mund të përballen me akuzën e ‘moharebit’.
Komente





