Edi Rama: Eh mër Gim Rada, shoku im i rinisë, mos vdeksh kurrë

Edi Rama: Eh mër Gim Rada, shoku im i rinisë, mos vdeksh kurrë

Edi Rama dhe Agim Rada

IN MEMORIAM

Nuk mund të niste më hidhur një ditë e imja, se sa me lajmin e ndarjes nga jeta të Agim Radës, skulptori i rrallë, shoku im i madh i rinisë më të hershme, për të cilin i lidha këto fjalë mes pauzash të gjata e lëmshesh në grykë, po që t’i evitoja fare nuk mundesha dot, sepse me patjetër dikush nga të paktët që e njohën së afërmi, duhet t’i linte të shkruara. Për të, Gimin e pashoq të kohës së vjetër, në mos për askënd tjetër. E di që rreshtat më poshtë janë ca si të gjatë, po ai, në mos askush prej jush, ka të gjithë kohën t’i lexojë dhe të qeshë e të qajë me to, si të dojë dhe si vetëm ai di ta bëjë.

Anti-hero i realizmit socialist dhe hero i disidencës së bordurave, rebel i Tironës së gjimnastikës së mëngjesit dhe xhirove të darkës, dashnor i paepur i rrugicave të Liqenit Artificial dhe tallës po aq i palodhur i spiunëve të zellshëm me kostum teritali rrotull “Gjirit të kurvave”, Gimi ishte studenti më i përjashtuar nga zboret e aksionet dhe shembëlltyra më komike e dështimit të syrgjynosjeve riedukuese në gjirin e klasës punëtore. Makthi i organizatave të Partisë në shkollë e në jetë dhe i udhëheqësve të rinisë në vijën e parë të luftës kundër shfaqjeve të huaja, Gimi u hidhte dishepujve të vet të asaj kohe të bekuar ëndrrash të palejuara, thërrime nga thesi i eksperiencës së tij në mbjelljen e farës së sevdasë arave të virgjëra të botës së lakmuar femërore, duke predikuar dashurinë e lirë dhe shijen e të ndaluarës, tek shkulte në të qeshura tavolina të tëra, ku mes gajasjeve me dogmat morale dhe turlillojin e personazheve publikë e jopublikë të rrugës së ndërtimit të komunizmit, mbusheshin e zbrazeshin me turlilloj rakish gotat që trokisnin në vendin e duarve, kur mbërrinin klimakset e artikulimit të tij plot befasira retorike, të cilat përmbanin një përzierje të hatashme frazash e fjalirash të mbledhura librave e rrugëve, nga Shekspiri tek Shaban Qosja, Tit Sojli, Mehmet Elezi, Esenini, Majakovski, Pushkini, nga Rubairat e Omar Khajamit tek vjershat e Shefqet Peçit, Lufta dhe Paqja e Tolstoit, Vitet e Vegjëlisë së Enverit, Don Kishoti i Nolit dhe ai i Petro Zhejit, e deri tek batutat e alter egos së tij, gojëbriskut Llaq Xhavo, bashkë me ato të filmave të Kinostudios Shqipëria e Re a të dramave të Teatrit Kombëtar, ku këmbët e lehtësuara nga zbrazja e sasive marramendëse të lëndëve helmuese luftarake, e çonin shpesh të zhytej mes kolltukëve të kuq, prodhim i kombinatit heroik të drurit “Mihal Duri” ose “Mihal Druri”, siç e kishte pagëzuar Agimi.

“Lejomëni të tërhiqem për pak, që të shkoj të thyhem në mes, për t’i kthyer nënës natyrë ato që

i mora pjesë-pjesë!”, kumtonte me sytë blu të përflakur nga kënaqësia, kur shkonte në banjo apo kur fatorinoja i kërkonte biletën e urbanit, një ofshamë e tij epike e pasonte me një, “Oh, betomu sy që gjer tani s’ke parë të tillë mrekulli!”, ndërsa kur ndeshte në rrugë ndonjë nga ata të preferuarit e tij, pensionistët e Frontit Demokratik me kapele republike dhe këpucë gri me vrima, vinte adresimi në vendnumëro me një zë prej fajtori, “Shoko më falni, a dini gjë ku mund të bëj një autokritikë se nuk po e mbaj dot?!”…

Gimi ishte një forcë e madhe e natyrës, kudo ku hynte dukej sikur e hapte perden e ajrit me shpatën e gojës së tij, kudo ku ulej dukej sikur zinte krejt anën e vet të tavolinës me gjerësinë e të qeshurës së tij, kudo ku ecte spostonte gjithnjë me veten tre a katër të tjerë, si bartës i një mesazhi mistik, që në fakt kishte vetëm magnetin e parezistueshëm të një shpirti të lirë dhe karizmën e pashembullt të një udhëheqësi shpirtrash, që kërkonin tek liria vetveten e tyre ende të pagjetur apo pavetëdijësisht të humbur.

Talent natyral i baltës, ai që përmes baltës të vdekurit e mëdhenj të kombit i sillte në jetë dhe vdekjen e trajtonte si dashnoren e fundit, në radhën e pambarimtë të Dylqinjave të tij që fund nuk do të kishte kurrë, “paçka se fundja nga balta vijmë e drejt baltës shkojmë, po rëndësi ka çfarë lemë pas nga balta jonë”, u tërhoq gjithnjë e më shumë në atelienë e skulpturave, jo për t’u thyer në mes, po për të kaluar orë të pafundme në këmbë, në një vrap të shfrenuar prej ankthit të kohës që ikte, teksa numri i të vdekurve që ëndërronte të sillte në jetë rritej.

