“Edhe pse ishte ministër i Zogut në disa kabinete, e deri në ’44-ën nën gjermanët, me ndërhyrjen e prof. Budës, u lirua nga burgu…”/ Historia e rrallë e Dr. Rrok Gerës

“Edhe pse ishte ministër i Zogut në disa kabinete, e deri në ’44-ën nën gjermanët, me ndërhyrjen e prof. Budës, u lirua nga burgu…”/ Historia e rrallë e Dr. Rrok Gerës

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Rrok Gerës nga qyteti i Shkodrës, i cili pasi studioi për tetë vite në Linz dhe Vienë të Austrisë, ku u diplomua me gradën “Doktor në Shkencat Ekonomike”, erdhi në Shqipëri dhe gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, deri në vitin 1944, shërbeu në funksione të larta shtetërore, si ministër i Financave, i Ekonomisë Kombëtare etj. E gjithë karriera profesionale si specialist i Financave dhe peripecitë e tij që nga internimi në Itali si antifashist, tek dënimi nga regjimi komunist i Enver Hoxhës me Gjyqin Special, i cili në vitin 1958, pas ndërhyrjes së mikut të tij të ngushtëë, Prof. Dr. Aleks Buda, Gjykata e Lartë e liroi nga burgu i Burrelit ku vuante dënimin, duke i dhënë pafajësinë.

Rrok Gera lindi me 15 gusht të vitit 1901 në qytetin e Shkodrës dhe ai ishte më i vogli i fëmijëve të Zef Nikollë Gerës dhe Luçiije Vasës (e fisit të Pashko Vasës). Shtëpia e Gerajve ndodhej në lagjen “Firçej” vetëm pak metra pas Kishës së Madhe, ndërkohë që familja e tyre, figuronte në rregjistrat e Shkodrës, që në fillimin e shekullit XVIII. Babai i Rrokut, Zef Nikollë Gera, kishte një dyqan rrobaqepsie, ku qepte veshje kombëtare, në të cilën punonin 12 vetë, dhe me këtë punë ai mbante familjen e tij prej 11 anëtarësh. Zefi ishte një burrë i urtë dhe shpesh herë thirrej për të ndarë gjyqësitë e ndryshme, pasi gëzonte respektin e familjeve shkodrane. Në atë kapërcim shekulli kur lindi Rroku, Shkodra ishte një qytet me konture europiane, pasi kishte një zhvillim të gjithanshëm dhe në një nivel shumë më të lartë se çdo qytet tjetër i vëndit. Asokohe në shkollat dhe kolegjet e Shkodrës, kryesisht ato fetare, jepnin mësime njerëz tejet të përgatitur që ishin diplomuar në universitetet e ndryshme të Europës dhe më gjerë, të cilët përbënin edhe bazat e dijes dhe kulturës që u reflektua më pas tek nxënësit e tyre që vinin nga i gjithë vendi. Në një nga këto shkolla, në Kolegjin Saverian, studioi dhe Rrok Gera.

Tetë vite studime në Vienë

Pas mbarrimit të fillores dhe shkollës unike, Rroku ndoqi gjimnazin po në qytetin e lindjes, të cilin e vazhdoi më pas në Vienë, pasi në vitin 1917, si shumë djem të rinj të asaj kohe, edhe ai mori bursë nga shteti austriak. Më pas, ai vazhdoi studimet pranë Akademisë Tregtare të Linzit, të cilën e përfundoi në vitin 1925. Pas mbarimit të Akademisë Tregtare, Rroku fitoi një bursë dhe vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Marrëdhënieve Ekonomike Ndërkombëtare në Universitetin e Vienës. Gjatë periudhës së studimeve në Austri, përveç lëndëve shkollore që ai i përvetësoi me pasion të rrallë, Rroku përfitoi gjithashtu edhe një formim të përgjithshëm dhe kulturë të gjerë edhe në fusha të tjera të jetës. Njëkohësisht, gjatë atyre viteve ai ishte tepër aktiv në shoqatat e ndryshme atdhetare të studentëve shqiptar, si ajo me emrin “Albania”, duke u aktivizuar edhe me shkrime në organin e saj, revistën “Djalëria”, ku ai trajtonte probleme ekonomike dhe financiare. Aktivizimi në këto ambiente, bëri që Rroku të zinte miqësi me bashkëpatriotë të tij që studionin edhe në Vjenë, si Frederik Shiroka, Aleks Buda, Sokrat Dodbiba, Kolë Mirdita (Helenau) Daniel Rodiqi, Skënder Luarasi, etj. Më 12 ķorrik të vitit 1928, ai mbrojti disertacionin me rezultate të shkëlqyera. Thuhet se pas përgjigjeve të dhëna nga studenti Gera, antarët e komisionit provues dhe gjithë auditori, e kanë duartrokitur atë për disa minuta me rradhë. Pasi mbaroi dhe praktikën në një bankë të njohur të Vienës, ku ai fitoi dhe gradën shkencore “Doktor në Shkencat Ekonomike”, në gusht të vitit 1928, Rroku u kthye përfundimisht në Shqipëri.

Kthimi në Shqipëri dhe puna në strukturat e shtetit

Më 19 maj të vitit 1929, gati një vit pasi kishte ndenjur në pritje për t’u marrë në punë në administratën shtetërore, Rrok Gerës i ofrohet posti i shefit të Seksionit Finaciar në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare dhe i zv/komisarit për shoqëritë anonime (me ministër Dhimitër Tutulanin dhe Kryeministër Koço Kotën). Pikërisht në këtë periudhë kohe, Rrok Gera shoqëroi shkrimtarin e njohur austriak me origjinë çeke, Friedrisch Ëallisch, i cili bashkë me zonjën e tij udhëtoi nëpër Shqipëri, dhe në bazë të përshtypjeve të këtij udhëtimi, ai botoi në Shtutgart në vitin 1931, librin me titull “Neuland Albanien” (Shqipëria, një vend në zhvillim). Në mes të rreshtave të atij libri, midis të tjerash autori shkruante: “Më shoqëron Rrok Gera, një zyrtar ministrie, një gjysmë vienez, i kulturuar deri në majë të gishtave, që ka mbaruar shkollën e mesme në Linz, të lartën në Vjen dhe në moshë të re ka arritur sukses në detyra shtetërore”. Më 18 qershor të vitit 1930, Gera emërohet sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Financave, ku titullar ishte Kolë Thaçi. Ashtu si një numër i madh intelektualësh që kishin mbaruar studimet e larta jashtë vendit, edhe Rrok Gera filloi të zbatonte me entuziazëm të madh njohuritë e konceptet moderne që kishte përfituar në Vienë. Ndërkohë me punën e tij, ai arriti të bëhet një person mjaft i njohur në rrethet financiare të Shqipërisë së asaj kohe. Nuk është e rastit që nga viti 1930 deri në 1934-ën, në Ministrinë e Financave ku ai ishte sekretar i përgjithshëm, u përgatitën një numër i madh projektligjesh të rëndësishme, kryesisht për çështjet e taksave dhe doganave. Ndërkohë Lidhja e Kombeve me qendër në Gjenevë e zgjodhi Rrok Gerën “Anëtar korrespodent të Komisionit të saj Financiar”. Në janar të vitit 1932, Gera në bashkëpunim me Sokrat Dodbibën, themeluan revistën “Ekonomisti Shqiptar”. Më 25 shkurt 1935, Rroku krijoj familje duke u martuar në Shkodër me Gjyljeta Shkrelin, të bijën e një tregtari të njohur shkodran, Lec Shkreli. Gjyljeta kishte studiuar për tetë vite me radhë në një kolegj të Dubrovnikut në Kroaci, ku dhe kishte marrë një formim të gjithanshëm. Ajo njihte shumë mirë disa gjuhë të huaja, letërsinë botërore, pikturonte, luante shumë mirë në piano dhe shquhej për kulturën e saj të gjerë.

Gera, anëtar i kabinetit të Mehdi Frashërit

Në tetor të vitit 1935, Mbreti Zog planifikoi formimin e një qeverie të re, nën drejtimin e Mehdi Frashërit, e cila konciderohej si liberale, duke dhëne ndoshta dhe shenjën më të mirë të dëshirës së tij për modernizimin e vendit. Për formimin e kabinetit të tij qeveritar. Mehdi beu nuk mbajti asnjë prej ministrave të kabinetit të fundit të drejtuar nga Pandeli Evangjeli. I ashtuquajturi “Grupi i Besës” u përjashtua prej të gjitha posteve të rëndësishme dhe në vend të tij në qeveri erdhën një grup ministrash të rinj në moshë, të cilët ishin të arsimuar mirë dhe të mbrojtur me dëshirën për ta nxjerrë administratën shqiptare prej hendekut ku ndodhej, dhe për ta futur atë në rrugën e rregullit dhe efikasitetit. Rrok Gera ishte planifikuar në përbërje të këtij kabineti dhe kështu më 25 tetor 1935, ai emërohet ministër i Financave në qeverinë e “të rinjve”, të kryesor nga Mehdi Frashëri. Së bashku me të, në atë kabinet ishin dhe shokët e tij të shkollës në Vienë, si Fuat Asllani, Nush Bushati, Ndoc Naraci dhe Anton Krajni. Ndërmjet shumë urimeve që Rroku mori për detyrën e re, ishte dhe ai i At Gjergj Fishtës, të cilit Gera i’u përgjigj nga Tirana me anë të një telegrami, i cili ruhet edhe sot në familjen e tij. Natyra ambicioze e programit të qeverisë së “të rinjëve”, bëri menjëherë shumë kundërshtar dhe si rezultat i kësaj, në mes qeverisë liberale e Parlamentit (asokohe ai përbëhej prej shumë nga ish anëtarët e kabinetit të Pandeli Evangjelit), lindën menjëherë shumë probleme dhe kontradita. Dhe si rezultat, në nëntor të vitit 1936, qeveria e Mehdi Frashërit dha dorëheqjen, pas një votimi mosbesimi në Patlament. Kjo përbën rastin e vetëm në historinë e shtetit shqiptar që nga krijimi i tij në 1912-ën, kur një qeveri bie nga votat e Parlamentit. Si rezultat, shumë projekte e nisma mbetën në mes dhe idetë e hovi i të “rinjëve” u frenuan nga konjukturat e kohës.

Dokumentet britanike për Rrok Gerën

Lidhur me ato zhvillime të politikës shqiptare të asaj periudhe kohe, në dokumentet e Ministrisë së Jashtëme të Britanisë së Madhe (Foreign Offis) ku bëhet fjalë për politikanët shqiptar të viteve 1930-1940, për Rrok Gerën shkruhej: ”Rrok Gera, i kufizuar në iniciativat për ndryshime radikale në financat”. Lindi në Shkodër në vitin 1901 dhe kreu shkollën në Kolegjin e Jezuitëve aty. Studimet e larta i kreu në Vjenë ku u diplomua në Drejtësi dhe Ekonomi. Fliste gjermanisht, italisht dhe frengjisht. Në vitin 1932 u caktua Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave. Në Tetor të vitit 1935, ju dha portofoli i Ministrit të Financave në kabinetin e Mehdi Frashërit. Përveç njohurive teknike dhe eksperiencës së punës në këtë departament, ai erdhi në vendin e tij të punës plot entuziazëm. Por ai pati liri të kufizuar për iniciativat e tij për të bërë ndryshime radikale në administratën financiare gjatë qëndrimit për një kohë të shkurtër të Qeverisë Frashëri. Ai u emërua Kryetar i Këshillit Auditiv në prill të vitit 1937, dhe ministër i Ekonomisë Kombëtare, kur Qeveria e fundit u rikonstruktua pjesërisht në fund të majit të vitit 1938. (Prof. Dr. Luan Malltezi, Raport i “Foreing Offis”, për emrat e 69 politikanëve shqiptarë të viteve ’30-’40).

