Para një viti, gara për Bashkinë Tiranë dukej fare e pandërlikuar…
Atëherë, Këshilli i Ministrave miratoi shkarkimin e Erion Veliajt, pasi Këshilli Bashkiak kishte votuar propozimin për shkak të mungesës në detyrë për mbi tre muaj (pas arrestimit të tij në shkurt 2005). Presidenti Begaj dekretoi datën e zgjedhjeve të reja të pjesshme për Bashkinë e Tiranës. Dhe menjëherë PS-ja paraqiti Ogerta Manastirliun si kandidate, ndërsa opozita paraqiti Florjan Binajn si kandidat të saj (ndërkohë që Arlind Qori deklaroi se përsëri do të garonte, pavarësisht se në garën e fundit bashkiake mori vetëm 4.8% të votave).
Por më 3 nëntor 2025, Gjykata Kushtetuese, me një votim 5 pro dhe 3 kundër, e rrëzoi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt. Dhe kështu, gara e kryeqytetit mbetet të zhvillohet pranverën e ardhshme, kur do të mbahen zgjedhjet në të gjitha bashkitë e vendit.
Ndërkohë, qysh prej vjeshtës së shkuar, ka rrjedhur shumë ujë politik…
Nga krahu opozitar, Florjan Binaj duket se nuk është më i preferuari i Berishës për të përfaqësuar opozitën zyrtare. Ky i fundit duket se po përgatit Alimehmetin si kandidat për Bashkinë Tiranë. Ndërkohë, Binaj ka deklaruar se kërkon që t’i përfaqësojë protestat bulevardore si kandidat i tyre, por deri më sot nuk ka patur ndonjë prononcim të organizatorëve të protestave në lidhje me kandidaturën e tij.
Edhe nga krahu mazhoritar ka zhvillime. Ogerta Manastirliu nuk duket të jetë më e vetmja kandidate e socialistëve. Erion Braçe ka disa muaj që po zhvillon fushatë në terren dhe në media, për të qenë kandidati socialist për Bashkinë Tiranë. Dhe nuk dihet se ç’do të bëjë ai në qoftë se nuk e merr bekimin e Ramës – a do të kandidojë si i pavarur?
Më 2023, gara ishte thjeshtë – Veliaj përballë Këlliçit (kandidatët e tjerë nuk kishin asnjë shans t’u afroheshin atyre me vota). Dhe atë garë e fitoi lehtë Veliaj, me pothuaj 60 mijë vota epërsi.
Edhe vjet në nëntor, gara dukej gjithashtu e thjeshtë. Nga një sondazh që zhvillova atëherë në Tiranë, më rezultoi se Manasitrliu mund ta fitonte garën ndaj Binajt me rreth 20 mijë vota epërsi, ndërkohë që Qori ishte shumë larg të dyve.
Ndërsa aktualisht është e pamundur të zhvillohet sondazh, sepse ka shumë pikëpyetje. Cilët do të jenë kandidatët zyrtarë të mazhorancës dhe opozitës? Cilët do të kandidojnë si kandidatë të pavarur? A do të nxjerrin partitë e vogla kandidatë të tyre?









Komente
Komento