Në rekomandimet vjetore të misionit të FMN-së, theksohet se reformat në të ardhurat duhet të fokusohen tek modernizimi i taksave mbi pronën dhe forcimi i administrates tatimore. Përjashtimet tatimore të kushtueshme dhe regresive, si pragjet e larta të përjashtimit nga TVSH-ja, stimujt sektorialë dhe regjimet preferenciale për të vetëpunësuarit, duhet të hiqen gradualisht, pasi efektiviteti i tyre është i pasigurt.

Vendosja e një takse mbi pronën, të bazuar mbi vlerën, dhe përshpejtimi i zbatimit te saj do të mbështesin financat vendore. Zbatimi më i fortë i mbështetur në auditime të bazuara në risk dhe dixhitalizim mbetet thelbësor për realizimin e plotë të të ardhurave nga Stragjia Afatmesme e te Ardhurave. Këto masa së bashku kanë potencialin të rrisin të ardhurat deri në 2 për qind të PBB-së deri më 2030.

Marrëveshja e propozuar e ‘Paqes Fiskale’, me elemente të tilla si marrëveshje vullnetare për përcaktimin paraprak të fitimeve të tatueshme dhe pezullim të auditimeve gjatë periudhës së marrëveshjes, fshirje të detyrimeve tatimore e doganore dhe rivlerësim të pasqyrave financiare të së kaluarës me një normë të ulët të njëtrajtshme, rrezikon të minojë pajtueshmërinë tatimore, të dobësojë besueshmërinë e auditimeve dhe të përmbysë arritjet e deritanishme në modernizimin eadministratës tatimore.

Përmbledhtasi, FMN kërkon që në mbledhjen e të ardhurave, ne të tregohemi sa më rigorozë, pa ofruar trajtim preferencial për persona apo grupe të veçanta shoqërore. Për shpenzimet buxhetore, FMN thekson se nevojiten masa plotësuese për të përmirësuar cilësinë e shpenzimeve dhe transparencën fiskale. Rishikimet periodike të shpenzimeve, të institucionalizuara si mjet kyç buxhetor dhe të mbështetura nga struktura të qarta qeverisjeje brenda ministrive të linjës dhe procesit të buxhetit qendror, do të ndihmojnë në identifikimin e programeve me prioritet të ulët dhe ridrejtimin e burimeve drejt fushave nxitëse të rritjes, si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.

Bonuset me bazë të gjerë për pensionet duhet të shmangen, pasi janë të vështira për t’u kthyer pas, dhe dobësojnë lidhjen me kontributet, duke rrezikuar qëndrueshmërinë fiskale. Në vend të tyre duhet të përdoren programet e asistencës sociale të targetuara mirë për të mbështetur grupet në nevojë.

Monitorimi i rregullt i nën-huadhënies, PPP-ve dhe entiteteve jashtë bilancit mbetet kritik, së bashku me standarde më të forta të zbulimit dhe mireqeverisjes për fondet publike dhe mjetet me qëllim të veçantë (SPV). Përafrimi i publikimit të deklaratës së rreziqeve fiskale me ciklin buxhetor dhe përditësimet e saj do të forcojnë më tej transparencën. Përmbledhtasi, FMN kërkon që në shpenzimin e të ardhurave, ne të tregohemi sa më rigorozë, pa ofruar trajtim preferencial për persona apo grupe të veçanta shoqërore.