Në 1938, ministër i Ekonomisë Kombëtare

Pas dorëheqjes së qeverisë së Mehdi Frashërit, më 7 nëntor të vitit 1936, Rrok Gera emërohet kryetar i Këshillit Auditiv të shtetit shqiptar. Pasi shërbeu për rreth një viti e gjysëm, në krye të atij institucioni, më 5 qershor të vitit 1938 u emërua në postin e Ekonomisë Kombëtare, detyrë të cilën e ushtroi me përkushtim të madh deri në pasditen e 7 prillit të vitit 1939, kur vendi u pushtua nga Italia fashiste. Gjatë këtyre viteve, Gera ishte ndër figurat më të spikatura dhe në çdo ceremoni solemne, ai do të ishte i pranishëm me fjalën e tij. Kështu ndodhi edhe ditën e parë të krijimit të “Radio Tiranës”, më 28 nëntor 1938, ku në orët e pasdites, Rrok Gera, ministër i Ekonomisë Kombëtare, ishte ftuar për 15 minuta në intervistën e parë të realizuar në studion e kësaj radioje. Po në vitin 1938, Rrok Gera preu shiritin e përurimit të godinës së re të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ku dhe mbajti fjalën e rastit. Ndërsa më 3 mars të vitit 1939, ai shkoi në Vatikan si përfaqësues i Shqipërisë për të marrë pjesë në shugurimin e kreut të Selisë së Shenjtë, Papa Piu XII.

Negociatat e Gerës më 7 prill me italianët si i dërguar i Zogut

Në vijim të atmosferës shumë të rëndë që kishte mbërthyer vëndin në ditët e para të prillit të vitit 1939 dhe në një përpjekje për të shpëtuar diçka, Mbreti Zog i përcolli Jakomonit propozimin për nënshkrimin e një marrëveshjeje ushtarake, për të përligjur praninë e trupave italiane në Shqipëri, si dhe për të shmangur një gjakderdhje të mundëshme. Përfaqësuesi italian, në orët e para të mëngjezit të 7 prillit, morri një tjetër telegram të Musolinit, për ta përcjellë te Mbreti Zog, në të cilën thuhej: “Mbreti Shqiptar mund të dërgonte në Durrës përfaqësuesin e tij fuqiplotë, për të diskuituar marrëveshjen ushtarake me gjeneral Guzzonin, komandanti i trupave italiane”. Gjatë gjithë kësaj kohe, personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, ishin vazhdimisht në një mbledhje me Mbretin Zog në shtëpinë e kryeministrit, Koço Kotta, ku u vendos që për të negociuar me gjeneral Guzzonin, ministri i Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera, i shoqëruar nga koloneli i Shtabit të Përgjithshëm, Sami Koka. Ndërkohë, delegacioni shqiptar i përbërë nga Rrok Gera, Sami Koka dhe kolonel Gabrrielli, (Shefhi i Misionit Ushtarak Italian në Shqipëri), u nis drejt qytetit të Durrësit. Ata ishin të paisur me letër-kredenciale që sipas të dërguarit të Romës në Shqipëri, Francesko Jakomoni, ishte përpiluar në gjuhën franceze. Disa vite më vonë, në kujtimet e tij, midis të tjerash Jakomoni do të shkruante: “Kolonel Gabrrielli, (Shefi i Misonit Ushtarak Italian në Shqipëri që kishte marrë pjesë në bisedime), i raportoi atij se: Rrok Gera kishte kushëtëzuar përfundimin e marrëveshjes ushtarake me pranimin e kundër-propozimeve të njohura shqiptare për traktatin e një aleance të ngushtë. Më pas u vendos të mbahej një tjetër takim në orën 16 pasdite. Por rrethanat bënë që ai takim të mos realizohej dhe të mos mbetej tjetër, veçse avancimit të trupave fashiste për pushtimin e Shqipërisë. Si përfundim, edhe pse bisedimet e delegacioniot shqiptar me në krye Rrok Gerën, nuk patën rezultat, ky akt mbetet në histori, si përpjekja e fundit për të parandaluar pushtimin italian të 7 prillit të vitit 1939. Sipas dëshmive të të afërmeve të tij, duke kujtuar atë që ai përjetoi, atë “të premte të zezë”, edhe shumë kohë më vonë, pasi kishte kaluar vite shumë të vështira gjatë diktaturës, Rrok Gera e cilësonte 7 prillin, si ditën më të rëndë të jetës së tij.