Dekadat që pasuan epokën e lavdishme të ilaritetit permanent ishin ndryshe dhe bohemi i harbuar i asaj epoke, u kthye vit pas viti në hijen e vetvetes, mes telasheve e dëshirës për të krijuar, melankolisë dhe nevojës për t’i mbijetuar transformimit të jashtëm e të brendshëm, duke lënë sa më shumë vepra. Rrëmuja dhe rrëmeti i qytetit që dikur ishte i tëri i veti, e ku në çdo lagje, nga Ali Demi në Kinostudio, kishte një Ofeli të dëshpëruar në pritjen e përlotur të të vetmit dhe të papërsëritshmit Gim Rada, hynin e dilnin gjithnjë e më pak në izolimin e tij përmes frëngjisë së celularit, prej nga edhe më shkruajti se vdekja i ishte paraqitur në derë për ta marrë.

E kishte kuptuar se dashnorja e fundit nuk kishte ndërmend ta linte pa e marrë, e se argumenti i tij legjendar, “Gimi i shkretë nuk le asnjë femër, po janë femrat ato që e lënë”, kishte rënë dhe ndarja nga kjo botë ishte vetëm çështje kohe.

Tanimë shoku im i madh i rinisë më të hershme, Gim Rada dora vetë, është shtrirë përjetë në krevatin e të parës që nuk pranoi ta linte dhe ne nuk e ndihmuam dot të shpëtonte prej saj. “Femra është si jeta që nuk dorëzohet kollaj!”, na tregonte ai qysh asokohe, kur mustaqet tona ende nuk e kishin provuar djersën e parë, “Imagjinojini të dyja si një gropë të madhe dhe të padukshme, që nuk rrafshohet njësh me tokën pa u mbushur plot, prandaj kini durim dhe ishalla jeni me fat deri tek lopata e fundit!”.

Eh mër Gim Rada, mos vdeksh kurrë!

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Altin: 14/07/2023 17:26

    Nuk e di dhe jam pa fjale sot e morra vesh vlper vdekjen e njeriut shume te mire u prefsh ne paqe gjigand,kisha kohe pa e takuar qe nga viti 2004,i njhe shum mire Gimin dhe Kristaqin,ishin te dy fantastik si Gimi edhe Kristaqi,te dy nuk rrojne me,kurse per sa i perket Edit nuk ka lidhje me keta dy gjigande,me vjen keq kur degjoj per Kristaqin qe ka hedhur firmen dhe ka vrare harrojeni,firmen e ka hedhur por para kristaqit ishin i fundit ishin 30 firma para tije per Varjen e H.Nela,por kete ja bejne komjnista si Berisha e Mera kundershtaret politik,neser do flasin edhe per Gimin….Kurse Edushi i pergedhelur nga politika ska lidhje me keta dy gjigane,qe une i njohe personalisht ne vitet e diktatures dhe jam takuar me Kristaqin edhe Gimin me thane shyqyre qe dole gjalle nga kta halenjte e komunizmit,keta ishin Kristaqi dhe Gimi Respekt

    Përgjigju
  • Andi: 14/07/2023 16:02

    Te degjonte kte flasim qe ke bo ti per ate jam 1000000 % I sigurte qe ,do te linte asgje pa te ofendu...

    Përgjigju
  • Hason: 13/07/2023 08:54

    Ky çmendi te atin e vet jo me kte tjetrin.

    Përgjigju
  • Scutari: 12/07/2023 21:42

    RIP

    Përgjigju
  • Edvin: 12/07/2023 21:12

    ca ti besh, ja qe vdiq

    Përgjigju
  • Popull: 12/07/2023 21:03

    Pavaresisht disidences se perhershme te Gimit me pushtetin dhe ne dukje edhe me ty, perseri ne qe e njohem nga afer e kuptuam dobesine per shoket e rinise se hershme. Gjithsesi Zoti ta shperblefte gjithe kudjesin qe tregove per te deri diten e fundit…..

    Përgjigju
    • A. N.: 13/07/2023 10:18

      Ironike apo e vertete fjalia e fundit

  • Mihal Duri: 12/07/2023 20:33

    Mihal Duri ka qene kombinati poligrafik, Misto Mame ishte kombinati i drurit

    Përgjigju
    • Qimo qerratai: 13/07/2023 06:37

      Lavdi 2 deshmoreve qe dhane jeten per Partine dhe atdjeun qe ne te gezojnim lymtirine qe kemi sot I perjetshem qofte kujtimi i tyre

    • Delinquenti: 12/07/2023 21:00

      Per kujtese Mihal Duri ishte shtypshkronje Kombinat ishte Poligrafiku gati ne shkoze

  • Sondazhi i ditës:
    7 Dhjetor, 15:58

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?



×

Lajmi i fundit

Kapen 9.5 tonë kokainë në banane, ngarkesa më e madhe në historinë e shtetit latin

Kapen 9.5 tonë kokainë në banane, ngarkesa më e madhe në historinë e shtetit latin