Në këto dy plane mund të vështrohet më mirë pozicioni i opozitës dhe i kandidatit të saj për kryetar i Bashkisë së Korçës, pas dhënies të hënën, në krye të kësaj jave, i vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që hodhi poshtë ankimin e PD për t’u përcaktuar pavlefshmëria e zgjedhjeve të pjesëshme në atë zonë zgjedhore dhe për t’u përsëritur votimi atje. Më parë ishin disa sekuenca të transmetuara ato që “ngushëlluan” opozitën, më saktë liderët e saj, për t’u shfajësuar përballë opinionit më shumë se sa brenda vetes mbi humbjet e një pas njëshme, të thella si asnjëherë tjetër më parë, si edhe për të akuzuar me zë më të lartë forcat politike maxhoritare si “vjedhëse të votave”.

Në këtë kuadër, nga PD u bë një kallëzim në Prokurori dhe njëherazi ankim në organin e administrimit zgjedhor. Por, pa pritur aspak vendimet e këtyre institucioneve shtetërore të pavarura, opozita organizoi në Tiranë një protestë, që sipas saj do të ishte një “marshim popullor”, ndërsa rezultoi të mos qe as marshim dhe as popullor, aq më pak madhështor dhe historik, siç përkufizoi edhe kësaj rradhe me termat e veta  të përzemërta ish - kryeministri Berisha.

Ajo që tërhoqi më së tepërmi vëmendjen e opinionit publik ishte organizimi i kësaj proteste pikërisht në ditën dhe orën që mbërrinte në Tiranë Komisioneri për Zgjerimin e Be, i cili do të asistonte këtu çeljen e Takimit të Nivelit të Lartë për Luftën kundër Korrupsionit. Këtë “koinçidencë”, që nuk donte shumë intelekt për t’u kuptuar si një befasi e ngritur kinse nga organizatorët, kryetari legal i PD – së, Lulëzim Basha e shpjegoi përpara mikut të “prerë në besë”, Shtefan Fyle, si një shqetësim i opozitës mbi përpjekjet e maxhorancës për rrënimin e demokracisë në Shqipëri.

Mirëpo, gjatë kohës sonë në çdo vend, vlerat e demokracisë mbrohen më mirë, kur ato depërtojnë në mekanizmat juridikë, çka përbën shtetin e së drejtës, për konsolidimin e të cilit përbetohen të gjitha subjektet politike edhe në Shqipëri. Në fakt, me këtë gjuhë foli së fundmi edhe Kolegji Zgjedhor, i cili duhet t’i shqyrtojë çështjet e ankimuara dhe të vendosë mbi ‘to në parashikim të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. Të këtij Kodi, që u ndryshua para një viti e gjysmë në Kuvend me konsensus të plotë pozitë - opozitë, nëpërmjet miratimit të ligjit nr. 74/2012. Mbi bazë të parashikimeve të nenit 139, Kolegji i pranoi si prova të paraqitura nga PD sekuencat e transmetuara në një program televiziv, duke i vlerësuar ato si fakte të njohura botërisht.

Por, pas ekspertimeve të ndryshme rreth tyre, nuk i mbetej tjetër veçse t’i referohej disa dispozitave të tjera të ligjit. Për shembull, në nenin 160 të Kodit (’Përsëritja e zgjedhjeve’), konkretisht te pika 2 e këtij neni lexohet, se: “Për zgjedhjet për kryetar të qeverisjes vendore ndikim në rezultat do të konsiderohet kur numri i zgjedhësve në qendrat e shpallura si të pavlefshme është më i madh se diferenca midis dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave të vlefshme”.

Kurse, për t’u dhënë përgjigje atyre që pretendonin se në rastin e zgjedhjeve të fundit në Korçë nuk bëhej fjalë për qendra të shpallura të pavlefshme, por për shkelje të ligjit që kanë cenuar procesin, mjafton t’i hidhej një sy nenit 160 (‘Pavlefshmëria e zgjedhjeve në qendrën e votimit’), ku që në paragrafin 1, pika ‘a’ të tij parashikohet që zgjedhjet shpallen të pavlefshme në një ose disa qendra votimi, në rast se kanë ndodhur shkelje të rënda të ligjit, të cilat kanë cenuar rëndë procesin zgjedhor ose kur tërësia e shkeljeve të ligjit, sipas kësaj shkronje, të ndodhura në ato qendra votimi mund të ketë cenuar procesin zgjedhor në një masë të tillë, që mund të ketë ndikuar në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore.

Të ndodhur përpara rezultateve me një diferencë votash nga njëri kandidat te tjetri me mbi 3 herë më shumë, ose afro 11 mijë vota më tepër, kur pjesëmarrja në zgjedhje nuk i arrinte 31 për qind të qytetarëve me emrat të figuruar në listat zgjedhore, Kolegji nuk mund të jepte vendim tjetër. Sepse, cili do të ishte ai më i guximshmi, i cili të rinjtë e sekuencave që numëroheshin me gishtat e dorës do t’i mblidhte dhe shumëzonte në mbi 5 mijë qytetarë? Kjo pyetje s’ka nevojë për përgjigje, prandaj është kritikë apo akuzë nga halli i humbjes ajo që adresoi përfaqësuesi i PD, sipas të cilit, Kolegji Zgjedhor bëri zgjedhjen po aq të tolerueshme sa është vetë fenomeni i turpshëm i vjedhjes së votës(?!). Pra, ky është plani i parë, ai i humbjes  ligjore ku ndodhet përfundimisht pozicioni i opozitës pas zhvillimit të procesit elektoral në Korçë.

Plani i dytë i këtij pozicioni na e hedh vështrimin te gjendja reale ku ndodhen përgjithësisht elektorati dhe strukturat e opozitës, veçmas të Partisë Demokratike, pas rezultateve të 23 qershorit, por edhe pas zgjedhjes antistatutore të kryetarit të ri të kësaj Partie. Tabloja e paraqitur jep të kuptohet fare qartë që, po qe se do të vendosej për t’u përsëritur votimi në Korçë humbja e kandidatit të PD do të ishte edhe më e madhe, pra edhe më e turpshme. Do të ishte e tillë, ngaqë në qytetin verilindor organet e PD kanë një çoroditje dhe copëzim të theksuar, sidomos për arësyet e përmendura më lart. Ndërkohë që elektorati i majtë gjithmonë dhe aq më tepër gjatë viteve të fundit përbën masën më të madhe të votuesve. Prandaj shqiptimi i vendimit të Kolegjit Zgjedhor përbën jo vetëm një shenjë humbje tjetër të thellë për anëtarët, militantët dhe liderët e opozitës, por njëherësh – si për çudi të çudirave - edhe një fitore të tyre. Ndoshta mjafton t’u kujtohet ajo thënia biblike: “Mos u hidhëro ore i hidhëruar, mos u gëzo ore i gëzuar!”.


Shkrimi u publikua sot (20.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)