Internimi i Gerës në Itali si antifashist

Pas pak javësh, Rrok Gera do të shkonte përsëri në Itali, por këtë rradhë, jo më si përfaqësues i shtetit shqiptar, por i internuar nga autoritetet italiane si antifashist. Ndonëse kishte punuar për rreth 10 vite në krye të Financave dhe Ekonomisë së vendit, në 7 prillin e vitit 1939, ndërsa Rrok Gera kaloi kufirin për të shkuar drejt Greqisë, kishte me vete vetëm 200 napolona ari letër, duke mos lënë në Shqipëri kurrfarë pasurie. Pak ditë pas largimit për në Greqi, Gera me familjen e tij, kërkoi të kthehej në atdhe, por autoritetet italiane të pushtimit nuk i dhanë leje qëndrimi në Shqipëri, duke e internuar atë në Itali. Pas disa kërkesave dhe deklarimeve se nuk do të merrej me aktivitet politik, pas një viti internimi, autoritetet italiane i dhanë më në fund Rrok Gerës lejen për t’u kthyer në atdhe. Pas kthimit në Shqipëri, Gera filloi të merret me tregëti private dhe e vazhdoi këtë lloj aktiviteti gjatë gjithë periudhës së okupacionit. Doktor Hubert Neuvirth, aktualisht drejtor i referatit për Shqipërinë në Agjensinë Austriake të Zhvillimit, në librin e tij “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri (1939-1944)”, i kategorizon në disa grupe personalitetet politike shqiptare. Në pikën tre të kësaj ndarjeje, Neuvirth e rendit Rrok Gerën krahas Faik Konicës, Mehdi e Mit’hat Frashërit etj., të cilët përfaqësojnë personalitetet më të ndershme e të qëndrueshëm në pikëpamjet e tyre lidhur me vendin dhe çështjen kombëtare.

Ministër i Financave në Qeverinë e Fiqiri Dines

Gjatë vitit 1944, Rrok Gera projektoi dhe mbrojti me forcë projektin e kombëtarizimit të Bankës Kombëtare Shqiptare, që konsistonte në shtetëzimin e një pjese të aksioneve të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, që në atë kohë ishin në duart e aksionerëve Italian. Në një numër dokumentash e librash që trajtojnë çështjen në fjalë, si dhe në ditarin e Drejtorisë Qëndrore të Bankës Kombëtare Shqiptare, del qartë roli parësor i Rrok Gerës në përpjekjet për realizimin e kombëtarizimit të Bankës, por dhe i atyre që duke qenë në poste të larta shtetrore, u vunë në shërbim të një grupi financiar të huaj dhe e sabotuan këtë projekt. Ndërkohë që drejtuesit italianë të Bankës ishin shumë të shqetësuar për projektin në fjalë, në maj të vitit 1944, Rrok Gera shkoi në Itali me synimin për të zhvilluar bisedime me grupin financiar Italian, rreth projekteve të qeverisë shqiptare të asaj kohe për kombëtarizimin e Bankës Kombëtare Shqiptare. Për këtë mision, atij i ishte dhënë më 10 maj të vitit 1944 edhe një mandat që e caktonte ministër fuqiplotë të klasit të parë, me të drejta për të vendosur në bisedimet me italianët lidhur me çështjen në fjalë. Më 18 korrik të vitit 1944, u formua qeveria me kryeministër Fiqiri Dinen, pjesë e kabinetit të së cilës ishte dhe Rrok Gera. Ai pranoi të ishte pjesë e këtij kabineti, me mendimin për të realizuar projektin e tij për kombëtarizimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Nga ana tjetër, gjermanët ishin të shqetësuar pasi nuk u ishte marrë mendimi për anëtarët e atij kabineti. Shqetësimi gjerman për këtë veprim të shqiptarëve shprehej qartë në telegramin e të dërguarit special të Gjermanisë për Evropën Juglindore, Nojbauer, i cili më 21 korrik të vitit 1944, i drejtohej Konsullatës së Përgjithëshme të Gjermanisë në Tiranë, duke i shkruar se: “Autoriteteve shqiptare duhej t’u bëhej e ditur se gjermanët nuk mund të lejonin që të viheshin para fakteve të kryera”. Në fund të gushtit të vitit 1944, Këshilli i Ministrave shqyrtoi në mbledhjen e tij projekligjin për kombëtarizimin e Bankës Kombëtare Shqiptare, por ndërkohë drejtuesit italianë të Bankës, kishin marrë masat për ta minuar projektin. Dokumentet tregojnë se Rrok Gera, në funksionin e ministrit të Financave, mbrojti me këmbëngulje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, propozimin e tij për kombëtarizim të Bankës. Gjë e cila parashikonte shtetëzimin e një pjese të aksioneve të asaj banke në favor të shtetit shqiptar. Por duke parë kundërshitimin e vendosur të shumë prej anëtarëve të qeverisë, Gera kërkoi që dokumenti të mbetej të paktën në akte, si provë e përpjekjeve të asaj qeverie, në dobi të ekonomisë së vendit. Pak kohë pas rrëzimit të projektligjit të tij, Gera largohet nga posti i ministrit. Në fund të gushtit 1944, qeveria e Fiqiri Dines dha dorëheqjen dhe Rroku u kthye pranë familjes së tij në Shkodër, ku dhe e gjeti mabrimi i luftës. Në atë kohë të turbullt, disa persona i sugjeruan Gerës të largohej nga vendi, por ai ishte i prerë në vendimin e tij për të qëndruar në Shqipëri, sepse ishte i bindur se gjithçka që kishte bërë, kishte qenë në të mirë të vendit.

