Edita Tahiri: Serbia njohu
shtetin e Kosovës

Edita Tahiri: Serbia njohu <br />shtetin e Kosovës
KOSOVE - Takimi i 17 janarit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, ishte konfirmim i pranimit të realitetit të krijuar në rajon nga ana e Serbisë. Kështu është shprehur zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, raporton RTK. Në një konferencë për media, Tahiri vlerësoi se janë shënuar përparime të theksuara në vendosjen e raporteve normale mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë është në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon, në të mirë të qytetarëve dhe është një mundësi për integrim më të shpejtë në BE. Në këtë drejtim, ajo përmendi mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së.

“Qeveria dhe kryeministri Thaçi në këto bisedime ka mbrojtur interesat nacionale dhe qytetare, ka mbrojtur Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj, Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, si dhe parimet europiane për fqinjësi dhe stabilitet rajonal. Takimi i 17 janarit në Bruksel ka rikonfirmuar se Serbia njeh realitetin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës dhe realitetet e krijuara në rajon”, tha Tahiri.

Tahiri foli më tej për marrëveshjet e arritura në takimin e 17 janarit, duke veçuar marrëveshjen në fushën e doganave. Ajo tha se kjo marrëveshje mbron parimin se Kosova është një zonë unike doganore, ku në tërë vendin ka aplikim të ligjeve shtetërore që rregullojnë këtë fushë.

“Në aspektin politik, me këtë marrëveshje, Serbia ka njohur shtetin e Kosovës në fushën e doganave”, tha Tahiri.

Po ashtu, zëvendëskryeministrja Tahiri përmendi edhe vendimin për themelimin e fondit për veriun, i cili do të menaxhohet nga bordi i përbërë nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, përfaqësues nga komuniteti lokal dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë.

“Mjetet e grumbulluara nga doganat të gjitha derdhen në Buxhetin e Kosovës. Kjo është linja, Buxheti i Kosovës është ai i cili vënë në dispozicion këto mjete për fondin zhvillimor”, u shpreh Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se pala serbe në takimin e 17 janarit ka marrë obligime për zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë në Kosovë. Megjithatë, ajo nuk dha ndonjë afat se kur mund të shihen rezultate konkrete në këtë drejtim.

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Radhë kilometrike automjetesh në autostradën Durrës-Tiranë, në Vorë qarkullimi është bllokuar

Radhë kilometrike automjetesh në autostradën Durrës-Tiranë, në Vorë qarkullimi është bllokuar