Ish-deputeti Edmond Spaho, që ka qenë kritik për zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, iu është përgjigjur atyre që e akuzojnë pse po flet tani për gjendjen ku ndodhet PD-ja. Edmond Spaho shkruan se Partia Demokratike po sillet si pemë pa kokë.

Postimi i plotë i ish-deputetit Edmond Spaho

Kritikëve të mi! Shikoj shumë militantë që më ofendojnë pa fund në fb për qëndrimet që po mbaj dhe kritikat ndaj udhëheqjes së PD, e cila sipas meje po sillet si pulë pa kokë. Duket që për militantët jam tradhtar. Megjithatë dua t’iu pyes se perse nuk më quajtët tradhtar:

1. Në Shtator 2021 kur nga të parët u rreshtova në krah të Foltores?

2. Në Tetor 2021 kur sëbashku me 4 deputetë të tjerë, përfshirë Sali Berishën, u përjashtova nga PD? Të gjithë në 2025 u futën në listë të mbyllur? Unë jo, dhe nuk u ankova.

3. Kur u përjashtova 50 dite nga Parlamenti sa rrallë ndonjë tjetër?

4. Kur I rashë bilbilit në shenjë proteste 6 orë në Kuvend duke shkelur mbi reputacionin tim sepse besova që do rrëzojmë Ramën?

5. Kur mbroja Nongraten dhe kritikoja Ambasadën dhe Administratën Amerikane, megjithëse reputacionin e kisha si pro amerikan i thekur?

6. Kur çdo ditë së bashku me 5-6 deputetë shkoja tek protesta tek Rruga e Shpresës dhe flisja me shumë se kushdo tjetër? Të tjerë "tanët" kishin ndot të vinin.

7. Kur dola i dyti me vota në primare në gjithë grupin parlamentar dhe nuk u futa në listë të mbyllur dhe prapë nuk u ankova. 

Në 35 vjet nuk e kam dredhur asnjëherë dhe I kam qëndruar besnik jo emrave por idealeve të PD.

Në Shtator 2021, kur filloi Foltorja, jam takuar me zotin Berisha në zyrën e tij, me kërkesën e tij për të mbështetur Foltoren. I premtova mbështetje të plotë si dhe i shpreha dy shqetësime:

1. E ke seriozisht këtë lëvizje që po fillon? Mu përgjigj PO. Më vonë kuptova që Foltorja u braktis për interesa që nuk lidheshin me ato me të cilat u krijua.

2. I sugjerova të mos merret me amerikanët, pavarësisht se të kanë rënë në qafë. Të merremi me partinë, ta forcojmë dhe të kthehemi në alternativë qeverisëse. Nuk mu përgjigj.

Së fundi: Burrat mbahen nga fjala që japin. Sidomos kur janë në moshë të thyer. Akoma më keq kur të hanë pas krahëve. Flas për burra jo për flamurka.

Kritikat e mija janë të drejta, bazohen mbi gabimet 13-vjeçare që kemi bërë sëbashku. Që të fitojmë duhet strategji e re, njerëz të përkushtuar dhe punë pafund në bazë për të ngritur PD e cila sot duket e vënë përfund.

Nuk është sot hera e parë që flas. Mendimet e mia prej me shume se dy vjet i kanë me shkrim Sali Berisha dhe Flamur Noka. Kritikat ndaj këtij te fundit mu kthyen ne bumerang. Besova se Foltorja ishte e sinqertë.

Lajmi në përditësim...