Kohët e fundit drejtova një vrojtim rigoroz statistikor në gjithë Shqipërinë, fokusuar në disa tema të aktualitetit.

Nga përgjigjet e të anketuarve, ekstrapolova statistikisht se vetëm 277 mijë pensionistë (përafërsisht) votuan vjet për PS-në, nga rreth 613 mijë me banim në Shqipëri (disa dhjetëra mijë të tjerë banojnë jashtë vendit). Ndryshe, mund të thuhet se vetëm 45.2% e pensionistëve brenda vendit votuan për PS-në, ndërsa 54.8% votuan për subjekte të tjera elektorale në garë, ose nuk votuan fare (shihni Gafikun 1).

Ky rezultat i sondazhit hedh poshtë mitin elektoral që qarkullon nëpër kafenera lagjesh apo banaqe televizive, trumbetuesit e të cilit pretendojnë se pothuaj të gjithë pensionistët votojnë për PS-në...

Sipas një miti tjetër që qarkullon nëpër kafenera lagjesh apo banaqe televizive, pretendohet se pothuaj të gjithë punonjësit e sektorit publik votojnë për PS-në. Po edhe këtë mit e rrëzojnë rezultatet e vrojtimit statistikor të lartpërmendur.

Kështu, përafërsisht, vetëm 45 mijë punonjës të shëndetësisë dhe arsimit votuan vjet për PS-në, nga 83 mijë gjithsej (vetëm 54.2%). Rreth 68 mijë punonjës të tjerë të sektorit publik votuan për PS-në, nga rreth 106 mijë që punojnë në sektorët e tjerë përveç atyre të shëndetsisë dhe të arsimit (vetëm 64.2%).

Duke i përmbledhur shifrat e mësipërme, rezulton se plot 40.2% e të gjithë punonjësve të sektorit publik votuan për subjekte elektorale në garë me PS-në, ose nuk votuan fare (shihni Gafikun 2).