Edmond Haxhinasto: Porti i ri i
Shëngjinit është projekt strategjik

Edmond Haxhinasto: Porti i ri i<br />Shëngjinit është projekt strategjik
Një prej projekteve më serioze të infrastrukturës shqiptare, ai i ndërtimit të Portit të ri të Shëngjinit do t`i prezantohet qeverisë kineze për sigurimin e një financimi për ndërtimin e tij - deklaroi Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto para medias së pranishme dje gjatë vizitës në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga Klik Ekspo Group. Gjatë vizitës dhe takimeve me kompanitë pjesëmarrëse, Ministri Haxhinasto ndaloi dhe në stendën e Europort Shëngjin “Shqiponja e Adriatikut”.

Gjatë bisedës me Lirim Muharemin, drejtuesin e kompanisë LM & Co, Ministri Edmond Haxhinasto tha se, qeveria e vlerëson projektin e realizuar dhe se do të japë mbështetjen maksimale për gjetjen e fondeve. Ministri Haxhinasto përgëzoi dhe organizatorët e Klik Ekspo Group për mbështetjen që i japin biznesit vendas dhe të huaj dhe rrjedhimisht ekonomisë shqiptare. Në ndalesën në stendën e Europort Shëngjin “Shqiponja e Adriatikut”, ministri sqaroi për mediat se ky është ndër projektet më madhore të infrastrukturës dhe është projekt që plotëson nevojat e vendit. “Një nga stendat ku unë kam ndaluar me interes të veçantë është kjo këtu, që bën prezantimin e një projekti si ai për Portin e ri të Shëngjinit.

Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim maksimal për zotin Lirim Muharremi, për sipërmarrjen e tij, për realizimin e këtij projekti, i cili në fakt është një projekt shumë strategjik që përputhet dhe me strategjinë tonë të zhvillimit të infrastrukturës së Shqipërisë. Ne tashmë këtë projekt e kemi bërë pjesë të planeve tona strategjike për zhvillimin e transportit dhe infrastrukturës dhe jemi duke punuar që të garantojmë interesin, pjesëmarrjen dhe investimet e kompanive prestigjoze”, - tha Haxhinasto në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës. Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës u shpreh i bindur se ndërtimi i portit të ri modern do t`i vlejë të gjithë rajonit.

“Ne do përpiqemi maksimalisht që të gjejmë një investitor strategjik për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm, që nuk është projekt vetëm për Shqipërinë, por për Kosovën, Serbinë, Bullgarinë dhe për gjithë rajonin. Është një nyje me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim për Shëngjinin dhe gjithë Shqipërinë”, - tha ministri Haxhinasto. Porti i Shëngjinit shihet si një projekt infrastrukturor që i shërben drejt për së drejti një hapësire prej 230 mijë kilometra katror të Ballkanit, pasi do të transportohen 30-40 milion ton mallra me një vlerë transporti rreth 550 milionë euro. Projektuesi thotë se kalimi nëpërmjet Portit të Shëngjinit do të thotë një kursim prej 360 milionë litra karburante në vit. Me shkurtimin e rrugëve do të kemi dhe më pak lëshim të gazit karbonik në atmosferë, pra më pak ndotje për të gjithë Ballkanin.

MINISTRI TAHIRI VIZITON ALMEX

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi kanë vizituar ambientet e Panairit Ndërkombëtar Klik Ekspo Group. Veç stendave të shumë kompanive të huaja, të pranishme në këtë Panair, Ministri Tahiri është ndalur më gjatë në pavionet e rezervuara për Ekspozitën Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë ALMEX III. Për herë të parë Ministria e Brendshmë është afruar si një prej bashkëpunëtorëve kryesor në këtë Panair dhe ka vënë në dispozicion të publikut shqiptar dhe jo vetëm, të gjitha asetet e saj, duke nisur nga stendat e Policisë së Shtetit, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Forcave Speciale RENEA, Shërbimit të Emergjencave Civile, Gardës së Republikës dhe shumë insititucione të tjera në varësi të kësaj Ministrie.

Gjatë vizitës së kryer në ambientet e Panairit Ndërkombëtar Klik Ekspo Group, Ministri Tahiri është ndalur dhe tek stenda e rezervuar për historikun e Policisë së Shtetit, ku veç armëve të përdorura ndër vite, janë ekspozuar dhe uniformat e Policisë që nga viti 1913 e deri më sot. Një pavion ky që ka tërhequr interesin dhe të shumë qytetarëve të thjeshtë, të cilat janë njuhur nga afër historikun e Policisë së Shtetit ndër vite. Një prej objekteve të ekspozuara që ka shfaqur më shumë interes në këtë pavion, është pistoleta e Xhevdet Mustafës, një prej personazheve më të njohur gjatë kohës së sistemit komunist, misioni i të cilit ishtë të vriste Enver Hoxhën.

Interes tek vizitorët kanë shfaqur dhe mjetet e emergjencave civile, të cilat janë të ekspozuara në pjesën e jashtme të Panairit. Borëpastruese, zjarrëfikëse, autoshakllë, automjete për koordinimin e emergjencave, të paisura me teknologjinë më të fundit, janë vetëm disa nga mjetet e punës së përditshme të kësaj Drejtorie, të cilat mund të vizitohen në ambinetet e Panairit Ndërkombëtar të Klik Ekspo Group në Pallatin e Kongreseve. Po ashtu, kuriozitet të shumtë ka pasur dhe në stendën e Policisë Rrugore, ku jo pak vizitor kanë parë dhe provuar tubat e alkoolit dhe radërët e shpejtësisë, të cilat janë disa prej mjeteve kryesore të punës të Policisë Rrugore.

Ndërkaq, Forcat Speciale RENEA për shkak edhe të reputacionit të tyre, kanë pritur gjatë këtyre ditëve të Panairit me mijëra vizitor të cilët kanë parë nga afër të gjitha mjetet e punës të efektivëve më të përgatitur të Policisë së Shtetit. Mes objekteve të ekspozuara ishin snajperat për distanca të largëta, bombat tymuese, kamerat termike, automatikët dhe pistoletat e efektivëve si dhe mjetet mbrojtëse, duke nisur nga helmetat, antiplumbët e deri tek veshjet e posaçme për grupet e polumbarëve.



Shkrimi u publikua sot(27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit