Edison Ypi: Rrugët e Femrës

Edison Ypi: Rrugët e Femrës

Edison Ypi

Kushtuar: E.B.

Rruga rreth belit të Femrës, bashkë me dy ose tre rrotullime rreth kërthizës. është udhëtim i ëmbël që zgjat deri në 3 orë në varësi të sensibilitetit të vullkanit të fikur, kërthizës. Mjeti i rekomanduar i këtij udhëtimi nuk është nga ato me rrota apo zinxhira, por një vegël e butë prej mishi, buzët, të cilat këtë udhëtim e bëjnë duke puthur. Më beso. Unë që rrugët i dashuroj, kaq gjë e di.

Nga mesi e lart, nisur nga varianti alpinistik kurrizor me kacavjerrje nëpër vertebrat e kolonës, ky udhëtim sa i vështirë dhe lumturues, bëhet mbi disa autostrada që i zgjedh në varësi se ku preferon të shkosh në relievin e Femrës: te qafa, supi, krahët, mjekrra, goja, dhëmbët, qellza, apo dikund tjetër. Ky udhëtim i këndshëm, por jo nga më pasionantët përderisa shërben si tranzitor për të vajtur diku tjetër, të mundëson të ndalesh, çlodhesh, freskohesh, nëpër kronj rrjedhës e puse të shenjta nëpër vertebra të ndërlikuara me disqe, kocka, lëndë kartilagjinoze.

Nga udhëtimet më rrënqethëse, ai rretheqark gushës që bashkë me gjerdanin e perlave ngjan si disku me numura i telefonave të kohës së qepës, duhet të bësh kujdes se gjatë këtij fërgëllimi që s'ka të sosur, mund të ndodhi që ndal ti, por lëviz rruga. S'ësht për tu çuditur sa kohë rrugët e Femrës janë të vetmet rrugë që nuk kanë as fillim as mbarim. Kudo të ndodhesh është edhe fillim edhe mbarim.

Rruga te vullkanet e gjoksit të Femrës, për shkak të terrenit të lëmuar dhe rrezikut të rënies në humnerë, bëhet vetëm nga lart me helikopter ose dron. Çka i ngjan ardhjes rrotull atyre të dashit me precedent Balzakun që udhëtoi me muaj mbi karrocë me kuaj nëpër dimër drejt gjoksit imagjinar të konteshës ruse.

Udhëtimi brenda pyllit të flokëve të Femrës nuk mund të kryhet ndryshe veçse me anë të një buldozeri, që është pëllëmba, paisur ky buldozer me një ruspë si krëhër, dhëmbët e të cilës ruspë janë gishtat që depërtojnë dridhshëm në pyllin e leshrave. Mund të vazhdojë gjatë ky eksplorim drithëronjës. Madje, si e ka vënë në dukje Hyu, mund të kryhet me të gjitha efektet elektrizuese edhe me krahë dhe gishta mijëra kilometra të gjatë.

Nëse qëllimi që i ke vënë vetes është të humbësh rrugën, çka është më se kuptueshme dhe e pranueshme për rrugët banale, e jo më për rrugët e Femrës, dhe të harrosh nga je nisur e ku do shkosh, aq ngatrrushëm sa mos të gjejë dot asnjë polic, asnjë helikopter, apo palumbar, ik bëj një udhëtim te sytë e Femrës.

Ti kujton se që të mos rrëzohesh dhe mbytesh në liqenet e syve për shkak të terrenit të thyer, veçanërisht kur ata sy jan të zinj, në këtë udhëtim epileptik drejt syve të zes, duhet të marrësh me vete sende të forta, të metalta, kazma, lopata, zinxhira. E ke gabim. Udhëtimi nëpër sytë e Femrës bëhet me mjetin më të butë që ekziston, me vështrim. S'ka si udhëtimi me kqyrje reciproke nëpër sytë e qelqta. Sidomos nëpër natë. Kur fryn erë e bie shi, mblidhesh brenda palltos, trembesh nga bubullimat, mezi e dallon rrugën duke pritur ta ndriçojnë vetëtimat.

Për shkak të relievit të vështirë, rruga jashtë dhe brenda veshit, një nga rrugët më llaftarisëse sa i përket prodhimit të Dopaminës, bëhet me një qysqi' që quhet maja e gjuhës. Motorri i qysqisë do jetë me naftë. Por për shkak të drithmave që provokon, do duket me korrent.

Ku mbaron supi dhe fillon gusha, kalohet me çdolloj mjeti. Por e mira është këtë copë rrugë ta bësh me buzë. Pa u menduar gjatë, jopo harku i supit, jopo butësia e gushës, jopo çmendja nga parfumi. Po re në këtë kurth, lodhesh, sëmuresh, deprimohesh. Le pastaj të numurosh e krahasosh rrugët e Femrës nga koka te këmbët, të merret fryma dhe vdes. T'i shkelësh ato rrugë, s'mjafton jeta. Mos u merr as me kryqëzimet e rrugëve të Femrës, rrethrrotullimet turbulluese, nën kalimet e errëta, mbikalimet e kollajta, urat dhe tunelet e frikshme. Të gjitha i ka bo Zoti me dorën e vet.

Ngjitja nga shputa e këmbës së Femrës e përpjetë, mund të bëhet në dy mënyra.
Me kqyrje marramendëse deri lart.

Ose duke u ngjitur ngadalë me dy gishtat e dorës si këmbët e alpinistave që u kacavjerren shkëmbinjve.

Por në të dy rastet duhet duhet pasur kujdes te gjuri i Femrës, i cili, nëse nga kënaqësia që në këtë rast Femra ndjen, lëviz sadopak, mund t'i nxjerri telashe serioze ngjitjes përpjetë drejt Jeruzalemit të Femrës.

Rrugën e gjakut brenda trurit të Femrës, e di Lagushi. Por Lagushi po fle një sy gjumë.

Rrugën e nazeve të Femrës e di Kadarea, që ka ikur të çlodhet pak.

Rrugën e paasfatume nga fundbarku te fundshpina e Femrës, rrugën ku hyn e del një katunar me mustaqe deri te veshi, e njeh fijepërpe vetëm Frojdi.

Për rrugën drejt zemrës së Femrës mos pyet askend. Ngrije Shekspirin nga varri ta tregojë rrugën e tiktakut të gjakut milimtër për milimetër.

Parësore, dytësore, rrugë, rrugica, të gjëra, të ngushta, autostrada, me ose pa tunel, malore, fushore, civile ku transportohen mallra, ushtarake ku bëhen luftra, kthesa, brryla, të përpjeta, të tatpjeta, pa semafora, pa polica, e të tjera e të tjera, rrugët e Femrës janë një galaktike më mahnitëse se Rruga e Qumështit.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pena: 17/07/2024 13:55

    Si ato perrallat e Persise dhe poezite e Omar Kàjamit, ne poezi do te shkruhej me bukur. Bravo gazetarit!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari