Editorial/ A po shkojmë në
Evropë me këtë OSHEE?

Ndërprerja e dritave gjatë derbit të futbollit në kryeqytet mbrëmjen e djeshme ishte një skandal, jo vetëm për sportdashësit e shumtë që e kthejnë gjithnjë një rast të tillë në festën apo betejën e radhës.

Ndërkohë që gjithë shqiptarët po luftojnë të kapin stadin e radhës në rrugën e thepisur drejt integrimit, me reforma politike e gjyqësore që duhet të na çojnë në një botë me të vërtetë të re, të cilën e gëzojnë prej vitesh popujt e tjerë të kontinetit të vjetër, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike na sjell përsëri me këmbë në tokë: jemi në një gjendje qesharake në shërbimin jetësor të furnizimit me energji elektrike.

Pak ditë më parë, OSHEE shpalli se, për herë të parë, humbjet në rrjet kanë zbritur nën 30 për qind. Ndërkohë, arkëtimet në 10 muajt e këtij viti kanë qenë 10.3 milionë EURO (jo lekë!) më të larta se në të njejtën periudhë të një viti më parë. Urime! Kemi tre vjet që dëgjojmë për suksese të tilla.

Natyrisht, kemi një kthesë në financat e kompanisë gjigande, që për vite të tëra ka prodhuar makth për shqiptarët, të mësuar me muzikën e kobshme të gjeneratorëve.

Por, mjafton një qiri i ndezur në shtëpitë e konsumatorëve në këto netë të ftohta, që të të kthjellojë mendimet: ku shkojnë këto para? OSHEE vërtet ende është e kredhur në borxhe, por gati përditë publikohen tendera shumë të shtrenjtë që kanë të bëjnë me rregullime në rrjet e që duhet të kishin sjellë një përmirësim radikal të situatës. Çka, në fakt, nuk ka ndodhur.

E çuditshme është që, edhe në reagimin për ndërprerjen e dritave në ndeshjen e djeshme, OSHEE mjaftohej të fliste për ndërprerjen vetëm në stadium, duke bërë të ditur se ky objekt nuk kishte gjenerator emergjence. Ndërkohë që energjia mungoi për një kohë të gjatë në një pjesë të mirë të Tiranës.

Po të flasim për stadium, e njejta ngjarje ka ndodhur edhe dy ditë më parë në atë “Loro Boriçi” të Shkodrës. Por, ndërprerjet janë bërë një gjë e përhershme në Tiranë, për të mos folur për qytetet periferike, aq më tepër në rajonet rurale.   

A qendron ende justifikimi se linjat nuk mbajnë dot ngarkesën, që është përdorur rëndom në këtë vend që nga viti 1991 e këtej?

A përgjigjet OSHEE, sipas kontratave moderne, që ka bërë së fundmi me klientët, për dëmet që u shkaktohen bizneseve dhe familjeve nga pajisjet që digjen nga këto ndërprerje? Po pët tensionin, që, siç e pranon edhe vetë, në zona të caktuara është 150 Volt, në vend të 220?

Sot flasim për Vetting dhe reforma për standarde evropiane. Na vjen keq të konstatojmë që në këtë fushë standardet po u kërkohen vetëm konsumatorëve…       


d.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

‘Rama veq arab ka mbet. Pse nuk Biznese me Evrop e Amerik?’, kryeministri i përgjigjet komentuesit: 1 mld euro investime të huaja në Shqipëri, shumica nga Perëndimi! SHBA na ka përzgjedhur për një financim të madh

‘Rama veq arab ka mbet. Pse nuk Biznese me Evrop e Amerik?’, kryeministri i përgjigjet komentuesit: 1 mld euro investime të huaja në Shqipëri, shumica nga Perëndimi! SHBA na ka përzgjedhur për një financim të madh