Më 2025, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në Shqipëri ishte 12 mijë dollarë për frymë. Por 28.5% e vlerës së tij shkoi në Thesarin e Shtetit në formën e tatimeve, taksave, akcizave, etj. Dhe kjo përbënte barrën mesatare fiskale të gjithë banorëve të vendit për vitin 2025. A ishte e lartë? A ishte e ulët?
Krahasimi duhet bërë me një vend të ngjashëm me Shqipërinë në shumë drejtime. Dhe fqinji ynë verior, Mali i Zi, është vendi më i ngjashëm nga pikpamja gjeografike, historike, ekonomike dhe sociale. Për më tepër, të dy vendet janë në negociata të avancuara për antarësimin në BE.
Në mënyrë të veçantë, struktura e ekonomisë së Malit të Zi është shumë e ngjashme me të Shqipërisë, duke filluar nga turizmi deri te bujqësia. Gjithashtu, edhe fuqia blerëse e banorëve të të dy vendve është relativisht e përafërt.
Në Mal të Zi, PBB-ja ishte vjet 14,8 mijë dollarë për frymë, nivel i ngjashëm me ne në shkallë botërore. Por 40.7% e vlerës së PBB-së malazeze shkoi në Thesarin e Shtetit – një barrë goxha më e rëndë kjo për banorët malazezë, krahasuar me banorët e Shqipërisë.
Dhe le ti krahasojmë një nga një burimet e të ardhurave për Thesarin e Shtetit të të dy vendeve (shihni tabelën e mëposhtme).
1. Burimi kryesor për Thesarin e Shtetit në të dyja vendet ishte Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Por në Shqipëri, vetëm 8.6% e vlerës së PBB-së shkoi në Thesarin e Shtetit, ndërsa ana tjetër, në Malin e Zi kjo përqindje ishte plot 17%. Teorikisht, në Shqipëri duhej të ishte 20% (sa ç’ishte TVSH-ja standarde), dhe në Mal të Zi duhej të ishte 21% (sa ç’ishte TVSH-ja standarde). Sepse PBB-ja është thjesht Vlera e Shtuar gjatë një viti nga puna dhe investimet, teksa TVSH-ja është thjesht tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Por në praktikë, vende të ndryshme bëjnë përjashtime të ndryshme nga skema e TVSH-së. Në Mal të Zi këto përjashtime ishin shumë më të pakta se në Shqipëri – vetëm bizneset e vogla me xhiro vjetore nën 30 mijë euro përjashtoheshin nga skema e TVSH, si edhe disa investime specifike. Dhe sa më të pakta të jenë përjashtimet nga skema standarde e TVSH-së, aq më i ulët është evazioni fiskal…
2. Në të hyrat e Thesarit të Shtetit nga tatimi mbi fitimin dhe të ardhurat personale nuk kishte ndonjë diferencë domethënëse statistikore mes dy vendeve.
3. Struktura e akcizave dhe taksave doganore është e ngjashme në të dyja vendet, por jo kontributi i tyre në Thesarin e Shtetit. Në Shqipëri, përqindja e PBB-së që shkon në Thesarin i Shtetit nga akcizat dhe taksat doganore është vetëm 3%, ndërsa në Mal të Zi plot 5.7%. Meqë në të dyja vendet importet kanë peshë të ngjashme në ekonomi, duket se në Shqipëri ka evazion më të lartë fiskal në fushën e akcizave dhe taksave doganore…
4. Në Shqipëri përqindja e PBB-së që shkoi në Thesarin i Shtetit nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore ishte 6.7%. Ndërkohë, në Malin e Zi, vetëm nga kontributet për sigurimet shoqërore ishte 5.1% (atje shpenzimet shëndetësore për popullsinë mbulohen drejtpërdrejt nga buxheti i përgjithshëm i shtetit, e jo nga sigurimet shëndetësore).
5. Përqindja e PBB që shkoi në Thesarin i Shtetit shqiptar nga taksa/tatime të tjera ishte 4.9%, ku një zë i rëndësishëm ishte taksa e qarkullimit mbi karburantet. Në Malin e Zi, kjo përqindje ishte 7.2%, edhe pse atje nuk aplikohet taksa e qarkullimit mbi karburantet.










Komente
Komento