Edison Ypi: Stalin Kurti ftohu motin

Edison Ypi: Stalin Kurti ftohu motin

Sapo ra nata thirra shërbëtorët të më përgatisnin kalin dhe armatimin, jataganin, përkrenaren, parzmoren, heshtën. I hipa kalit. U nisa. Duke ju afruar kështjellës therra me jatagan tre roja që ma zunë rrugën. Ndala në errësirë rrëzë mureve shekullorë me gurë dhe myshk. Të tëra dritaret të ndriçuara. Vetëm një dritare e errët, dritarja e dhomës së Princeshës Kosovë, e cila prej kohësh më priste mua dhe nga dëshpërimi i iknin lotët përrua. Pas pak Princesha lëshoi nga dritarja litarin me çarçafët e bardhë lidhur nyje një nga një. Plani po funksiononte.

Agjentat e mi, Kadriu dhe Miloti, i pari Kryekomandant i Oborrit mbretëror kosovar, i dyti kryekujdestar, me anë të cilëve prej kohësh e kisha marrë nga brenda kalanë, e kishin kry mirë punën. U kacavjerra për litari. Pas dritares princesha me pamje të brengosur, e djegur nga malli i vet për mua dhe nga malli im për atë, me flokë të lëshume, veshje nate prejnga i dukeshin hiret dhe harqet, mu hodh të më përqafonte dhe puthte. Sapo do na takoheshin buzët, më doli gjumi. Dielli ende s'ka lindur. Ngrihem nga shtrati. Vishem mbathem. Dal. Marr kalin, makinën. Armatosem, i hedh karburant. Nisem te Princesha Kosovë. Rruga kalon mirë. Nis me bo pak ftohtë dhe me ra pak shi. Në dalje të tunelit të Rrugës së Kombit një halabak që e kishin vu për me mbajt taksën, pasi më tha se kushton 5 Euro dhe ma llogariti Euron me kurs kriminal në dëmin tim, më mbajti edhe 400 lek të vjetra.

Në të dalë të Kuksit shiu bie rretheqark meje, por jo mbi mua. Pas pak kuptova se besnikët e mi, Kadriu dhe Miloti, më kishin zgjat nga Prishtina një çadër kilometrike për me më mbrojt nga shiu mos me u lag, mos me u ftof. Fal agjentave të mi oborrtarë Milot dhe Kadri, rretheqark shi, un thatë. Duke hy në Kosovë, te trau, një Zotni kosovar ma uroi mirseardhjen me nji "Pi Tirane je a ?". Nga halabaku shqiptar i Kuksit te Zotniu kosovar i Morinit, jo keq. Por e ftohta shtrëngoi. Kur isha vjet në kështjjellë, ndejta një natë te një hotel në qëndër të Prishtinës. I mirë hoteli, por i tmerrshëm trafiku. S'mujta me lëviz. Këtë herë, meqënse nuk jam fort i stërvit me hotelet, i kërkova një prishtinalies me më orientu te ndonjë hotel periferie. Mikesha me të dëgju "hotel", u tremb, ndoshta më mori për ndonji kurvar si presidenti i ri i Amerikës, dhe u largu nga tema. Pastaj i lypa ndihmë Gjeneral Kadriut.

Gjeneral Kadriu më përcolli te Major Miloti. Majori më gjeti një hotel diku te 100 euro nata. I thash Milotit: O Milot, nuk jam i salltaneteve, jam i Pasulit, dhallit, trahanasë, batanies. Ma gjeti Major Miloti nji hotel të lirë. Ndoshta pa banjë brenda. Me shku me dhi në fund të korridorit me zezakë nga të KFOR-it. E telefonova kët hotel. Nuk u përgjigj. Ndërrova strategji. Pa hotel të prenotum, pa asigjo, tafti-bafti, kuturu. Me të kalu Morinin, i ftohti ja shtrëngoi. Prej dy net që e kisha menu me nejt në Kështjellë, e zbrita në 1 natë. Në Prizren tmerr, 3 gradë. Nëpër rrugë asnjë shpirt i gjallë. Vetëm era e dimrit brisk e ftohtë. Vendi i duhur, ditë e gabuar. Qefi im kur shkoj me taku Princeshë Kosovën nuk osht me fol me kosovarë nëpër Qajtore apo restoranta, por me kosovarë përgjatë rrugës. Sot në ktë acar prej tyre s'ka, s'munem me taku asnji. Para se me u kthy, ndal te një karburant.

Pompisti, një prizrenali i muhabetshëm më dha naftë me çmim më të lirë dhe cilësi më të mirë se në Tiranë, si dhe më bëri të ditur se "Sot n'Prishtin temperarurën e kie zero gradë". Te një market një prizrenalie elegante më dha ca dha Birra Peja, gjithashtu me cilësi dhe çmim më të mirë se në Tiranë. Duhet me u kthye. Në Morini më përshëndet Zotniu kosovar. Në hyrje të tunelit halabakun e mikrohajdutllikut e ka zëvendësu nji zojushë kuksiane e këndshme dhe e sjellshme. Nuk ban me u kthy nga erdhe. Nuk vazhdoj për Milot.

Kthehem në Rrëshenin e Musine' Kokalarit, birucave, spiunave, rojave shtazarakë të Spaçit dhe Qafës Barit. Nga Rrësheni në Burrel është një rrugë fort e mirë që jo të gjithë e dinë se ekziston. Shumica e shqiptarëve kujtojnë se Mirdita është vetëm ajo e egra me male dhe shkrepa e Luginës së Fanit ku kalon Rruga e Kombit, ajo me do kulla të rralla që edhe ato po ja shembin. Jo-jo. Mirdita e vërtetë, Mirdita e plotë, është kjo nëpër këtë rrugë, kjo me kodra të buta, të ëmbla, ara të mbjella, banorë bujarë, të qetë, të njerzishëm. Makinën s'e lava dot te një lavazh që e njoh. Kishte ikur në Angli.

Ndoshta për me hap një Car Wash në Birmingham. Kthehem nga e magjikja Rruga e Arbërit. Kët herë s'mujta me shku me e puth Princeshën Kosovë dhe me taku Kadriun, Milotin, Gazin, Nexhmedinin. S'mujta me vajt atje ku ata anejna e teprojn me dashuri për kta knejna që e teprojn me urrejtje për ata anejna. Princesha Kosovë, Gjeneral Kadriu dhe Major Miloti, më pritën mirë. Fajin që u ktheva e pati tjetërkush. Stalin Kurti që e ftohu motin.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Von der Leyen: Do japim akses në kapitalin financiar me kosto të ulët, Shqipëria dhe Mali i Zi bashkohen vitin tjetër në këtë iniciativë

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Von der Leyen: Do japim akses në kapitalin financiar me kosto të ulët, Shqipëria dhe Mali i Zi bashkohen vitin tjetër në këtë iniciativë