Edison Ypi: Kocka dhe Legena

Edison Ypi: Kocka dhe Legena

Edison Ypi

Përtej arritjeve të pamohueshme, si selfiet e panumurta dhe postimet intriguese me një rrjesht e gjysëm në rrjetet sociale, Artit shqiptar i mungon sot diçka esenciale, diçka madhështore, diçka kuptimplote. Mungon kryevepra pa të cilën jeta e sotme shpirtërore dhe materiale e shqiptarëve do ishte skëterrë dhe vdekja do ishte shpëtim.

Mungon shtatorja e derdhur në bronx dhe e larë në ar e protagonistit të jetës së sotme të shqiptarëve- Legenit të lavdishëm, Legenit të vetkënaqur, të lumtur, të kudondodhur, që me njërën dorë shtyp solemnisht tasierën e laptopit, me dorën tjetrën lëpin plot gjallëri dhe energji kockën e merituar të shpërblimit për asgjënë e kryer.

Të ngrihet urgjent ajo shtatore gjigande. Të thirren ku janë e ku s'janë, edhe nga varri të shkulen, legenat më në zë të Artit, kulturës, arkitekturës, pikturës, shkrimtarë, poetë, hostorianë, psikologë, psikiatra, deri dhe mjekë, biologë, matematicienë, fizicienë, astronomë dhe astrologë. Të mblidhen kokë më kokë lëpirësat e shquar të kockave heroike të tokës arbnore.

Të këmbejnë idetë e larta. Të mprehin daltat e shkathëta. Të përgatisin çekiçët e rëndë. Të nisin punën e vështirë për gdhendjen e të lavdishmit të ardhshëm, të quajturit "Legeni Shqiptar". Shtatorja të gdhendet më e lartë se Statuja e Lirisë. Legeni prej bronxi me laptop përpara, jo me flamur, lugë, pirun, thikë, a diçka tjetër në dorë, por me kockë në dorë. Të bëhet kujdes me surratin e Legenit: Koka me cepa, goja shpellë, veshët llapusha, balli me rrudha, qafa e dhjamur, e të tjera e të tjera. Shtatorja madhështore të vendoset ku ta urdhërojnë legenat lëpirësa të kockave të bordeve, shtabeve, komisioneve, zyrave, korridoreve.

Por e mira, në majë të Karaburunit. Që kush vjen nga deti, të mos shohi së pari vjetërsira dhe kalbësira pa vlerë si Durrësi, Vlora, Saranda, Shëngjini, Karavastaja, Divjaka, Kepi i Rodonit, Patoku, por Legeni vezullues me kockë dhe laptop në duar.

Një vepër letrare gjithashtu, roman nga ndonjë shkrimtar legen, që, legen për legen, legen libri legen autori, do përkthehet në të gjitha gjuhët e botës dhe do pushtojë zemrat e publikut në mbarë globin. Do ketë brenda ai roman një intrigë shoqërore politike sentimentale që do zbulojë peripecitë e transformimit të burrit në legen, lodhjet e përditshme për të kapur e lëpirë sa më tepër kocka, aq edhe legenizimin dhe kockëzimin e shoqërisë në tërësi, parë nga këndvështrimet e ndryshme me rezultat të njëjtë të dy doktrinave më të reja karipllariste dhe varkariste.

Kocka dhe legena gjithandej, sa të ha syri.

Shqipëria është shndrruar e tëra në një mal me kocka dhe një det me legena.

Shqipëria është tashmë eksportuesja më e madhe në botë e legenave.

Legenat që ikin në Gjermani e gjetkë, për shembull, nuk ikin për llokma, ikin për kocka. S'u çmend gjermani e italiani e tjetri e tjetri tu hedhin llokma legenave nga Shqipëria.

Ndërkohë që po paksohet frikshëm numuri i kockave për 1 legen, po rritet ethshëm numuri i legenave për 1 kockë.

S'dihet si do vejë ky hall.

Në u bëfshin më tepër legena se kocka, s'ësht keq. Legenat do ngordhin si pulat njëripastjetrit nga uria.

Ama në u bëfshin më tepër kocka se legena, na piu e zeza. Legenat do trashen e do shumzohen si mizat. Po ndodhi kjo, të gjejmë vrimë ku të futemi mos na nxjerrin sytë legenat e dhjamosur nga lëpirja e kockave.

S'ësht çudi, pas pak, kockat dhe legenat do kthehen në njësi këmbimi për bizneset: Na kaq legena, më jep aq kocka. Merre këtë thes me kocka, më jep sa të duash legena. Ose: nëm kaq legena, të jap Noc Rrokun sa të kthehet nga Italia ku ka vajt me kry një vrasje.

Me ligj të posaçëm "Zotni" do zëvendësohet me "Legen". Po ashtu edhe "Kusur" me "Kockë".

Me kaq shumë legena dhe kocka nëpër këmbë, emrat e shkollave, stadiumeve, rrugëve etj. nuk mund të rrinë ato që janë. Do emërtohen me emra legenash të shquar si: Rruga Karipllari, Rruga Varkari etj.

Sa të ha syri, sa të dëgjon veshi, veçse kocka dhe legena.

Burrat dhe llokmat i mori era, i lagu shiu, i goditi breshëri.

Duket e largët dita kur më tepër se legena që lëpijnë kocka do kemi Burra që hanë llokma.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Teodor Mema: 18/10/2024 10:46

    Zoteri nuk ju njoh por sinqerish do te isha i lumtur te pija nje kafe me ju.Ju admiroj per kete shkrim te mrekullueshem,dhe ishalla e lexojne te gjithe legenat qe e meritojne kete ofiq, Pershendetje zoteri. Sot e nisa diten me shkrimin tend dhe diten ma bere me te qete , qe me ne fund doli nje burre qe ti emeroje kaq bukur keto baballare Legena te kombit. Ju uroj fat dhe jete te gjate.

    Përgjigju
  • Miri: 17/10/2024 23:14

    Ah, Ti JE I Madh!

    Përgjigju
    • PPSH: 18/10/2024 00:15

      Cfare madhesie ka ky pasardhes xhelatesh te Ahmet Zogut o zoteri?

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore