Trafiku në Tiranë është kthyer në një vuajtje dhe pengesë e madhe për banorët e kryeqytetit, dhe jo vetëm. Ndryshe nga çfarë u tha, Unaza e Madhe nuk pati asnjë efekt në reduktimin e trafikut rrugor, i cili sa vjen e rëndohet.

I ftuar në “Sot Live në Shqipëri” me Nertil Agalliun në Report Tv, inxhinieri dhe eksperti rrugor Mamir Hodo dha disa sugjerime që, sipas tij, nëse zbatohen nga shteti, trafiku i orëve të gjata dhe autokolonave kilometrike do të ulet.

Së pari, Hodo është i bindur se kryeqyteti ka nevojë për një metro. Eksperti rrugor thotë se kostoja e ndërtimit të metrosë varion nga 6 deri në 8 miliardë euro, shumë e madhe për shtetin shqiptar, por e papërfillshme nëse kujtojmë humbjet vjetore që arrijnë deri në mbi 2.2 miliardë euro si pasojë e trafikut dhe aksidenteve.

“Tirana duhet të fillojë ndërtimin e metrosë. Nuk do të kushtojë shumë. Ndërtimi i metrosë të Tiranës do të kushtojë 6 deri në 8 miliardë euro. Do thuash ti: ‘Pse, 6-8 miliardë euro janë pak?’ Në krahasim me humbjet që duhet ta kishim thënë në fillim… Humbjet në Shqipëri janë 413 milionë euro në vit, që është kostoja e aksidenteve. I bie 1.7% e Produktit të Përgjithshëm Bruto. Sipas metrit të Bankës Botërore humbjet në shoqërinë shqiptare ose kostot e tjera janë 2 miliardë e 224 milionë dollarë. Ndërsa metroja bën 6 miliardë”,- tha Hodo.

Inxhinieri renditi disa prej nyjeve rrugore më problematike në Tiranë, dhe propozoi ndërhyrjet e dobishme dhe emergjente që duhet të bëhen në secilën prej tyre.

“Problematike janë disa pika krysore. Aksi kryesor është rrethi te ish-Dogana dhe Pallati me Shigjeta. Para pak kohësh pata një komunikim me kolegë ndërkombëtarë të sigurisë dhe hodha këtë problem. Ata thonin se mund të jetë një infrastrukturë e tillë, një dale në tunel harkor. Nuk është e logjikshme. Duhet të korrigjohet që tek ish-Sheshi Shqiponja që i themi neve deri te Pallati me Shigjeta. Te rrethi i Doganës duhet bërë varianti trëndafili me 4 fletë. Do të kemi rampa në hyrje dhe në dalje që do të ndryshojnë drejtimin e mjetit. Përshembull një mjet që ecën drejt në drejtimin Veri-Jug, do të bëjë rampën në ngjitje dhe do të ndryshojë drejtimin që të vijë këtej. Duhet ta fillojmë urgjentisht rindërtimin e sheshit Shqiponja dhe kjo duke u bërë me atë variant do të hapen rrugët dhe ky projekt do të zgjidhë trafikun për 150 vjet. Kjo është vetëm porta hyrëse. Porta dalëse që ëhstë tek Fabrika e Miellit... Unë sugjeroj që Fabrika e Miellit duhet hequr, duhet zhvendosur në mënyrë të menjëhershme“,- tha Hodo.

“Kryqëzimi i 21-dhjetorit quhet kryqëzim në nivel, ku infrastruktura rrugore dhe ndërthurja e akseve, ndërthuren në nivel. Si mund të zgjidhet trafiku? Nga Sheshi Skënderbej në drejtim të Pallatit më Shigjeta, 150-200 metra, duhet të fillojë nënkalimi. Dhe ai të dalë 300-400 metra poshtë 21-dhjetorit, që mos të na kryqëzohen linjat e trafikut që vijnë nga Lindja në Perëndim“,- tha Hodo.

Eksperti rrugor pati kritika të forta edhe për Policinë Rrugore.

“Policia Rrugore është shumë e lodhur, nuk di çfarë mund të bëjnë më shumë. Ata janë larguar merren dhe me parking, është ngatërruar me shërbimet e Policisë Bashkiake”,- tha Hodo.