Eduard Zaloshnja: Me përkufizim, sondazhet s’janë instrumente precize

Eduard Zaloshnja: Me përkufizim, sondazhet s’janë instrumente precize

Foto ilustruese

Këto javë priten të publikohen disa sondazhe rreth zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit. Si zakonisht, pritet të bëhen shumë komente e citime të rezultateve të këtyre sondazheve.

Dhe si zakonisht, në komentet e citimet, me gjasa, do të harrohet një detaj shumë i rëndësishëm i sondazheve – marzhi i gabimit statistikor të tyre. Duke harruar kështu se, me përkufizim, sondazhet s’janë instrumente precize – çdo sondazh ka një marzh të gabimit statistikor.

Kur diskutohet në media apo nëpër kafene se, bazuar në filan sondazh, kandidati fistek ka sot X% të votave, rrallë përmendet që marzhi i gabimt statistikor të kësaj përqindjeje është plus/minus Y%. Dhe jo në pak raste, diferenca mes kandidatit fistek dhe konkurentit të tij mund të jetë brenda intervalit të gabimit statistikor – pra, nuk mund të thuhet me siguri se cili është realisht në epërsi ndaj tjetrit…

Por përse sondazhet kanë marzh gabimi statistikor?

Përgjigjia mund të gjehet tek Ligji i Numrave të Mëdhenj – nga më të rëndësishmit e teorisë së probabilitetit. Dikush mund të hedhë 100 monedha të njëjta e t’i bien 44% kokë, ose (në ekstremin tjetër) 56% kokë. Po ta përsërisë ky dikush këtë eksperiment me 1 mijë monedha, intervali i rënies kokë pothuaj me siguri do të jetë nga 47% deri në 53%; goxha më afër probabilitetit real 50%. Ndërsa po të hedhë 100 mijë monedha, intervali i rënies kokë do të jetë shumë, shumë më i ngushtë: 49.9% deri në 50.1%.

Me fjalë të tjera (duke u kthyer tek sondazhet), sa më shumë të anketuar të rastësishëm të përfshihen në kampionin statistikor të një sondazhi, aq më shumë i afrohemi përqindjes reale të përkrahjes ndaj një kandidati. Por kostoja e anketimit të 100 mijë qytetarëve të rastësishm është tejet e lartë. Prandaj sondazhistët mjaftohen me kampione relativisht të vogla, që zakonisht prodhojnë marzhe gabimi statistikore plus/minus 3%.

Dhe kur përqindjet e dy kandidtëve kanë një diferencë që përfshihet brenda intervalit të gabimit statistikor të sondazhit, thjesht mund të thuhet se ata janë statistikisht rrotë-më-rrotë. Sepse mund të qëllojë që në një garë dyshe, një sondazhisti t’i rezultojë kandidati filan me 47% (me marzh gabimi +/- 3%) dhe kandidati fistek me 53% (me marzh gabimi +/- 3%), ndërsa një sondazhisti tjetër (në të njëtën kohë e me të njëjtën metodologji) mund t’i rezultojë bash e anasjellta. Në një rast të tillë, as njëri e as tjetri s’janë gabim.  Si në rastin e hedhjes së 1000 monedhave, dy kandidatët thjesht mund të jenë në një garë të barabartë 50% me 50%…

Po përse atëherë vlen të bëhen sondazhe parazgjedhore?

Në qoftë se në një garë dyshe, kandidati filan rezulton me 55% (me marzh gabimi +/- 3%) dhe kandidati fistek rezulton me 45% (me marzh gabimi +/- 3%), mund të thuhet me siguri statistikore se filani ka epërsi ndaj fistekut. Në rastin më të keq për filanin, ai ka përkrahje 52% (55% minus 3%), ndërsa konkurenti vetëm 48%.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës