Edison Ypi: Paradoks

Edison Ypi: Paradoks

Sa herë vjen fjala te arratisja dhe të arratisurit e Diktaturës, komunistat e sotëm, bashkë me aleatët e tyre të përhershëm, hordhinë e budallenjve të kudondodhur, hapur ose nënkuptuar, nuk e lënë pa shprehur një përbuzje cinike për "të pandjeshmit, që nuk pyetën për familje e farefis që i degdisën nëpër internime, por bënë si u desh qejfi i vet".

E ka një spjegim.

Marrja e vendimit nëse do arratiseshe vetëm, me një, a, e shumta dy, shokë a miq, se me më tepër ishte si t'i thoje burgut byrum, ishte faza e parë, themeli i planit për tu ndarë me skëterrën me çdo çmim. Çfarë mbetej pas atij vendimi, dukeshin detaje, çikërrima, teknikalitete.

Jashtë bodrumit ku ishullarët projektonin arratisjen, klithnin gazetat, librat, filmat, mbledhjet e kolektivit, që dënonin me rreptësi dhe pa mëshirë duke treguar me shembuj konkretë, emra armiqsh, data, katunde, kufitarë, pionierë me shall të kuq në qafë që kishin denoncuar dhe u kishin çjerrë maskën armiqve  që kishin guxuar tu afroheshin telave me gjëmba, ishin kapur nga rojat, dhe shqyer nga qentë. Ulurimat e propaganës kërcënuese ishin përgjigja për pyetjen inekzitente: Ju që tentoni, dhe me siguri do kapeni, a keni menduar se si do i vejë filli familjes dhe farefisit tuaj ?!

Trimat që e kishin ndarë mendjen, s'kishin asnjë pyetje. Vazhdonin përgatitjet. Bënin plane. Pyesnin, lexonin, bisedonin, si ta çanin ferrën. Në eventualitetin e arratisjes nga ndonjë fshat kufitar, pyesnin për përbërjen klasore të atij fshati. Numurin e kulakëve, ballistave, të pakënaqurve me reformat, kooperativizimin etj, dhe nxirrnin përfundimin nëse duke u aventuruar nga ai fshat, do gjenim lirinë apo belanë. Por kurrë dhe askush nuk mendoi, dhe as mendja i vajti, te familjarët, internimet, puna e detyruar, baltrat etj.

Varianti me u arratis nga deti me trap ishte më i thjeshtë. Katër dërrasa, një fuçi bosh në mes, një rrotë djathi, dy bukë të zeza, një bidon ujë, një radio Fatosi, dy bateri rezervë, katër paketa Partizani, çarçaf i bardhë për tu pajtuar me ndonjë Jack Sparrow që do kalonte andejpari, dhe tafti-bafti në mes të Adriatikut në pritje të ndonjë peshkarexhe ose jahti, ose anije pasagjerësh, pesë llafe italisht, tre anglisht, dhe u kry. Por kurrë dhe askujt nuk i vajti mendja te fati i të afërmve. Aq të tmerruar ishin nga shteti i luftës vllavrasëse të klasave, dhuna proletare, pisllëku katundar.

Varianti i ikjes nga Liqeri i nositave, duke qenë më i afërm dhe më poetik, ishte dhe më tundues. S'kërkonte më tepër se lyerjen e trupit me dhjamë derri, futjen e kokës brenda një sharqiu ose kungulli bosh, një komerdare e fryrë mirë me ca hekura rrotull të mos e kafshonin pashqit, një busull për të mos ngatërruar Shën Naumin me Udënishtin ose Pojskën, dhe voilaaaa, për nja dy a tre orë në Ohër a Strugë. Ku, si u muar vesh më vonë, në breg të gjolit të prisnin krahëhapur Noc Rroku i Sigurimit dhe dashnorja e tij UDB-a e Titos, që të kthenin brenda ditës në Qaf Thanë me Gazin 69 të Degës së Pogradecit brenda në një kuti kartoni lidhur me ngjitëse dhe me ca vrima që të mos ngordhje nga asfiksia. Por edhe në këtë rast, askujt nuk i shkonte mendja për fatin e zi të familjarëve në ndonjë kamp internimi rrëzë ndonjë mali andej nga jugu apo veriu duke ngrënë një copë bukë misri me krimba lyer me bojë të zezë këpucësh gjoja marmalatë.

S'kishin të ndalur buçimat e radios dhe klithmat e filmave me diversanta me thikë ndër dhëmbë, dollaro nëpër xhepa, qën kufiri, tel me gjëmba, kufitarë të uritur por sypatrembur që të servirnin përgjigjen pa pyetje. Krejt e kotë. Kujt kishte bërë në men me u arratis, përgjigja pa pyetje, nga njëri vesh i hynte, nga tjetri i dilte. Për atë që kishte vendos me ik, ajo pyetje nuk ekzistonte.

Sa më tepër propagandë, rrahje, tortura, internime, burgosje, zvarritje me traktor mbytur në gjak, aq më tepër pyetja inekzistente i largohej përgjigjes shtazarake.

Nëse dikush, pa të pyetur, insistonte me të vu në dijeni për fatin e skëterrshëm të familjes për shkak të arratisjes tënde, po flisje me spiunin. Duhet të lije mënjanë fantazitë me rrota djathi, krahë fluturues si të Ikarit, paketat Partizani, dhjamin e derrit, sharqinin bosh, dhe të gjeje ndonjë rrugëdaje nga hukubeti me llafe, hile, kërcënime, me spiunin.

Një ishullar solli në vëmendje quotën "Jo çdo pyetje meriton përgjigje". E panë me dyshim. E përbuzën. Nuk ja varën.

Kush kishte ndërmend të ikte, s'kishte nge' të bënte pyetje, as të priste përgjigje, thjesht ikte. Përgjigje paradoksale për pyetje inekzistente kishin vetëm spiunat dhe propaganda.

U ndërrua shekulli. Iku mileniumi. Kaluan dhjetra vite. Kush mbeti gjallë nga kafshimi i qënit, sharrimi i kalashnikovit, pionieri me shall, katundari spiun, mes arratisjes së vet dhe fatit makabër të familjes, nuk bën asnjë lidhje.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 21 Janar, 08:38

    14 vite nga vrasja e 4 protestuesve, do bëjë SPAK drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Trump paralajmëron sërish Putinin: Nëse s'ka një marrëveshje për Ukrainën së shpejti, do shtoj tarifat e sanksionet mbi gjithçka që shitet nga Rusia në SHBA

Trump paralajmëron sërish Putinin: Nëse s'ka një marrëveshje për Ukrainën së shpejti, do shtoj tarifat e sanksionet mbi gjithçka që shitet nga Rusia në SHBA