Emërimi i Rrok Gerës si ambasador në Berlin

Gjatë gjysmës së parë të vitit 1944, Rrok Gera nuk pati asnjë funksion shtetëror, por megjithatë i shërbeu vendit në disa misione shumë të rëndësishme diplomatike. Ndër këto veçohet shkuarja e tij në përbërje të delegacioni që negocioi me gjermanët lidhur me sasinë e arit shqiptar të rrëmbyer dhe të vendosur prej tyre në Berlin dhe misioni në Itali për të diskutuar me aksionerët Italian të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, lidhur me projektin për “kombëtarizimin” e kësaj Banke. Në verën e vitit 1944, gjermanët menduan të ngrinin funksionin e Konsullit të Përgjithshëm të tyre në nivelin e ambasadorit dhe si ambasador i Shqipërisë në Berlin, më 13 korrik 1944, u caktua Rrok Gera. Por siç shkruan Bernd Fisher në librin e tij “Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945”, ai nuk e mori kurrë faktikisht këtë detyrë, pasi vetëm disa ditë më vonë, më 18 korrik të atij viti, u emërua në postin e ministrit të Financave në qeverinë e Fiqiri Dines. Pra Gera nuk shkoi kurrë si ambasador në Berlin dhe në vend të tij, në atë detyrë shkoi Rauf Fico.

Gjyqi Special, vuajtja e dënimit dhe lirimi nga burgu i Burrelit

Pas mbarimit të luftës, në janar të vitit 1945, Rrok Gera u arrestua nga komunistët e sapo ardhur në pushtet. Gjyqi ndaj tij ishte pjesë e Gjyqit Special të zhvilluar në Tiranë gjatë periudhës shkurt- prill 1945, në të cilin gjykoheshin rreth 60 persona, ish funksionar të lartë të qeverive shqiptare që nga krijimi i shtetit shqiptar më 1912-ën, e deri te ajo nën pushtimin gjerman. Më 8 prill 1945, Gjykata Speciale, me kryetar Koçi Xoxen dhe prokuror Bedri Spahiun, dha vendimin për të gjithë të akuzuarit, përfshi dhe Rrok Gerën, i cili kishte si avokat mbrojtës Karapicin. Ndaj Gerës nuk pati asnjë dëshmitar kundra, ndërsa dëshmitarë në favor të tij, dolën: Gjergj Kokoshi, Perikli Spiro dhe inxhinier Andrea Xega. Gera u dënua me 10 vite burg, me punë të detyruar dhe konfiskim pasurie. Në nëntor të vitit 1949, ai u lirua nga burgu, pasi përfitoi nga amnistia e parë, duke ju zbritur 5 vite nga koha e vuajtjes së dënimit. Por më 21 prill të vitit 1951, Rrok Gera arrestohet përsëri dhe në tetor të vitit 1952 del në gjyqin ushtarak, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura. Ai vetë dhe familja e tij prisnin që të lirohej, por gjykata e dënoi me 20 vite burg. Dënimin e tij Gera e vuajti në burgun e Burrelit, ku asokohe mbaheshin të izoluar pjesa më e madhe e ish-funksionarëve dhe personaliteteve të larta që pushteti komunist i konsideronte si armiq të popullit. Në maj të vitit 1958, me vendim numër 4 të datës 8 maj 1958, të Pleniumit të Gjykatës së Lartë, Rrok Gera deklarohet i pafajshëm dhe lirohet nga burgu më 19 maj 1958. Megjithëse kishte një fizik të mirë, ai nuk mundi që të jetonte më shumë se 11 vite të tjera. Më 28 janar të vitit 1969, në shtëpinë e tij në qytetin e Shkodrës. Nga studiues dhe historian të ndryshëm, Rrok Gera është cilësuar si një financier i nivelit evropian dhe diplomat i shkallës më të lartë për misionet e tij diplomatike, ku spikati ai i 7 prillit 1939. Figuar e tij veçohet nga studiues të vendit dhe të huaj, si një burrë shteti, i cili me ndershmërinë dhe aftësitë e tij, i shërbeu vendit në momentet më të vështira, jo vetëm në çështjet ekonomike e financiare, por dhe në ato që kishin të bënin me fatet e Shqipërisë.

Gjykata e Lartë në 1958-ën i dha pafajësinë Gerës, rast unik gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist

Është i njohur tashmë fakti se gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, pjesa më e madhe e të dëuarëve dhe internuarëvë politik të cilët ai regjim i konsiderointe si “armiq të popullit”, mbasi kryenin dënimin e parë, arrestoheshin përsëri dhe vuanin dënime të tjera nëpër burgje dhe internime, duke i dënuar dy tre herë, apoo dhe më shumë. Ndrshe nga kjo gjë, si për të vërtetuar rregullin, për Rrok Gerën, ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë Kombëtarte të Shqipërisë në disa kabinete qeveritare gjatë periudhës së Monarkisë së Mbretit Zog dhe ato nën pushtimin gjerman të vëndit, i cili ishte dënuar fillimisht në Gjyqin Sepcial në vitin 1945, dhe më pas për herë të dytë në vitin 1951, u bë një përjashtim. Ndërsa Gera vuante dënimin në Burgun e Burrelit, më datën 19 maj të vitit 1958, autoritetet e burgut i komunikuan atij të bënte gati rrobat dhe të linte qelinë, pasi i ishte dhënë pafajësia. Sipas disa dëshmive të familjarëve të tij, Rrok Gera ishte habitur pamasë, jo vetëm sepse ai nuk kishte bërë asnjë lutje për lirimin nga burgu, por nuk kishte ndodhur kurrë që ndonjë I burgosur politik i rangut të tij, të lirohej para kohe nga vuajtja e dënimit. “Vetëm kur e pashë veten jashtë hekurave, pa asnjë roje pranë dhe qiellin mbi kokë, kuptova se isha liruar vërtet”, kujtojnë familjarët, t’u ketë thënë Gera, pas kthimit në shtëpi. Lirimi i tij dhe marrja e pafajësisë, konfirmohet edhe nga një dokument arkivor, ku midis të tjerash shkruhet: “Me vendimin nr. 47. dt. 11.X.1952, të Gjykatës Ushtarake në Tiranë, është dënuar se ka ndihmuar në okupimin e Shqipërisë nga Italia fashiste dhe ka sabotuar rezistencën e popullit shqiptar, me 20 vite heqje lirie, heqje e të drejtave elementare për pesë vite kohë, me vendimin ndt. 5.V.1958 të Pleniumit të Gjykatës së Lartë, është deklaruar i pafajshëm dhe është liruar nga burgu më 19. V. 1958”.

Tiranë më 20.III.1979, L. Shati (firma dhe vula).

Këto dokument, familjarët e tij mundën që ta merrnin vetëm pas 15 viteve nga lirimi i Gerës, vetëm pas një deklarate që u dha atyre, Prof. Dr. Aleks Buda, i cili me koshiencë të plotë shkroi fjalët më të mira për ish-shokun e tij të shkollës në periudhën e studimeve në Vienë./Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Nga aktorë, gazetarë dhe këngëtarë! Njihuni me 16 banorët e ‘Big Brother VIP Albania 4’

Nga aktorë, gazetarë dhe këngëtarë! Njihuni me 16 banorët e ‘Big Brother VIP Albania 4’