Më poshtë emrat e konfirmuar të qeverisë së re:
QEVERIA E RE E SHQIPËRISË:
Kryeministër, Edi Rama (PS)
Zv/kryeministër, Niko Peleshi (PS)
MINISTRITË:
1. Ministër i Financave, Shkëlqim Cani (PS)
2. Ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri (PS)
3. Ministër i Jashtëm, Ditmir Bushati (PS)
4. Ministre e Mbrojtjes, Mimi Kodheli (PS)
5. Ministre e Integrimit, Klajda Gjosha (LSI)
6. Ministër i Drejtësisë, Nasip Naço (LSI)
7. Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto (LSI)
8. Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Edmond Panariti (LSI)
9. Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni (PS)
10. Ministër i Shëndetësisë, Ilir Beqja (PS)
11. Ministër i Tregtisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj (PS)
12. Ministër i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri (PS)
13. Ministër i Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla (PS)
14. Ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro (Shoqëria civile)
15. Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj (PS)
16. Ministër i Mjedisit, Lefter Koka (LSI)
17. Ministre e Inovacionit dhe Administratës, Milena Harito (PS)
18. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi (PS)
19. Ministër i Çështjeve Vendore, Bled Çuçi (PS)
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT EDI RAMA GJATË PREZANTIMIT TË QEVERISË SË RE (2013-2017)
Sot dua t’ju njoh me emrat e ministrave të Qeverisë së Re të Shqipërisë.
Po lejomëni më parë, disa konsiderata.
Qeveria e Re në nivelin e saj të parë do të jetë mishërim i boshtit strategjik të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”;
I vizionit tonë politik për t’i dhënë më shumë hapësirë grave dhe më shumë përgjegjësi më të rinjve;
I vullnetit tonë qytetar për të përfshirë në qeverisje edhe shoqërinë civile;
I programit tonë qeverisës për të ecur më shpejt në rrugën e një Rilindjeje Shqiptare.
Qeveria e Re nuk do të jetë tribuna tradicionale e dukjes së pushtetit, po tryeza e punës së palodhur, për të justifikuar me përkushtimin më të madh pritshmëritë e jashtëzakonshme të popullit shqiptar, ndaj nesh si aleancë dhe ndaj meje vetë si kryeministër.
Qeveria e Re është mishërim i përgjegjësisë për ndarjen sa më mirë të detyrave brenda maxhorancës plebishitare të 23 qershorit. E cila do të ketë vetëm një pjesë të vetën pa mandat deputeti në ekzekutiv, ndërsa pjesën tjetër me mandatin e fortë të 23 qershorit në sallën e Kuvendit, për të kthyer në ligj reformat e Rilindjes.
Qeveria e Re është fryt i një dialogu intensiv me partnerin strategjik, kryetarin e LSI, që dua ta falenderoj për frymën shumë konstruktive të bashkëpunimit për formimin e kabinetit të ri qeveritar.
Kemi punuar së bashku me qetësi e durim për të ndërtuar një grup njerëzish të përshtatshëm për idenë e një qeverie që duhet të punojë si skuadër, nga dita e parë në ditën e fundit.
I jap shumë rëndësi këtij momenti dhe e nënvizoj, qeverisja që duam do të duhet në radhë të parë të mishërojë vlerat e punës në skuadër, përballë sfidave të jashtëzakonshme që duhet t’i fitojmë medoemos për të mirën e shqiptarëve.
Mjaft më me procesin qeverisës të copëzuar në parcela interesash partiake e vetjake ku s’e merr vesh i pari të dytin, e me mandatet qeverisëse ku qeveria bëhet trup i vetëm vetëm për të sharë opozitën në parlament.
Të mos e harrojë askush që do të na gjykojë që nga sot e deri ditën e fundit, atë që unë nuk do ta harroj asnjëherë që nga dita e parë e fitores sonë plebishitare: Shqiptarët nuk na votuan për të ndërruar një kryeministër me një tjetër dhe një qeveri me një tjetër. As për të ndryshuar kahun politik të qeverisjes. Po për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë duke filluar nga ndryshimi i modelit qeverisës; I vijës sjelljes së kryeministrit e të ministrave me publikun e me interesin kombëtar e publik; I raportit me të vërtetën, me votuesit dhe me ligjin.
Për t’i paraprirë këtij ndryshimi qysh në përzgjedhje, kemi ndërtuar një skuadër me thuajse 90% të njerëzve që ulen për herë të parë në karrigen ministrore, dhe me më shumë gra se ndoshta ç’kanë pasur të gjitha qeveritë e Shqipërisë të marra së bashku në këto njëzet vjet.
