TIRANE- Qeveria shqiptare po punon të tërheqë sa më shumë investime të huaja. Këtë e ka shprehur kryeministri Edi Rama gjatë takimit të djeshëm me investitorë të huaj në vendin tonë, duke theksuar se vendosja e sistemit të taksimit të ndershëm i vjen në ndihmë sipërmarrjes. Kreu i Qeverisë deklaroi se sistemi i taksimit të ndershëm inkurajon investimet si dhe nuk përbën barrë për biznesin e madh.

“Sistemi i ndershëm i taksimit nuk përbën më një barrë tek biznesi i madh për përfaqëson inkurajim dhe qëndrueshmëri. Një taksë reale mbi të ardhurat rreth 22% ishte një reflektim i asaj qeverisje që thoshte një gjë dhe bënte një gjë tjetër. Ne i shpallim qëllimet tona dhe i bëjmë të qarta politikat tona. Sa i përket sistemit të taksimit ne po punojmë për të arritur një marrëveshje të veçantë fiskale me qëllim që t’i krijojmë bizneseve kushte të përshtatshme”, tha kryemnistri Rama.

Mundësitë
Duke u ndalur tek Këshilli Ekonomik Kombëtar dhe mundësive që krijon ky Këshill si urë lidhëse me biznesin, kryeministri Rama tha se do të pasohet me krijimin e Këshillit të Investimeve, në mënyrë që të rritet edhe dialogu qeveri-investitorë.

“Ne ngritëm ashtu si kishim premtuar Këshillin Ekonomik Kombëtar. Ky Këshill do të jetë një instrument në dispoziconin tuaj, jo vetëm që të sillet mendimi dhe propozimet e përfaqësuesve tuaj, por për të sjellë përmes kësaj ure lidhëse shqetësimet tuaja specifike në lidhje me administratën, apo procedurat, në raste kur keni pakënaqësi. Ky sistem do të ndiqet nga krijimi i Këshillit të Investimeve me qëllim që të rritet dialogu ynë me investitorët dhe në mënyrë që të garantohet edhe vazhdimësia e projekteve”, vijoi kreu i qeverisë.
 
E ardhmja
Jo shumë kohë më parë, kreu  Financave, Shkëlqim Cani, gjatë Forumit Ekonomik, të organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), deklaroi se paketa fiskale pritet të rishikohet gjatë 6 muajve të ardhshëm. Risia në qeverisjen e majtë është fakti, se gjithmonë e më shumë biznesit po i jepet mundësia të jetë pjesë e bashkëpunimit. E gjitha kjo bëhët në kuadrin e përgatitjes për sfidat ekonomike të së ardhme. “Ne mendojmë se paketa fiskale do të jetë gati nga mesi i vitit, nga fundi i muajit qershor, të gjithë ne, ju dhe ne duhet të përgatisinim këtë paketë fiskale, duhet të jemi bërë gati për 2015”,-nënvizoi ministri Cani.


Shkrimi u publikua sot (30.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)