ROME-  Mbi 47 milionë italiane janë duke votuar për të zgjedhur dhomën e deputetëve dhe dhomën e senatorëve. Por ndërkohë që rezultatet do të njihen vetëm të henën pasdite duke nisur nga ora 15.00, kur të nisë numërimi i fletëve në mbi 60 mijë qendra votimi, një gjë e sigurtë dihet që tani: Në Parlament do të hyjnë për herë të parë dhjetra e dhjetra deputetë të Lëvizjes 5 yjet, partia e re që drejtohet nga humoristi Beppe Grillo. Asnjë prej tyre nuk është politikan profesionist: Janë qytetarë të zakonshëm, artizanë, shtëpiakë dhe profesionistë, që vetë Grillo i ka përzgjedhur për të ndryshuar rregullat e sistemit.
Fenomeni Grillo është i lidhur me atë valë rebelimi që ka karakterizuar shumë zgjedhje të tjera në Europë në dy tre vitet e fundit dhe që ka sjellë rezultate pozitive në shumë vende për parti të së djathtës ekstreme si partia Nacionale në Serbi apo Fronti Nacional në Francë, deri parti neonaziste si Agimi i Artë në Greqi.

Lëvizja 5 yjet e Beppe Grillo për fat nuk ka tipare fashiste apo neonaziste, por përkundrazi është gjithëpërfshirëse dhe ka marrë aprovime nga ekstremi i djathtë si edhe ai i majtë. E veçanta e saj është që është një lëvizje padyshim populiste, por kundër partive politike dhe kundër së ashtuquajtures ‘kastë’, pra klasës drejtuese të lidhur me politikën që përfiton në Itali privilegje të mëdha.

Të parët që dridhen nga rezultatet që mund të ketë Beppe Grillo janë në fakt pikërisht politikanët tradicionalë, të bashkuar nga një frikë e njëjtë: nga Bersani që në udhëheqje të koalicionit të qendrës së majtë që shpreson të fitojë zgjedhjet, të Berlusconi koalicioni i qendrës së djathtë i të cilit duket i destinuar të humbë.

Kundër Beppe Grillos është edhe kryeministri në ikje Mario Monti, që nëse do hyjë në parlament ka gjasa të krijojë aleancë me Pierluigi Bersanin dhe Massimo D’Alemen në qeverinë e ardhshme.
Natyrisht çdo gjë varet nga rezultati i zgjedhjeve, por nëse Beppe Grillo arrin të kalojë 20% siç druhen politikanët tradicionaleë nuk përjashtohet as krijimi i një qeverie të re të përkohshme me Bersanin, Montin dhe Berlusconin së bashku: Kundërshtarë mes tyre në fushatën elektorale, por të gjithë të gatshëm të bashkohen kundër Beppe Grillos. Një skenar ndoshta i largët për t’u verifikuar vërtet, por shumë shqetësues sespe do rrezikonte të sillte edhe në Itali protesta në sheshe dhe sidomos një rendim të mëtejshëm të stabilitetit ekonomik.
Editorial i TV A1 REPORT!

(sg/shqiptarja.com)