Për mua këto dy risi të mëdha janë shprehje te diktuara prej revolucionit me votë të 23 qershorit.
Pas pak do të dëgjoni emra që mbase mund të mos prisni t’i dëgjoni apo nuk do të dëgjoni emra që mbase prisni t’i dëgjoni. Do të shihni gra në vende që në një shekull shtet kanë qenë si të dhëna me tapi vetëm për burra, apo do të dëgjoni emra të rinjsh që do të marrin patate shumë të nxehta në dorë.
Por gjithçka është e menduar me kujdesin më të madh për t’u gjetur punëve njerëzit dhe jo njerëzve punë. Për të pasur ministra që në përgjegjësinë e tyre personale do t’i shërbejnë popullit dhe që do të punojnë ditë-natë me një axhendë të vetme: Axhendën e Qeverisë së Re për të ecur më shpejt në rrugën e një Rilindjeje Shqiptare.
Por njëkohësisht, në kushtet e ndarjes së mandateve është menduar me kujdesin më të madh, për të mos e zbrazur sallën e Kuvendit nga zërat e përvojës parlamentare dhe për t’i dhënë eksperiencës rolin që i takon në komisionet parlamentare.
Kështu që asnjë ekuivok: Qeveria s’mund të kryejë me sukses misionin e vet, pa një trupë parlamentare që të çojë përpara me ritëm e cilësi procesin legjislativ. Prandaj edhe risia e madhe e ndarjes së mandateve, duhet parë si zanafilla e një transformimi të thellë të ekzekutivit e të legjislativit dhe të marrëdhënies mes tyre.
Sidoqoftë, duke e lënë në gjykimin tuaj e të publikut shijen e këtij fruti të parë të punës sonë të pas 23 qershorit, dua t’ju siguroj ju dhe publikun për një gjë: Detyra e kryeministrit do të jetë imja po pushteti do të jetë i popullit dhe nga dita e betimit çdo ministër do ta rrijë në detyrë vetëm duke i shërbyer me nder e duar të pastra popullit të vet.
PSE MUNGON NGJELA, MINISTRIA E EMIGRACIONIT, PDNJ, PKD
I pyetur nga gazetarët për postin e ministrit të Drejtësisë, ku kandidati i mundshëm ishte Spartak Ngjela, Rama shpjegoi se Ngjelës i është propozuar dhe e ka refuzuar në lartësinë e dinjitetit të tij. "A mund ta dimë se çfarë posti i keni propozuar?", ishte pyetja pasuese. "Të mos kalojmë në kuadër të thashethemeve, kalojmë tek pyetja tjetër", u përgjigj Rama.
I pyetur nga gazetarët se përse mungon Ministria e Emigracionit, ndërkohë që u premtua, Rama deklaroi se “nuk kam bërë premtim elektoral për Ministri të Emigracionit. Ndoshta e ngatërroni me partinë çame”.
Në lidhje me pozicionimin e PBDNJ në qeveri Rama shpjegoi se “jemi në sintoni për bashkëpunimin, PBDNJ do jetë partnere për mirëqeverisje”.
Në lidhje me PKD, e drejtuar nga Frrokun, Rama shpjegoi se “kemi hapur dialog me Frrokun, por kemi çmuar, që barra e 23 qershorit është një barrë, që shqiptarët i kanë dhënë PS dhe LSI si barrë për ta mbajtur së bashku dhe mosndarja e kësaj barre në nivelin e parë s’është shpërfillje e aleatëve, por ndjenjë e madhe përgjegjësie e jona dhe imja si kryetar i kësaj mazhorance.
RAMA: ASNJË PRIVIM PËR OPOZITËN, NE KËRKUAM "HAP KUTITË", SOT ATO JANË TË HAPURA
I pyetur mbi kërkesën e opozitës aktuale për transparencë për zgjedhjet, Rama theksoi se “kur ishim në opozitë, bëmë luftë madhore që t’i sigurojmë opozitës së sotshme atë që opozita e djeshme nuk e pati se ia privoi ajo që është sot opozitë. “Hap kutitë” ka qenë slogani ynë dhe kutitë janë të hapura. Asgjë që i është i privuar opozitës së deridjeshme nuk do t’i privohet opozitës së sotshme", siguroi Rama.
RAMA: NE NUK LËVIZIM NGA ASNJË PREMTIM QË KEMI DHËNË, JANË TË REALIZUESHME
"Një qeveri që ka ikur dhe akuzon të renë se s’po mban premtimet dhe ka bërë rrush e kumbulla çfarë ka mbetur dhe e bën të papërshtatshëm shijen e këtij tranzicioni. Ne nuk e kemi zgjedhur qeverinë, që vazhdon për inerci, as shqiptarët. Si një ëndërr e keqe që zgjatet ajo vijon t’u tregojë shqiptarëve se sa fort i ka merituar ato 1 milion shpulla", tha Rama. Ai shtoi se nuk e lexon kryeministrin në detyrë, por dëgjon se ka një akuzë të përditshme "për akuza të pambajtshme nga qeveria e re". Kjo tregon që ata s’kanë marrë akoma veten, ka nevojë për kohë që të ngrihet në këmbë dhe të bëjë opozitë, ndërkohë që ne s’kemi marrë akoma detyrën. Ne nuk tërhiqemi nga asnjë prej premtimeve tona", siguroi qytetarët Rama. Ai shtoi se "lufta kundër korrupsionit, lufta për modernizimin e shtetit; sa më i fortë shteti aq më i fortë ndaj tundimit të korrupsionit". Rama i është përgjigjur edhe gazetares së Tv Klan mbi premtimet e mbajtshme apo jo, se "Klan ka propaganduar premtime shumë më të mëdha se tonat. Premtimet tona janë të realizueshme".
RAMA: MEQË JAM PIKTOR, NUK DO TË THOTË SE NUK DO JEM KRYEMINISTRI MË I SUKSESSHËM
Rama nënkuptoi Berishën, teksa tha se "sipas kësaj nuk duhet të ketë një piktor në qeverisje; kjo nuk do të thortë se unë nuk do jem kryeministri më i suksesshëm i qeverisjes në Shqipëri". Konferencae plotë për shtyp e Kryetarit të PS, Edi Rama
RAMA: PASURIA MË E MADHE E NJË POPULLI JO UJI, DETI, POR DIJA
Në lidhje me aplikimet e CV-ve online, Rama u shpreh se "pasuria më e madhe e një populli nuk është uji, deti, por dija. Vendi e ka të domosdoshme të inventarizojë kapitalin njerëzor dhe të ftojë burimet më të mira, që të marrin pjesë në drejtimin e vendit. Deri sot këto janë bërë nga partitë dhe askush nuk është skandalizuar. Dilte një gjysmë analfabet që tundej si flamur dhe emëronte, shkarkonte njerëz. Majfton të shohësh batërdinë, që iu bë LSI pasi doli nga qeverisja e vendit. Por kjo është çështje që e ka zgjidhur populli shqiptar në 23 qershor", shpjegoi Edi Rama.
Ai shpjegoi se "ne nuk po mbledhim kurrikulume nga partia për partinë, por po mbledhim burime njerëzore, që do jenë baza e të dhënave për kapitalin njerëzor të këtij vendi, që do jenë pronë e qeverisë për të gjitha kohërat që vijnë. Kërto cv nuk merren që të fusin njerëzit nëp unë, pro për të pasur proces transparent me njerëzit kur ka vende të hapruia puna. Pse konkurset duhet të jenë vetëm privilegj i atyre që kanë bllokun e emrave të tij, por konkurse që të kenë dijeni të gjithë, drejtpërdrejt. Nuk e kemi shpikur ne, ne vetëm marrim përsipër të sjellim në Shqipëri praktikat më të mira.
RAMA: PARATË E SHPENZUARA PËR AUDITIMIN, INVESTIM PËR TË ARDHMEN
Në lidhje me pyetjen dhe shqetësmin se sa do kushtojnë kompanitë, që do bëjnë auditimin ndërkombëtar, Rama u përgjigj se "janë shpenzuar shumë më tepër për kompani për të nxirë imazhin e opozitës dhe nuk ka fituar Shqipëria, as qeveria, se populli shqiptar është më i mençur se kaq. Çdo para e shpenzuar është investim për të ardhmen".
31 KORRIK ORA 10:30 - RAMA: SOT (DJE) NË 11:00 BËJ TË DITUR EMRAT E QEVERISË SË RE
Sot në orën 11:00 pritet që kryeministri i qeverisë së re, Edi Rama të prezantojë drejtpërdrejt në mediat vizive Qeverinë e Re të Shqipërisë. Lajmin Rama e ka bërë vetë të ditur në faqen e tij në Facebook.
Lajmi u përditësua
Redaksia online
(mag/shqiptarja.com)