Edison Ypi: Katër dromca nga Kosova

Edison Ypi: Katër dromca nga Kosova

Gjakovë

Fill pas bombardimeve. Në hymje të Shtimjes. Mëngjez herët. Mjegull. Gërmadha shtëpish gjithandej. Te një lavazh, ulur, mbështetur pas muri, pronari dhe njëkohësisht puntori i lavazhit, ndjen zhurmën e makinës që afrohet. Çohet. Hedh një vështrim mua dhe makinës. Nis punën me la makinën. I dridhen duart. Jo pak. Duart i dridhen shumë. Po ta vëresh mirë, edhe trupi i dridhet. Nuk është më tepër se 40.

Nuk mundet me pas Parkinson. E kryn më së miri punën. E bën makinën dritë. E pyes sa bën, sa kushton, sa e ka hakun ? Më sheh edhe një herë nga koka te këmbët, merr frymë thellë, dhe më thotë: Të njoha nga targa e makinës. Jam kthy pi kubeti para tre ditësh. Në Gjermani kam la makinat e krejt botës. Larja e makinës tënde kushton zero. Ty shqiptarit të Shqipnis nuk do të marr asgjë. Pra qënkej dridhur këmbë e duar nga Fati që pati, nga kënaqsia që i erdhi rasti me ja la makinën një të panjohuri nga Shqipëria. Tani nis e dridhem unë. Tani më kap mua xerxelea. E përshëndes. Largohem i hutuar nga kjo mbresë e rrallë ose e vetme, e paprovuar kurrë më parë.

Gjakovë. Çarshia e Vjetër. Djegur e shkatërruar sa të merr të qarët. Kan mbet veç do barraka. Edhe ato për ibret. Gjithçka tjetër e djegur. Hyj n'Çarshi me ngrën Pasul. Bajagi i famshëm Pasuli n'Çarshi t'Vjetër t'Gjakovës. Pronari i restorantit thotë: S'kam Pasul. Eja pasdite. Do bëj Pasul për ty. Do bëj Pasul për shqiptarin e Shqipnis. Ta po ta kallxoj një mesele: Kyt restorant e kishte një serb. Un isha kuzhinieri, puntori i serbit. Para se me ik nga frika e luftës, serbi më tha: Në varësi si shkon lufta, nëse këtu do mbetemi ne, restoranti do vazhdojë të jetë i imi. Nëse do vini ju, e gzofsh ti, un do iki ku t'munem. Vajta pasdite hëngra Pasulin. Kalimin e pronësisë me Besë shqiptare dhe seriozitet ballkanik nuk e harrova.

Ka rënë nata. Jam nis për në Ferizaj. Në dalje të Prishtinës pyes dikend për rrugën. Më thotë:
-Nuk i di rrugët. Më intereson tjetër gjë.
-Rrugët duhesh me i dit. Ani, s'ka problem. Po. Jam gati me të nimu. Veç folë. Shqiptari i Shqipnis shqiptarin e Kosovës nuk e len në balt, e ndihmon.
-Ma gjej një nuse pi Shqipnie. E du nga Roskoveci.
-Eja gjeje vet nusen. Tani që Kosova u çliru, mundesh me gjet nji princesh si po ta don qefi.
-E shof që nuk po don me më gjet nuse. A ma gjen diçka tjetër...
-Gjithçka ta gjej. Krejt Shqipnin ta bi ktu. Veç fol...
-Po du me ma pru pi Shqipnie ni kalashnikov.

Ishte natë. Nuk mujsha me e dit ku po kaloja. Ndoshta nëpër Çagllavicë. Ku ai që më kërkoi nuse dhe kalashnikov pi Shqipnie, pra luftë dhe përzjerje gjaku, ndoshta qè serb.
Serbit të vërtetë ose budallës shqiptar, nuk iu përgjigja. As nuk pyeta më për rrugën. Vazhdova drejt Ferizajt nëpër shtigje e livadhe ku më çuan rrotat e makinës dhe menia e çkurdisur.
Prishtinë. Ka kalu 2 e natës. Kafe, çaj, muhabet. Shetitje nëpër qytet me miq. Diku ka ndodh diçka. Patrulla e Policisë me polica shqiptarë ka ndalu një kerr. I zoti i kerrit nuk duket aspak i mrrylët se ja kan ndal një kerr. Po qesh sikur ja kan fal një kerr.

-Pse po qesh Zotni ?
-Po qesh, dhe do qesh sa qiellin do ta gris, se i lumtur jam, dhe raki do pi, se çyt kerr nuk ma ndalën shkiet, djemtë tanë ma ndalën, dhe hiç s'mërzitem, dhe veç me qesh po du, edhe sikur ç'at kerr kurr mos me ma kthy.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja