Pas dy netëve të mbajtura në Tropojë, në Malësinë e Gjakovës, të dielën në mbrëmje në Kukës u zhvillua nata e tretë e Festivalit të Trojeve Etnike Shqiptare “Sofra Dardane”, në edicionin e tij të 24-të, një aktivitet tashmë tradicional në promovimin e vlerave kulturore dhe traditave mbarëkombëtare shqiptare.
Për herë të parë “Sofra Dardane” u organizua edhe në Kukës, me mbështetjen e Bashkisë Kukës. Kryetari i Bashkisë Kukës, Albert Halilaj, u shpreh se edicioni i këtij viti ishte edhe një referendum qytetaro-artistik në mbështetje dhe mbrojtje të krerëve të lartë të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
"Shqipëri-Kosovë ne jemi të gjithë bashkë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë”, tha Albert Halilaj.
I organizuar nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, me në krye Azgan Haklajn, festivali këtë vit kishte si moto: “Një komb, një histori”, “Jam dardan, jam UÇK” dhe “Liri për çlirimtarët”.
Ky event, i organizuar në Bajram Curri dhe Kukës, bëri bashkë rreth 300 artistë nga trevat shqiptare dhe trojet etnike. Artistë të vegjël e të mëdhenj sollën këngë, valle dhe elementë të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke e kthyer festivalin në një festë të identitetit kombëtar dhe traditës shqiptare.
Komente









