Edison Ypi: Çun Pagan

Edison Ypi: Çun Pagan

Festimet e Ditës së Verës

Po vija nga Fush Kruja. Me dëshirën për të humbur, u ktheva në një rrugë dytësore në të majtë te rrethrrotullimit të parë pasi kalon Urën e Tapizës. Duke parë se peisazhi nuk premtonte humbje por vetëm fitore, me shpresën të humbja diku mes labirintit të shtëpive dhe vilave mahnitëse, përsërita manovrën, u ktheva sërish më të majtë në një rrugë tretësore. Me të dalë nga rruga dytësore në atë tretësore, mu faneps një urë e ngushtë mbi një përrua. Pak para urës një çun nja dymbëdhjetë vjeç jepte-e-merrte duke rrokullisur drejt urës një gomë makine më të lartë se shtatin e vet. Çuni dukej si një Sizif me shkëmb mbi sup, ose një milingonë që po hiqte zvarrë nga fusha te shtëpiza një kalli gruri më të rëndë se veten e vet. T'i kisha parë veç e veç çunin dhe gomën, nuk do besoja se një çun aq i vogël mund të rrokulliste një gomë aq të madhe. E besova atë skenë vetëm sepse i pashë me sy të dy. E arrita çunin dhe gomën para se të hynin në urën e ngushtë. Mbuluar në djersë çuni nga gjithajo ngarkesë.

-Nga je ? e pyeta.

-Nga Kuksi.

-A e nxë në gjërësi kjo urë këtë makinë, dhe a e mban si peshë ? pyeta çunin, kot, për të hyrë në muhabet.

-Po, e nxë, kalo pa merak, u përgjigj çuni me një energji dhe kompetencë prej inxhinieri që prej vitesh merrej me makina dhe ura.

-Ku po e çon këtë gomë ?

-Në shtëpi.

-Pse të duhet ?

-Do ta djeg.

Një 12 vjeçar që me mundim të madh heq zvarrë gjithatë gomë të cilin kur vejë në shtëpi do i vërë zjarrin - skenë prej Walt Disney.

-Çfarë do ngrohësh, apo nxehësh, apo djegësh, me atë gomë ?

Çuni refuzoi të përgjigjej përmes një gjesti miqësor mospranimi me kokë.

-A ta bëj një foto ?

-Jo.

Nuk e zgjata.

Mendja më vajti te shtëpia e çunit që ndoshta ishte njëra nga shtëpitë e shumta të reja ose në ndërtim e sipër përtej lumit ku gomën do ta digjte. Për shembull, për me shkri ziftin për terracën, a për ndonjë punë tjetër të ngjajshme, për të cilën përdorimi i gomës si lëndë djegëse me çmim zero është e leverdisëshme ndaj qymyrit me çmim kacafiu.

E kotë të kaloja urën të shkoja më thellë në mëhallë me shpresë se do humbja. Edhe po ta bëja, zor se mund të gjeja diçka më intriguese se një çun i vogël që rrrokullis një gomë kamionin më të rëndë se veten për ta çuar në shtëpi për ta djegur për një arësye misterioze. Rrotullova makinën, u nisa nga erdha.

Duke u larguar nga çuni dhe goma, apo milingona dhe kalliri, shoh një pesësdhjet vjeçar mbi biçikletë.

Nuk u flas udhëtarëve mbi biçikletë nga frika mos aksidentohen. Por pas refuzimit të çunit për të bërë foto dhe për të më thënë arsyen pse do digjte gomën, kurioziteti më ishte bërë i papërmbajtur.

-E pe atë çunin me gomë ?

-Po, e njoh. Është djali i një komshiut. I kemi shtëpitë kurriz më kurriz. Ata janë  nga Kuksi. Ne jemi nga Mallakastra. Çuni është moshatar dhe shok klase me çunin tim.

-Pse i duhet çunit ajo gomë ?

-Për të festuar Ditën e Verës, tha mallakastrioti, kush mundet nga fëmijët e mëhallës, sjell nga një gomë. Presin të vijë mbrëmja, dhe u vënë zjarrin gomave. Vallzojnë e këndojnë çuna e goca rreth zjarrit të gomave deri natën vonë, derisa gomat bëhen pluhur e hi. Ka ca vite kështu e bëjnë Ditën e Verës të gjithë kalamajtë e të gjitha katundeve këtej rrotull.

-Pse nuk më la t'i bëja foto ?

-Sepse nuk e ka përfunduar shtëpinë.

-Ta bëj ty një foto ?

-As unë s'pranoj të më bësh foto, se edhe unë s'e kam mbaruar shtëpinë.

Faleminderit kalimtar.

Kthej kokën nga ura. Çuni ishte zhdukur.

Kthej kokën nga tjetri. Edhe ai qe zhdukur.

Më lanë të dy vetëm në mes të rrugës si idiot.

Le të vazdojnë të rriturit të vjedhin, të vriten, të vrasin, të urrejnë njerzit e punës, të adhurojnë llapaqenat etimologë folklorikë, tu lëpihen princërve budallenj. Për Ditën e Verës fëmijët nuk ndezin më  zjarr me shkarpa, por vetëm zjarr me goma. Çunat dhe Gocat nga veriu, jugu, lindja, perëndimi, e kanë bërë zgjedhjen. Nuk besojnë më zotat e rinj e të ftohtë. Besojnë vetëm zotat e vjetër e të zjarrtë, zotat Paganë.

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve