Eduard Kukan: PS të nxirrte
kandidat për Presidentin

Eduard Kukan: PS të nxirrte<br />kandidat për Presidentin
Politika në Tiranë nuk shfaqi përgjegjësi në zgjedhjen e Presidentit, duke mos arritur as minimumin e dialogut politik, aq i domosdoshëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Deklarata ka ardhur nga Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, një javë pas zgjedhjes së ish-ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani në krye të shtetit. Kukan thotë se ka pritur një dialog më intensiv para zgjedhjes së presidentit, me më shumë konsultime mes palëve politike por dhe me shoqërinë civile, më shumë shkëmbim informacioni mes aktorëve politikë, më shumë dialog politik ndërmjet qeverisë dhe opozitës.

Megjithatë përfaqësuesi i Parlamentit Europian thekson se kjo nuk e bën procesin antikushtetues, pasi, pavarësisht mungesës së konsensusit politik për zgjedhjen e kreut të shtetit, gjithë procedura ka qënë e mbështetur në Kushtetutën e vendit, e pranuar kjo dhe nga ana e aktorëve politikë në Shqipëri, mes të cilëve dhe liderit të PS, Edi Rama. "Unë nuk po e kritikoj zotin Berisha apo shumicën qeveritare. Unë po kritikoj të gjitha forcat politike në Shqipëri. Të gjithë drejtuesit e tyre duhej të kishin treguar më shumë përgjegjshmëri. Pra, vërejtja ime kritike, është se ato po presin prej një kohe të gjatë që vendi të marrë statusin e kandidatit të BE-së, duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi, duhet të tregojnë më shumë maturi politike", tha Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit të PE për Evropën Juglindore.

Madje Kukan tregohet mjaft i drejpërdrejtë me kryetarin e opozitës, kur e quan të padrejtë faktin që Edi Rama nuk i kontribuoi garës presidenciale edhe pse Kushtetuta ia mundësonte këtë. "Unë e kam lexuar dy herë Kushtetutën e Shqipërisë. Unë e njoh atë dhe ajo nuk kërkon medoemos një President konsensual. Por ajo saktëson se një grup prej më shumë se 20 deputetësh mund të propozojnë një kandidat. Zoti Rama ka më shumë se kaq deputetë, por ai nuk propozoi askënd. Kjo nuk ishte e drejtë. Nëse ai donte të kontribuonte për këtë dialog, ai duhej të propozonte një kandidat që, sipas tij, mund të pranohej nga Partia Demokratike", tha Kukan.

Duke qënë dhe njëherë në të njejtën linjë me aktorët politikë, kryesisht të mazhorancës, aleatë të PS por dhe të kandidatit të vetëofruar Fatos Nano që kërkonin një kandidaturë të opozitës përballë të asaj të mazhorancës, në mënyrë që të kishte garë, në mungesë të një konsensusi mes palëve politike në Shqipëri. Eduard Kukan, i cili për shkak të pozicionit në Parlamentin Europian, ka qenë shpeshherë dëshmitar i konflikteve politike të Tiranës, ka shprehur vlerësimin e tij për presidentin e ri të Shqipërisë. Eurodeputeti Kukan thotë se e ka takuar dhe e njeh përvojën e Bujar Nishanit si politikan, duke shpresuar në këtë rast dhe në një mundësi të re që të jetë mbi palët dhe të ketë një zhbllokim të marrëdhënieve ndërinstitucionale në Shqipëri. Pasi nuk kanë qënë të pazakonta përplasjet mes kreut të shtetit, sidomos të dy presidentëve të fundit me kryeministrin Berisha.

Shkrimi u botua sot ne gazetën Shqiptarja.com

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Policia zhvendos protestuesit nga Bashkia e Tiranës, vendosen ‘gardh’ para militantëve të Berishës

Policia zhvendos protestuesit nga Bashkia e Tiranës, vendosen ‘gardh’ para militantëve të Berishës