Tiranë ka qindra "One man byrek", dritare në mur nga ku një burrë ose një grua të zgjasin nga errësira byreqe trekëndorë nga ata që edhe Sigurimi po tu futet brenda nuk u gjen dot asnjë  gjurmë të mishit inekzistent, spinaqit virtual, gjizës së padukëshme, qepës hipotetike.

Ka dhe "One man punishte" ku një usta me syze ndihmon popullin fukara duke ja ndrequr çakmkët, çadrat, hekurat e korentit, sobat e ndryshkura, e deri te televizorët bardh e zi, që Dreqi e di pse u duhen.

Nuk mungojnë as "One man minimarket" ku mund të blesh gjithçka: Përveç fasule pllaqi, ullinj Berati, vaj ulliri Mallakastre, bulmet jugu, mish veriu, djathë Leskoviku, gjizra Tepelene, fruta ekzotike, edhe kopërtona biçiklete, hekurishta, rroba të vjetra.

Por ka edhe,

"One man party" që janë partitë.

"One man organisation" OJQ-të.

"One man bordello" mediat.

"One man show" banaqet.

E të tjera e të tjera.

Duke parë këto që funksionojnë për bukuri prej mbi 35 vjet dhe man-ët e tyre ua kanë parë hajrin, X-i shqetësohet, nervozohet, zilepset, arrin në përfundimin se biznesin shqiptaresk me 1 person, po ashtu si  Lahutën me 1 tel, duhet të na e njohi zyrtarisht OKB-ja. Kështu X-it i lindi ideja që pas kaq e aq përvojash si komisar ushtarak dhe gazetar rokambolesk, ta bëjë vetë një "One Man Television".

Dhe e bëri. Realizoi ëndërrën e vet me televizionin e një tjetri.

Prej kohësh, në çdo orë të ditës dhe të natës në ekranin e të parit televizion privat shqiptar që nisi me antenë majë xhamisë, 24 orë në 7 ditë të javës sheh vetëm surratin e X-it.

X-i nuk e ka problem orarin. Orarin e kanë problem anglezët, jo albanezët. Dhjetë a njëzetë minuta me vonesë pas orës 8 të mëngjezit kur duhet të jetë para kameras për të lexuar titujt e gazetave, nuk është problem, është pjesë e spektaktit gratis.

Jam si treni, u thotë X-i miqve të kafenesë. Dhjetë minuta me vonesë, janë problemi im. Një orë me vonesë është problem i udhëtarëve. Po të mos vete fare, është problem i budallenjve që mezi presin t'i telendis.

Bien trumpetat. Ulen dritat. Hapet skena.

X-i ulur me përpara ca gazeta që, për të kursyer ca qindarka, ja ka marrë borxh - për kursim - një gazetashitësi, të cilit do ja kthejë pas nja një ore kur të ketë mbaruar së lexuari titujt, përgojuar të gjithë autorët, mallkuar të gjithë pronarët, përdhosur të gjithë drejtorët.

Në sfond, një zhurmë e mbytur si uturimë aeroplani që nuk ndal kurrë.

Sapo zë me dorë një gazetë, X-i përdridhet sikur e zë korenti, sikur e pickon gjarpëri.

Nis e i shan me rrënjë e me degë emrat që i zë syri në gazeta ose ja asocion kujtesa, duke i bërë të gjithë legen, budalla, hajvan, gomar, kafshë, plehër.

Gjatë komenteve që u bën shkrimeve të gazetave, X-i nuk lë pa u punuar qindin ku janë e ku s'janë, presidenta, kryeministra, burra shteti, mbretër, perandorë, sulltanë.

Kur një ditë gjatë një vorbulle diturie përmendi Frank Sinatrën, vajta futa kokën në lavaman për të ardhur në vete nga gjithai erudicion.

Zoti e rujt X-in nga guximi i tepruar.

A mban X-i hudhër me vete ?

Prite kur emrin e X-i t'ja vënë ndonjë rruge a sheshi në qëndër të Tiranës me motivacionon: Për talentin e pashoq komunikativ dhe guximin e rrallë në cilësimin e korifejve të Kombit me emrat që i meritojnë.

Kur X-i lexon gazetën Telegrafin, në ekran çfaqet gazeta Panorama.

Kur në ekran çfaqet gazeta Tema, X-i lexon gazetën Dita.

X-i i bërtet regjisë me gishta në vesh të vërë rregull.

Por Regjsë zëri i vjen me disa minuta vonesë. Dhe Babeli audio-viziv vazhdon e trashet.

Gjatë leximit të gazetave bie në sy se kur X-it nuk i pëlqen diçka, çka ndodh shpesh, thotë gjithmonë të njëjtën gjë: Vari Qillon. Pyet kë të duash. Askush nuk e di kush është Qillua dhe për çfarë varje është fjala.

Thyersi i të gjitha rregullave, antikonformisti, revolucionari, pionieri i shtigjeve të reja, e mbyll leximin e titujve të gazetave me fjalët:

-Faleminderit për bisedën.

-Me nder qofsh o X. Por fole vetëm ti. Biseda dhe tangua nuk bëhen me 1, bëhen me 2.

Aha, X-it nuk i vjen zëri.

Kur X-i, pasi lexon gazetat, nis e llafoset me mysafirin, aty shpirti inovativ dhe imagjinata e çartallosur e One Man Televisionit kapin qiellin.

X-i që duhet të pyes, përgjigjet.

I ftuari që duhet të përgjigjet, pyet.

As njërit as tjetrit nuk i mbetet qefi.

Me të mbaruar përgjigjen, X-i kërruset mbi celular dhe shkruan e shkruan pa u ndalur, derisa mysafirit i ka shterrur logoreja si i shterret uji i një gjymi me vrimë, dhe X-i, do s'do, ngre kokën nga celulari, dhe kalon te...përgjigja tjetër.

Gjatë arratisjes së mysafirit nëpër labirintat e pyetjeve, X-i mbi celular hunguron duke tundur kokën;

bukur bukur bukur

hë hë hë

po po po

qart qart qart

dhe vazhdon shkruan mesazhe.

24 orë janë shumë për një X në televizion që në ekran del live jo më tepër se 1 orë.

S'ka problem. X-i e përsërit pafund veten e vet.

Jo vetëm gazatat. Edhe ca si emisione lajmesh të para disa javëve ose disa muajve. Sa kohë këtu s'ndodh asgjë, mirë e bën.

Kur ka mbaruar edhe me mysafirin, X-i i denoncimit të miliardave dhe veseve, nuk harron t'i kthejë te tezga gazetat e qindarkave të kursyera.

Mirupafshim nesër në të njëjtën orë. Po më doli gjumi.