Pothuaj 3.715 milionë shtetas shqiptarë ishin në listën e zgjedhësve më 11 maj. Mbi gjysma e tyre ishin me banim këtu, e mund ta hidhnin votën duke shkuar në kutitë e votimit (po të donin). Ndërsa pothuaj gjysma tjetër mund ta dërgonin votën e tyre me postë (po të donin).

Dhe sa votuan gjithsej? Vetëm 1.665 milionë (44.8% e zgjedhësve në lista).

Ndër ata që e morën mundimin të votojnë (brenda e jashtë vendit), rreth 887 mijë votuan për PS dhe rreth 548 mijë për PD-ASHM (rreth 51 mijëve prej tyreve u rezultoi vota e pavlefshme, ngaqë u ngatërruan me fletët e votimit si fletë gazete…). Me fjalë të tjera, më pak se 2/5 e 3.715 milionëve në listat e zgjedhësve votuan për PS dhe PD-ASHM!

Po sa votuan për partitë e vogla (PSD, Nisma-SHB, Mundësia, Bashkë, etj. etj.)? Vetëm 230 mijë… Kurse 2.05 milionë zgjedhës të listave nuk votuan fare (shihni grafikun e mëposhtëm).

Kjo panoramë elektorale na tregon se që të ndryshojë statuskuoja politike në vend, nuk mjaftojnë protesta pikante të Lapajt para kryeministrisë, apo foltore të Salianjit në Durrës e Gjirokastër. Pa dalë një grup i ri intelektualësh të papërlyer deri më sot në politikë, me mesazhin, karizmën dhe organizimin e duhur, nuk ka gjasa që ata 2 milionë mosvotuesit ta marrin mundimin të votojnë në të ardhmen. Përkundrazi ata mund të bëhen 2.5 milionë…